“Albpetrol”, licencë rafinerie për hidrokarburet
Bie vlera e privatizimit, nga 430 në 300 milionë USD. Kontrata favorizon blerësin
Nevoja e buxhetit të shtetit për para ka bërë që kompanisë së vetme shtetërore naftënxjerrëse “Albpetrol”, jo vetëm t’i bjerë çmimi nga ai i deklaruar fillimisht, por edhe që privatizuesit të tij t’i ofrohen mundësi përfitimi. Kështu, veç dhënies së gjithë kompetencave që gëzon sot “Albpetroli” për shfrytëzimin e rezervave të hidrokarbureve si në tokë, ashtu edhe në det, dhe autoritetit ndaj kompanive koncesionare nga të cilat përfiton prodhimi paraekzistues, privatizuesit pritet t’i ofrohet edhe licenca për ndërtimin e një rafinerie të re të përpunimit të naftës. Lajmi është bërë i ditur për gazetën “Shqip” nga burime konfidenciale pranë “Albpetrolit”, të cilat sqaruan se çfarë pritet t’i ofrohet kompanisë që do të privatizojë këtë pasuri kombëtare. Kështu, në kontratën që po përpilohet për t’u ofruar gjatë ankandit të shitjes së “Albpetrolit”, përfshihen disa paketa.
Rafineria
Mësohet se një nga paketat që do të përfshihet në kontratë do të jetë dhënia e licencës së ndërtimit të një rafinerie të re të përpunimit të hidrokarbureve. Kjo, sipas burimeve, për shkak se eksportimi i naftës bruto për t’u përpunuar në rafineritë jashtë vendit ka një kosto mjaft të lartë. Ndërsa kompania që zotëron Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, i detyrohet “Albpetrolit” rreth 50 milionë dollarë që kanë mbetur të pashlyer ndër vite, pohojnë burimet e sipërcituara. Duke qenë në këto kushte, kompania që pritet të privatizojë “Albpetrolin”, mund ta ndërmarrë këtë hap vetëm nëse do të ketë mundësinë për prodhimin dhe përpunimin e naftës deri në etapën e fundit, gati për ta shitur atë në treg. Nëse kjo paketë do të aplikohet, atëherë privatizuesi i “Albpetrolit” do të kthehet në konkurrentin më të fortë të kompanisë ARMO.
Asetet
Në një paketë tjetër të kontratës do të jenë të përfshira të gjitha asetet që zotëron aktualisht “Albpetroli”, përfshi këtu puset e naftës që ka në shfrytëzim dhe prodhimi paraekzistues që përfiton prej kompanive koncesionare naftënxjerrëse. Sipas burimeve, vlera e prodhimit paraekzistues përllogaritet rreth 2.5 milionë dollarë në muaj. Ndërsa të ardhurat e përfituara nga puset e naftës dhe të gazit që ka ende në zotërim “Albpetroli”, si dhe objektet në rrethe të ndryshme të vendit, përllogaritet të jenë deri në 2.5 milionë dollarë të tjera në muaj, duke e çuar fitimin e çdo muaji në rreth 5 milionë dollarë në total.
Nafta e detit
Nën tabanin e ujërave të detit Adriatik dhe Jon të ndodhura brenda kufijve shtetërorë shqiptarë ndodhet një pasuri e tërë në trajtën e hidrokarbureve. Nga rezervat e identifikuara nga kërkimet e kryera deri tanimë, përllogaritet që vlera e tyre të kapë shifrën e rreth 300 milionë dollarëve. Ndërkaq, “Albpetrol” ka pak më shumë se një muaj që qeveria i ka dhënë të drejtën e shfrytëzimit të nëntokës së tabanit të detit Adriatik e Jon. Por, vetëm pak kohë pasi kompania e vetme shtetërore naftënxjerrëse e fitoi këtë të drejtë shfrytëzimi, qeveria miratoi marrëveshjen me ndarje prodhimi për kërkimin, zhvillimin e prodhimin e hidrokarbureve në blloqet 2, 3 dhe 4 të Adriatikut, ndërmjet “Albpetrol” sh.a. dhe shoqërisë “Emanuelle Adriatic Energy Limited”, marrëveshje që u negociua mes METE-s dhe kompanisë izraelite në fjalë. Burimet e sipërcituara pohojnë se pikërisht kjo kompani mund të jetë një nga kandidatët kryesorë për privatizimin e “Albpetrolit”.
Privatizimi
Sipas METE-s, projektligji për taksimin e “Albpetrolit” pas privatizimit të tij tenton të krijojë një trajtim të barabartë fiskal të shoqërisë që do e blejë me kompanitë e tjera që operojnë në vendin tonë në fushën e kërkimit e prodhimit të naftës. Kështu, privatizuesi do të tatohet çdo vit me 50% tatim mbi fitim, nga 35% që paguan aktualisht me trajtimin preferencial si sh.a. Por, kompania që do e privatizojë “Albpetrolin” do të ketë të drejtën e shfrytëzimit të të gjitha rezervave të hidrokarbureve në vend, si dhe përfitimin e prodhimit paraekzistues. Të ardhurat mujore të “Albpetrolit” aktualisht shkojnë në rreth 5 milionë dollarë, çka do të thotë se brenda 10 viteve akumulohen rreth 600 milionë dollarë, që përbëjnë dyfishin e vlerës me të cilën pritet të shitet. Fillimisht kreu i qeverisë, Sali Berisha, deklaroi se “Albpetroli” do të shitej në vlerën e rreth 430 milionë dollarëve. Por, pritet që kjo vlerë të jetë rreth 300 milionë dollarë. Kjo, për faktin se “Albpetrolit” tashmë i kanë mbetur vetëm 5% e aseteve që zotëronte dikur. Ndërkaq, disa kompani private të nxjerrjes dhe përpunimit të hidrokarbureve prej vitesh nuk i kanë shlyer “Albpetrolit” dhjetëra miliona dollarë. Kështu, sipas burimeve të “Albpetrolit”, ARMO i detyrohet në shumën e rreth 50 milionë dollarëve, “Bankers” rreth 15 milionë dollarë dhe rreth 1.5 milionë dollarë “Stream Oil”. Për këtë arsye, privatizuesi duhet të përballet edhe me ndjekjen e procedurave ligjore për marrjen e këtyre parave. Faktin se kompania shtetërore “Albpetrol” e ka pasur të vështirë të marrë paratë për naftën e shitur apo prodhimin paraekzistues e ka deklaruar para mediave edhe ish-ministri i METE-s, Nasip Naço. Mësohet se gjatë muajve të fundit drejtuesit e “Albpetroli” i kanë ftohur marrëdhëniet e tyre me METE-n, duke sjellë për pasojë vështirësi në procedurat e privatizimit të kësaj kompanie. Ndërkaq, titullari i “Albpetrolit”, Ferdinand Murati, ka qenë hermetik me mediat, duke mos pranuar të japë asnjë lloj informacioni e duke lënë në hije praktikat që po ndiqen për privatizimin e kompanisë së vetme shtetërore naftënxjerrëse në vend.
Privatizimi - Në kontratë ka disa paketa që do të favorizojnë blerësin, siç është dhënia e licencës për ndërtimin e një rafinerie për hidrokarburet
Vlera - Nën tabanin e ujërave të detit Adriatik dhe Jon përllogaritet të ketë një sasi hidrokarburesh me vlerë të paktën 300 milionë dollarë
Përfitimet - Të ardhurat mujore të “Albpetrolit” përllogaritet të kapin vlerën e rreth 5 milionë dollarëve, ndërsa në 10 vjet të ardhurat dyfishohen
Shifra - Duke qenë se “Albpetroli” ka 5% të aseteve që ka disponuar dikur, vlera e privatizimit të tij ka rënë nga 430 në 300 milionë USD
Ish-naftëtarët e pushuar nuk do ta përfitojnë shpërblimin e vjetërsisë
Punonjësit: Nuk dinim kur skadonte afati i kërkesës në gjykatë
Rreth 1500 ish-naftëtarët që kanë qenë të punësuar pranë “Albpetrolit”, të cilët kërkojnë t’u paguhet shpërblimi i vjetërsisë, ka shumë gjasa që të mos e përfitojnë atë. Edhe pse ky shpërblim është i parashikuar në ligj dhe në Kodin e Punës, një vendim i Këshillit të Ministrave i datës 26.04.2010, ka vendosur që punonjësve të dalë nga reformat të mos u njihet vjetërsia e punës. Ndërkaq, në bazë të Kodit të Punës, këta ish-punonjës duhej të kërkonin në gjykatë këtë të drejtë brenda afatit kohor të 180 ditëve. Por për shkak të mungesës së informacionit, gati të gjithë 1500 punonjësit nuk e kanë kryer këtë ankimim në gjykatë në kohën e duhur. Vetëm tre inxhinierë kanë arritur të fitojnë në gjykatë të drejtën e njohjes së vjetërsisë. Ndërkaq, nga burime të gazetës mësohet se kostoja financiare e pagesave të vjetërsive të punës për të gjithë 1500 punonjësit kap shifrën e rreth 15 milionë dollarëve. Kjo, pasi pjesa më e madhe e tyre kanë vjetërsi në punë nga 20 deri në 40 vite. Pagesat mesatare kapin shifrën e rreth 400 apo 500 dollarëve në muaj dhe një punonjësi që ka punuar për 20 vite në këtë ndërmarrje i duhet t’i kthehen rreth 20 paga si shpërblim vjetërsie. Mësohet se pjesa më e madhe e këtyre ish-punonjësve të prekur nga reforma janë me bindje politike të majta. Pak ditë më parë, rreth 200 ish-naftëtarë protestuan para zyrave qendrore të “Albpetrolit” për mospagimin e shpërblimit të vjetërsisë në punë, por deri tanimë kanë dalë duarbosh.
Vendimi
Rreth 1500 ish-naftëtarët që kanë qenë të punësuar pranë “Albpetrolit” nuk do ta përfitojnë shpërblimin e vjetërsisë
Afati
Ndërkaq, në bazë të Kodit të Punës, këta ish-punonjës duhej të kërkonin në gjykatë këtë të drejtë brenda afatit kohor të 180 ditëve
25.06.2012
Burimi: Gazeta Shqip










