Postuar me: 8:03 18-06-2012

Matura Shtetërore: Testi i matematikës, zbardhet skema e vlerësimit

Me shume rreth femrave ne nje site              Me shume rreth sportit ne nje site Njoftime pune
Shperndaje
Etiketat

Ministria e Arsimit: Pikë edhe për përgjigjet e pjesshme, kuotat miratohen këtë javë

Përfundon testi i dytë i Maturës Shtetërore, ai i matematikës. Sipas nxënësve të shkollave të kryeqytetit, teza mund të vlerësohet me një vështirësi mesatare, pavarësisht se testi kishte edhe pjesë të vështira, të cilat u referoheshin nxënësve të “kalibrit”, të vlerësuar me nota të mira në këtë lëndë.

Plot 49 mijë maturantë kanë pasur në dispozicion më shumë se 2 orë për t’iu përgjigjur 25 pyetjeve të përgatitura nga hartuesit. Ata e vlerësuan testin mesatar dhe pa vështirësi për ta plotësuar. Ajo që menjëherë u bë e ditur nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës lidhet për të gjithë maturantët që zhvilluan dje testimin. Sipas ministrisë, ka një shpjegim të ri për vlerësimin se si do të realizohet testi i matematikës. Sipas argumenteve të bëra publike dje, për secilin lloj testi është paraqitur një model zgjidhjeje.

Nxënësi do të vlerësohet me pikë të plota për çdo zgjidhje tjetër të saktë, pavarësisht nga modeli i paraqitur.

“Nxënësi do të vlerësohet me pikë për përgjigjet e pjesshme edhe kur nuk ka arritur në zgjidhjen e plotë”, thuhet në shpjegimin zyrtar të Arsimit. Testi dhe çelësi i përgjigjeve është zbardhur në faqen zyrtare të MASH-it rreth orës 15:00.

Kuotat

Dje, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, e ka ndjekur zhvillimin e testit të dytë të maturës, në qytetin e Shkodrës. Sipas kreut të arsimit, kuotat e propozuara nga universitetet dhe projektvendimi i dërguar në Këshillin e Ministrave lidhur me pranimet për vitin e ri akademik do të miratohen javën e re.

“Pashë një proces administrimi mjaft të rregullt, takova shumë nxënës dhe i urova. I sigurova që javën tjetër shpallim kuotat e reja për pranimet në shkollat e larta dhe do të kemi aq shumë kuota sa për çdo maturantë që arrin rezultatet është e mundur të ketë një vend studimi në shkollat e larta”, tha Tafaj.

Sakaq, menjëherë pas mbylljes së testit të matematikës, Parlamenti rinor ka bërë deklarata dhe akuza lidhur me procesin e Maturës Shtetërore, duke pretenduar se në provime është kopjuar, nxënësit kanë komunikuar duke vënë në rrezik procesin.

Pretendimet

“U zhvillua provimi i dytë me zgjedhje, ai i matematikes, për 42 mijë maturantë në të gjithë Shqipërinë, i cili dëshmoi edhe njëherë keqfunksionimin dhe keqadministrimin e Maturës Shtetërore nga ana e MASH-it dhe instrumenteve të krijuara prej saj për menaxhimin e MSH”, deklaroi Rigels Xhemollari, koordinator i përgjithshëm i parlamentit rinor. Sipas tij, në studimin e monitorimit të Maturës Shtetërore, një vit më parë vuri në dukje një numër të madh kopjesh me anë të aparateve celularë dhe mënyrave të tjera të kopjimit, duke nxjerrë rekomandimet për MASH-in për një kontroll më të rreptë dhe të monitoruar nga kamera, por kjo nuk u mor parasysh.

Xhemollari thekson se jo vetëm që nuk janë pakësuar problematikat, por janë shtuar, duke marrë parasysh edhe ankesat e nxënësve për pyetje të bëra jashtë kurrikulës mësimore.

Nga një vëzhgim dhe monitorim i këtyre dy javëve të fundit të procesit të administrimit të maturantëve dhe intervistimit të disa maturantëve, përsëri kemi të njëjtat probleme, përsëri kemi kopje. Lorina Mixha

 

Të dhëna

Provimi

Dje u zhvillua provimi i dytë me zgjedhje i Maturës Shtetërore, ai i matematikës, për 42 mijë maturantë në të gjithë Shqipërinë

Vlerësimi

“Nxënësi do të vlerësohet me pikë për përgjigjet e pjesshme edhe kur nuk ka arritur në zgjidhjen e plotë”, deklaroi Ministria e Arsimi

Pretendimi

I parlamentit rinor lidhet me ankesat e nxënësve për pyetje të bëra jashtë kurrikulës mësimore, si edhe shkelje të rregullores së maturës

Kuotat

Sipas Ministrit të Arsimit, javën tjetër do të bëhet shpallja e kuotave e reja për pranimet në shkollat e larta për vitin e ri akademik

17.06.2012

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :


× nine = 81

All Rights Reserved