Prandeli sulmon Gjermaninë: Nuk ka skuadra të pathyeshme
Euro 2012
“Preferoj më shumë të rrezikojmë, sesa të presim e të vuajmë”
Trajneri i Italisë: “Ndaj Anglisë kemi kontrolluar topin për 68% të kohës, do të duhet të shfrytëzojmë këtë kapacitet”
Prandeli dhe stafi i tij përsëritën në orët e vona të së dielës pas ndeshjes me Anglinë pelegrinazhin në kishën e Vieliczckas

Pritet me një duartrokitje, Çezare Prandeli, në hyrjen e tij në konferencën e djeshme për shtyp. Gjithçka falë asaj ndeshjeje të madhe të luajtur ndaj Anglisë: gjysmëfinalja e Euro 2012 erdhi ashtu siç ai shpresonte, përmes lojës së bukur, që solli rezultat. Trajneri i Italisë, 24 orë pas surprizës vazhdon të jetë i qetë: “Revolucion taktik? Jemi vetëm në fillim. Por kemi përgjegjësinë ta provojmë. Në këto momente diferencën e bëjnë skuadrat që e shtyjnë përpara linjën difensive dhe kanë kurajën të luajnë. Gjermania? Mungon ende shumë për ta mundur, por nuk ka skuadra të pathyeshme. Megjithatë, UEFA duhet të rishohë kalendarin, ndryshe ka pabarazi në kohën e rikuperimit (Gjermania ka dy ditë pushimi më shumë për të përgatitur gjysmëfinalen), penalizon spektaklin”.
Raste të humbura — “Kemi gjuajtur drejt portës 35 herë, 20 në kuadrat, sikur të ishte gjithnjë kështu, do të fitonim 9 nga 10 ndeshje, përtej faktit që golat nuk erdhën kundër Anglisë. Zgjedhjet që bëra për sulmin ishin në vazhdimësi të projektit taktik. A do të mbetet Kasano një pikë e palëvizshme? Ndeshja ndaj Anglisë ishte më e vështirë për Marion dhe Antonion, sepse mbrojtja dhe mesfusha kundërshtare i kishin linjat shumë afër. Pas shumë muajsh pa aktivitete, në të katërtën ndeshje radhazi, mund të kenë paguar në planin e ritmit të garës. Por është mirë të kesh lojtarë të tillë, kualitativë. Pastaj kur ta kuptoj se si dot jemi në fushë të enjten, do të bëj zgjedhjet e mia. A duhet bërë ndërhyrje në sulm? Duhet të përmirësojmë ritmin e lojës, sepse qarkullimi i topit nuk na jep thellësi. Baloteli? Më pëlqeu, sepse bëri atë që i kërkova. Në 4-5 raste i mungoi saktësia, por paraqitja e tij ishte bindëse”.
Loja sulmuese — “Ka shumë mënyra për të arritur te rezultati. Në këto momente diferencën po e bëjnë skuadrat që e shtyjnë linjën e mbrojtjes më përpara dhe kanë kurajën të luajnë. Disa nga këta djem po e kuptojnë për herë të parë, se kanë kapacitete të mrekullueshme. Ndaj Anglisë kemi arritur 68% të qarkullimit të topit. A është kompletuar revolucioni taktik. Jemi në fillim, por duhet ta provojmë. Situata në nivelin e ekipeve të moshave është kritik, nëse nuk duam të shikojmë europianë dhe botërorë në televizion, do të duhet të bëjmë një futboll me perspektivë. Gjeneratat e reja dëshirojnë të shikojnë këtë tip futbolli. Dhe të mos mendojnë për rezultatin nga minuta e parë. Është më e lehtë të bindësh tifozët sesa kritikët”.
Anti-Gjermania — “Kemi pak ditë për të rikuperuar forcat. Dhe do të duhet të hedhim në fushë një skuadër të gjallë. Mungon ende shumë për t’i mundur, por nëse e përgatisim mirë ndeshjen, nuk ka skuadra të pathyeshme. Spanja dhe Gjermania janë shumë të forta, por gjithsesi në momente të tilla mund të të lënë hapësira për të përfituar ndonjë gjë. Nëse mendojmë se të enjten do të jetë një ndeshje e vështirë, që do të varen shpresat deri në sekondat e fundit, mundet të dalim edhe të fituar. Mund të bëjmë ndeshjen tonë, do të duhet të rrezikojmë, ndryshe herët a vonë do të pësojmë gol. Preferoj të pësoj gol në kundërsulm sesa të qëndroj 20 minuta duke pritur dhe duke vuajtur”.
Shtypi
Reagon Gjermania: Italia nuk na tremb
Nderime Italisë, por tani nis gjuetia e hakmarrjes. Shtypi gjerman ua njeh meritat të kaltërve dhe shijon paraprakisht gjysmëfinalen e të enjtes, ku Gjermania e Joakim Lëvit do të duhet të kërkojë “hakmarrjen” e humbjeve të shumta të pësuara në sfidat ndaj axurrëve. “Italia, ora për të larë hesapet”, titullonte “Bild”, duke kujtuar se “mundemi të kthejmë reston që qëndron pezull prej gjashtë vitesh kundër kundërshtarit tonë të frikshëm dhe të kalojmë turin, krejt ndryshe nga sa ndodhi në gjysmëfinalen e Botërorit 2006”. Tabloidi gjerman duket optimist: “Mbrojtja është pika e dobët e Italisë dhe Kasano e Baloteli janë gjaknxehtë dhe mund të provokohen lehtësisht”. Por nga ana tjetër është Bufoni që “i jep stabilitet repartit të mbrojtjes, që është i lëkundur”. “Edhe një herë Italia”, lexohet në faqen e “Kicker”, duke nënvizuar në mënyrë dashakeqe se “titujt e mëdhenj mbi skandalin e basteve janë zhdukur”. Por për revistën gjermane “Anglia humbi me meritë një ndeshje të dominuar nga italianët”, që janë kundërshtari më i keq për “Mannschaft”-in, duke parë edhe traditën. “Dramë e paevitueshme” ishte titulli që shfaqej te “Sueddeutsche Zeitung”, e cila ngre lart Italianë (“axurrët kanë propozuar një futboll të bukur dhe kanë pasur shumë mundësi për të shënuar”) dhe kritikon Anglinë “me fat që kaloi 120 minuta pa pësuar gol”. “Italia sfidon Gjermaninë” është në fund titulli i “Frankfurter Allgemeine”, e cila flet për “superioritet të qartë” të djemve të Prandelit dhe paralajmëron Lëvin, se do të përballet me një skuadër “me nerva të çelikta”.
26.06.2012
Burimi: Gazeta Shqip










