Postuar me: 9:09 26-07-2012

Çmendet piktori, bën masakër për rërën e plazhit (Burimi: Gazeta Shekulli, www.shekulli.com.al )

Me shume rreth femrave ne nje site              Me shume rreth sportit ne nje site Njoftime pune

Nga Golemi/ Nikoleta Kovaçi

Dy grumbuj të vegjël ranë të mbuluar me gjak, dy-tri palë pantofla plazhi burrash, dy bluza dhe një qese me bukë që kishte nisur të thahej, ishin dëshmitë e një skene horror që policia e kishte rrethuar me shiritin e një vendkrimi. Shezlongët e përgjakjes gjendeshin sërish ashtu, edhe pas dy orësh nga kryerja e vrasjes, ndërsa asnjë plazhist i momentit fatal të vrasjes nuk gjendej më në resortin “UraLi”.

Përurimi i këtij kompleksi mbase ka qenë një ndër më të veçantët që mund të ketë përjetuar bregdeti i Malit të Robit. Në shtatorin e një viti më parë, ai që policia e quan autorin e krimit të djeshëm, pikërisht në këtë vend çeli ekspozitën me piktura, të cilat i vari nëpër pisha. Por, dje aty s`kishte më gjurmë piktori. Kishte ndodhur përmbysja tragjike: piktori dhe krijuesi ishin kthyer në vrasës…!

Krimi në versionin fillestar

Rreth orës 11.30 minuta në vendin e quajtur “Mali i Robit” në Golem janë vrarë me armë zjarri Sulejman Shehu nga Kukësi me banim në Tiranë dhe Durim Pashallari nga Kavaja, i punësuar si roje objekti në vendin e ngjarjes. Plumbat që s`dihet ende qartë se nga cila armë kanë dalë, që kanë rezultuar fatalë, kanë plagosur rëndë të birin e Shehut dhe bashkëshorten e tij, ndërsa mrekullisht ka shpëtuar i vogli i familjes, i cili ka kaluar përtej vendit të ngjarjes. I plagosur nga shkëmbimi i zjarrit ka mbetur edhe Ardian Traga, nga Durrësi, i zoti i resortit, mirëpo Ardiani bashkë me të vëllezërit dhe një mikun e tij ka mundur të largohet nga vendi i ngjarjes. Fillimisht është pretenduar se ka qenë Sulejmani që ka qëlluar mbi rojen duke e lënë të vdekur dhe më pas ka mbërritur Ardiani me një kallashnikov dhe gjuajtur mbi Shehun e familjen e tij, duke lënë të vdekur atë dhe duke plagosur të birin, Erionin dhe bashkëshorten Beglie. Me këtë version policia dhe grupi i ekspertëve të mbërritur nga Tirana kanë bazuar nisjen e hetimeve. Mirëpo disa orë pas krimit të llahtarshëm, versioni i parë i ngjarjes ka rënë. Kjo pistë u ndërrua pasi u ndaluan dy vëllezër të Ardianit dhe i biri i Sulejmanit. Ndërkohë policia kishte shpallur në kërkim Ardianin dhe një tjetër person, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye hetimi. Beglia dhe Erioni, nënë e bir, janë nisur për në spitalin rajonal të Durrësit, ku menjëherë është konkluduar se djali ka marrë plagë të rënda, ndërsa gruaja është jashtë rrezikut për jetën. Trupat e pajetë të dy burrave janë dërguar për në morgun e spitalit për ekspertizë mjeko-ligjore, ndërsa në vendin e ngjarjes mbërrijnë krerët më të lartë të policisë së Tiranës dhe të Policisë së Shtetit. Në vendin e masakrës ishin prezent edhe forca speciale, të cilat morën përsipër arrestimin e piktorit, që për policinë konsiderohej edhe autori kryesor i masakrës. Makinat e policisë mbushin komisariatet me dëshmitarë, disa të rastësishëm, pjesa tjetër që ishin afruar vetëm pas ngjarjes, por ata që kanë parë momentin e krimit janë larguar menjëherë të tronditur. Kjo e ka vonuar disi zbardhjen e mekanizmit se si janë kryer dy ekzekutimet dhe tri plagosjet.

Shkaku i konfliktit

“I shikon çadrat ‘Pepsi’? Ato dreq çadrash janë edhe shkaku kryesor i gjithë kësaj tragjedie”. Kështu rrëfen një zyrtar policie, ndërkohë tregon mbi konfliktin e nisur prej kohësh mes dy personave, që pretendonin pronësinë mbi atë vend, pronësi që Traga mësohet se e posedon me dokumentacion të rregullt, por sipas të dhënave nga vendi i ngjarjes, ky dokumetacion pronësie për 7 mijë metër katror vjen pas një sërë përballjesh mes dy pretenduesve. Policia e Kavajës bën me dije se janë dy çështje të hapura në Prokurorinë e Rrethit, për “shkatërrim dhe përvetësim prone”, mes palëve, ndërkohë konfliktet që quan në krim të dyfishtë dhe plagosje të trefishtë ka nisur pikërisht për vendosjen e çadrave nga ana e Sulejmanit në këtë pjesë plazhi, vendosje që është kundërshtuar nga Traga me të tijtë.

Dinamika e ngjarjes

Ditën e djeshme, sipas të dhënave të policisë, saktësohet se fillimisht konfrontimi ka nisur mes rojes-viktimë dhe Shehut, i cili gjendej nën njërën prej çadrave të tij bashkë me familjen dhe më pas sherri ka degjeneruar edhe në përdorim armësh. Askush nga pushuesit që është gjendur aty nuk ka guxuar të hyjë mes palëve, ndërkohë që sipas policisë arma automatike që është përdorur në krim nga ana e Tragës apo e personit të shpallur në kërkim është marrë në automjetin e Tragëve, e cila sipas të dhënave ka qenë e parkuar në hyrje të resortit, disa metra nga vendi ku janë gjetur të pajetë dy burrat.

Ekspertimi: Në krim janë përdorur dy armë

Plagosja e Ardian Tragës është mësuar vetëm pasi personi ka vendosur të iu dorëzohet forcave të policisë rreth 6 orë pas vrasjes, ndërkohë që policia ka pretenduar se në ngjarje janë përdorur një armë automatike dhe një pistoletë TT. Kalibri sipas ekspertëve ishte i njëjtë, ndërkohë dilemat bien mbi faktin se me çfarë arme është vrarë roja i resortit, Durim Pashollari. Rreth tri orë pas vrasjes, eskpertët kryen edhe këqyrjen e fundit të vendit të krimit, bënë krehjen e rërës dhe prej aty nxorën edhe plumbat e TT-së, e cila sipas dyshimeve të policisë e posedonte Sulejman Shehu dhe sërish referuar policisë viktima e mbante me leje. Ndërkohë që nga arma automatike janë nxjerrë një numër i madh plumbash, të cilët policia e kishte të pamundur ti bashkonte të gjithë në cilësinë e provës materiale. Referuar të dhënave të policisë lokale mësohet se përdorimi i armës automatike ka qenë mjaft i shpejtë dhe fillimisht dyshohet se autori ka qëlluar në ajër, çka ka bërë lëvizjen e të gjithë pushuesve dhe atëherë është qëlluar mbi familjen Shehu, pjesa e mbijetuar kanë shpëtuar për mrekulli prej gjithë asaj mori plumbash që janë derdhur mbi ta.

Kush është Ardian Tragaj? 

Piktori-krijues që konsiderohet vrasës…!

Durrsaku i lindur në lagjen Nish-tulla, i cili pikërisht për hir të këtij fakti ka pretenduar se ka të drejtë të jetë pronar i asaj zone në Golem, fat që s`mund ta kishte viktima e tij, Sulejman Shehu, meqë ishte jo nga Durrësi, është një nga emrat më të njohur në qarqet e artit pamor dhe atij të shkruar jo vetëm në Durrës. Ai njihej si një piktor i veçantë për brezin, ndërkohë që mësohet se Ardiani pasionin e tij për pikturën e ka deleguar edhe te dy fëmijët e tij, ndërsa rezulton të ketë hapur një sërë ekspozitash. E fundit ka qenë ajo e përurimit të resortit të tij “UraLi”, ku pikturat e tij dhe të fëmijëve të tij ishin shoqëruesit e të ftuarve të shumtë të atij përurimi. Golemsit po ashtu si edhe policia e zonës e kujtojnë sot e asaj dite atë moment si një nga më interesantët, ndërsa pikërisht në pistën ku dje gjendeshin vetëm punonjës policie, ekspertë dhe specialë të gatshëm për operacioni e arrestimit të tij, kishin përformuar edhe ansambli i Durrësit.

Ardian Tragaj, që, në mesditen e djeshme u arrestua për vrasjen e dyfishtë dhe plagosjen e nënë e bir, është edhe autor i disa librave, ndërkohë që dëshmitë tregojnë për një afërsi me njerëzit e mëdhenj të politikës, jo vetëm lokale. Tragaj, nga artist kthehet në një biznesmen dhe nis menjëherë punën për ngritjen e “UraLi’, ndërsa pretendimi për pronësinë ka sjellë edhe momentet fatale për tri familje, dy prej të cilave me të vdekur. Policia si e Kavajës, ashtu edhe e Tiranës, nuk e fshehin për asnjë çast ekzistencën e vazhdueshme të konflikteve mes tyre, ndërsa ende nuk dihet saktësisht se deri ku ka shkuar procesi hetimor për dy paditë që janë depozituar në prokurori. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, mësohet se Shehu këto dy konflikte të dokumentuara nuk i ka me Tragajn, por me një person tjetër që është gjendur aty para se Ardian Tragaj të vinte dhe të niste biznesin.

Pas masakrës!

Policia menjëherë pas mbërritjes në vendin e ngjarjes ka nisur edhe kërkimin e autorëve. Djemtë e familjes Tragaj janë shpallur të gjithë në kërkim, ndërsa është ndaluar edhe i mbijetuari i familjes Shehu, i cili mësohet se është djali i vogël i familjes së madhe prej 10 fëmijësh. Pas ndalimit dhe shoqërimit të dy vëllezërve të Ardianit, policia ka blinduar zonën me forcat speciale dhe me postblloqe të Durrësit, Kavajës dhe të Tiranës, për të mbërritur deri te vetëdorëzimi i atij që konsiderohet edhe autori. Dy vëllezërit mësohet se janë gjendur në shtëpi dhe nuk kanë bërë asnjë lloj rezistence, por i janë bashkuar morisë së të shoqëruarve të tjerë. Ndërkaq është shpallur në kërkim edhe automjeti “Mercedes ML” në pronëi të Tragajt, me të cilën u dyshua se u larguan nga vendi i krimit Ardiani me dy plagë në trup, ndërsa miku i tij, mësohet se i ka shërbyer si shofer dhe ka vijuar deri orëve të vona të së mbrëmshmes të jetë i lirë. Ardiani pas dorëzimit është shtruar për kurim në spitalin e Durrësit dhe deri mbrëmë vonë grupi i hetimit i kryesuar nga ekspertë dhe drejtues të lartë të Policisë e konsiderojnë si vrasës të dyfishtë dhe autor të i plagosjes së dy pjesëtarëve të tjerë të familjes Shehu.

Si u qëllua mbi familjen Shehu

Sulejman Shehu mësohet se bashkë me familjen e tij prej disa vitesh është bashkëpronar i një hoteli në zonën e Golemit, më saktë pas “Mak Albania”. 49-vjeçari me origjinë nga Shtigjeni i Kukësit dhe me banim në “Bathore 1” mësohet se prej disa vitesh në çdo sezon vere ka shfrytëzuar vendin ku ndodhi vrasja për të vendosur çadrat dhe shezlongjet e tij, ndërkohë që sipas punonjësit të policisë së Kavajës A. Z., ai konsiderohej si i zoti i një kioske që është ngjitur me urën, që është ndërtuar se fundmi nga Tragajt. Vetëm disa metra nga vendi ku u vra, policia tregon se Shehu shfrytëzonte edhe një tip bunkeri të mbetur aty, por që tashmë ishte i prishur. Sulejman Shehu mësohet se ditën e djeshme ka qenë në çadrat e veta bashkë me bashkëshorten Beglien, djalin e tij të vogël dhe Erionin e sapo kthyer nga Anglia, vend në të cili punon e jeton prej vitesh bashkë me të vëllanë e tij. Sherri që më pas ka degjeneruar në vrasje, ka nisur pikërisht në hapjen e çadrave të Shehut me familjen dhe disa të tjerave që do të përdoreshin për pushuesit. Fillimisht ka shkuar ta zgjidh problemin roja, Pashollari, 56 vjeçari që mbeti i vrarë në vend. Mirëpo askush s’ka mundur të parandalojë masakrën terrorizuese mes dy familjeve, duke shënuar kështu një nga krimet më të rënda të ndodhura mes dy të njohurish paçka se prej zonash të ndryshme.

Nga të dhënat e orëve të vona që vijnë nga Policia e Tiranës mësohet se ceremonia mortore e Shehut do të kryhet në vendlindjen e tij në Kukës, ndërsa ende nuk dihet saktësisht gjendja e të birit, Erionit. Bashkëshortja Beglie, sipas policisë, është jashtë çdo rreziku për jetën, ndërsa i vogli ndër djemtë e çiftit, deri orëve të vona të së mbrëmshmes ka qenë i vendosur nën pranga, megjithëse policia dhe prokuroria nuk i kanë komunikuar ende masën ndëshkimore.

26.07.2012

Burimi: Gazeta Shekulli

Rreth Autorit

Komenti Juaj :


5 + four =

All Rights Reserved