Fukushima, shfaqen mutacione gjenetike tek fluturat (Burimi: Gazeta Shqip, gazeta-shqip.com)
Rrezatimi bërthamor i Fukushimës duket se po jep pasojat e para. Në tre breza fluturash të gjetura në pyjet e Fukushimës janë hasur mutacione të ndryshme gjenetike.
Sipas shkencëtarëve, 12 për qind e një lloj fluture blu, të cilat i ishin ekspozuar (në kohën kur ishin larva) katastrofës nukleare të Fukushimës, të ndodhur pas cunamit shkatërrimtar të 11 marsit 2011, kanë shfaqur anomali të ndryshme gjenetike, ndër të cilat krahë më të vegjël dhe të reduktuar si dhe antena të sëmura e të dëmtuara.
Insektet më pas janë rritur në kushte laboratorike për të vëzhguar sjelljen e tyre dhe u vu re se 18 për qind e pasardhësve të tyre trashëguan anomali të njëjta.
Flutura e prekur nga mutacioni
Ndërkohë, numri i fluturave të prekura nga mutacionet gjenetike dhe të sëmura si pasojë e rrezatimit nuklear është rritur me 35% për qind në brezin e tretë të tyre. 6 muaj pas tragjedisë së Fukushimës shkencëtarët mblodhën të tjera flutura, nga të cilat u regjistruan anormalitete në 52 për qind të rasteve, me tendence të dukshme rritëse.
“Kemi dalë në përfundimin se radioaktiviteti i lëshuar nga Fukushima ka dëmtuar gjenet e fluturave”, – tha Joji Otaki, profesor në Universitetin Ryukyu, të Okinawam, në Japoni.
Megjithatë, studiuesit nënvizojnë se është ende herët për të dalë në konkluzione të mëtejshme dhe se eksperimentet e bëra mbi fluturat nuk mund të aplikohen drejtpërdrejt në qeniet e tjera, veçanërisht te njeriu.
14.08.2012
Burimi: Gazeta Shqip










