Nicole Kidman si Grace Kelly (Burimi: Gazeta Shqip, gazeta-shqip.com)
Filmi i ri, që pritet të shfaqet në shator, ‘Grace e Monakos’, me protagoniste Nicole Kidman, do të ketë në qendër yllin e kinemasë amerikane, Grace Kelly, që ashtu si në një përrallë të bukur, u bë princesha e monakos.
Ngjarjet do të marrin rrugë nga viti 1962, kur Grace Kelly, e cila prej pak vitesh ishte bërë princeshë dhe ishte larguar nga dritat e shkëlqimi i Hollivudit, merr një ofertë nga i famshmi Alfred Hitchcock, çka bën që brenda saj të rilindë sërish dëshira për t’u rikthyer edhe një herë në një film.
Në krah të australianes Kidman, që do të jetë Grace Kelly, do të interpretojë edhe Paz Vegas, e cila do të ketë rolin e këngëtares lirike, Maria Callas, mike shumë e ngushtë e Grace Kelly dhe që në atë kohë përjetonte historinë e saj të trazuar të dashurisë me manjatin grek, Aristotel Onassis.
Në qendër të konfliktit do të jenë edhe përpjekjet e Grace si princeshë e Monakos, për të sheshuar konflikte mes princit Ranieri III dhe presidentit francez Charles De Gaulle, për të shpëtuar Principatën e Monakos nga shkatërrimi për shkak të statusit që kishte marrë si një parajsë fiskale. Grace Kelly ndërroi jetë më 14 shtator të vitit 1982, për shkak të një aksidenti rrugor.
20.08.2012
Burimi: Gazeta Shqip










