Qytetarët blejnë borxhin, zëvendësojnë bankat (Burimi: Gazeta Shqip, gazeta-shqip.com)
Individët kanë rritur blerjet e bonove të thesarit këtë vit me shpejtësi
Individët kanë shtuar me shpejtësi blerjen e bonove të thesarit gjatë këtij viti në Shqipëri, pasi njëra prej bankave njoftoi uljen e ekspozimit ndaj borxheve sovrave shqiptare. Lajmi bëhet i ditur nga raporti gjashtëmujor mbi borxhin publik, që u publikua nga Ministria e Financave.
Individët patën blerë rreth 12 për qind të borxhit publik total të Shqipërisë në fund të vitit 2010, ndërkohë që në fund të qershorit të këtij viti, blenë 14,3 për qind të borxhit.
Shqipëria ka një treg borxhi të brendshëm prej 453 miliardë lekësh, (rreth 4.5 miliardë dollarë), ku paguhet mesatarisht rreth 8 për qind interes në vit. Mbi 67 për qind e këtij borxhi është blerë nga bankat private, të cilat mbledhin depozita nga qytetarët përkundrejt një interesi prej 3-6 për qind dhe ia transferojnë këto para qeverisë përkundrejt një interesi 6-10 për qind, duke realizuar një normë fitimi bruto gati dyfish nga një operacion i thjeshtë e pa rreziqe. Bankat kanë lobuar vazhdimisht në të shkuarën për pengimin e blerjes së drejtpërdrejtë të bonove të thesarit nga ana e individëve, të cilët, në këtë rast, mund të investonin kursimet e tyre përkundrejt interesave shumë më të larta se sa ato të ofruara nga depozitat bankare.
Por gjatë vitit të kaluar, njëra prej bankave të huaja, që vepron në Shqipëri, u detyrua nga enti rregullator bankar europian të ulë sasinë e bonove të thesarit që blen. Pjesa e Raiffeisen Bank në tregun e bonove të thesarit ka rënë nga 37 për qind në fund të vitit 2008 në 29 për qind në qershor të këtij viti. Në të njëjtën kohë, borxhi publik ka vijuar të rritet, por blerësit kryesorë kanë qenë bankat e dyta apo individët.
Për shkak të tërheqjes së pjesshme të Raiffeisen-it nga tregu i bonove të thesarit, qeveria shqiptare u detyrua të reklamojë më mirë mundësinë e investimit te borxhi publik. Ministria e Financave ka ofruar për herë të parë për publikun e gjerë bono thesari në euro, por nuk i ka ofruar ende mundësinë e blerjes së eurobondeve sovrane, të cilat ofrojnë garanci më të lartë juridike se sa bonot e thesarit, kanë afat më të gjatë maturimi dhe interesa prej 7.5 për qind.
Tregu i bonove të thesarit në Shqipëri u deformua që nga dita kur filloi të ekzistojë, njëzet vjet më parë, kryesisht për shkak se qeveritë e ndryshme i përdorën bankat shtetërore si mjete për grumbullimin e depozitave dhe financimin e qeverisë. Kjo skemë krijoi dominimin e tregut të bonove nga dy banka shtetërore. Dominimi thuajse monopol vijoi dhe u zbut ngadalë edhe pas privatizimit të bankave shtetërore.
Vetëm këtë vit dhe e vënë nën vështirësi nga kriza, Ministria e Financave filloi reklamimin e mundësisë për investim te borxhi publik për popullatën e gjerë.
Të dhënat mbi borxhin
* Borxhi i brendshëm është 453 miliardë lekë
* Qeveria paguan mesatarisht mbi 35 miliardë lekë interesa në vit
* Bankat i mbledhin depozitat me 3-4 për qind dhe ia japin qeverisë me interes dyfish
* Qytetarët kanë mundësi të investojnë drejtpërsëdrejti te bonot, duke përfituar interesa dy herë më të larta
* Shqiptarët janë ende jashtë tregut të blerjes së bondeve pesëvjeçare në euro, të emetuara në vitin 2010
* Këto bonde ofrojnë interesa mbi 7.5 për qind në vit
08.08.2012
Burimi: Gazeta Shqip










