Postuar me: 10:13 15-08-2012

Seks i natyrshëm (Burimi: Gazeta Shqip, gazeta-shqip.com)

Me shume rreth femrave ne nje site              Me shume rreth sportit ne nje site Njoftime pune

Nuk është e vërtetë që në shtrat përdorim instinktet tona më kafshërore, madje është krejt e kundërta. Gjatë këtij procesi jemi më njerëzorë se kurrë, aq sa dashuria romantike është një përfytyrim vetëm i yni dhe i asnjë krijese tjetër

Seksi është vërtet gjëja më kafshërore që bëjmë? Po nga pikëpamja riprodhuese përdoren vërtet disa teknika të kota? Asnjëra prej këtyre bindjeve të krijuara nuk është e vërtetë. Nëse në jetën e përditshme nga dallon vetëm gjuha nga kafshët, kur zhvishemi nuk jemi të tillë. “Seksi dhe masturbimi janë procese më se normale për qindra kafshë. Secili ka mënyrën e vet të kryerjes së këtyre proceseve biologjike”, shkruan David Linden, neuroshkencëtar dhe docent në universitetin Hopkins të Baltimorës (SHBA) në sagën e tij “Busulla e kënaqësisë”.

Dopamina

“E vetmja gjë që ndajmë me kafshët në fushën e seksit është se ky proces aktivizon dopaminën (një neurotransmetues) në disa zona të ndërlidhura të trurit të quajtura ‘qendra e kënaqësisë prosencefalike mediale’”, thekson Linden.

Perversitetet njerëzore, ato praktike, që qenit tonë për shembull nuk do t’i dukeshin aspak “të shëndetshme dhe normale”, janë të tjera. I pari është fakti që burrat dhe gratë bëjnë seks në çdo moment të muajit dhe vitit, pavarësisht fazës riprodhuese të femrës. Po ashtu femra e njeriut nuk e tregon me sinjale të qarta kur i vjen faza e riprodhimit, siç bëjnë të gjithë kafshët në përgjithësi. Njerëzve nuk u fryhen organet gjenitale, nuk u skuqen, nuk lëshojnë aromë dhe nuk bëjnë lëvizje të çuditshme.

Monogamia 

“Fakti i dytë, edhe pse për këtë çështje shumë mund të kenë dyshime, jemi monogamë, gjithmonë duke iu përmbajtur një mase të caktuar ‘jemi monogamë të vazhdueshëm’ dhe kjo nuk është një batutë, por përcaktim shkencor çka do të thotë se pjesa më e madhe e grave kanë vetëm një partner gjatë një cikli të ovulimit 28 ditësh”, saktëson Linden. Këtë e vërtetojnë studimet e gjenetikës së popujve, që japin të njëjtin rezultat si në Pekin, Çikago, apo Papua Guinenë e Re: më shumë se 90% e fëmijëve rezulton të jetë bij i burrit ose shokut për një kohë të gjatë të nënës.

Për këtë përcaktim shkencor le t’i pyesim edhe baballarët, të cilët kujdesen shumë për të vegjlit e tyre dhe këtë e bëjnë për vite me radhë. Ashtu si kafshët edhe njeriu kujdeset gjatë për të vegjlit. Pra nuk jemi të vetmit që i përkushtohemi familjes. Sikur kjo të mos mjaftonte, edhe kur bëjmë seks preferojmë të veçohemi nga të tjerët. E njëjta gjë ndodh edhe me kafshët dhe kjo është vërtetë e pakuptueshme. Sipas antropologut Frank Marlowe nga Universiteti i Kembrixhit ky është aspekt i pranishëm në të gjitha shoqëritë njerëzore dhe nuk varet nga normat e veçanta kulturore ose morale.

Fakti i tretë më pervers është dashuria romantike. Këtë e njohim vetëm ne njerëzit dhe e përshkruajmë në të njëjtën mënyrë në të gjitha kulturat (e ka vërtetuar antropologia Helen Fisher nga Universiteti Rutgers, pasi studioi të dhënat e 166 shoqërive të ndryshme): kënaqësi e thellë dhe trullosje, prerje e oreksit, shtrembërim i gjykimit mbi personin e dashur (tiparet e bukura theksohen, ato të shëmtuara nuk vihen më re) dhe botën, fiksim dhe dëshirë seksuale. Nga Tibeti në Venezuelë të gjithë dashurohemi në të njëjtën mënyrë.

Të tronditur    

Në nivel neurologjik, dashuria romantike aktivizon të njëjtat zona të kënaqësisë që nxiten nga seksi… dhe pastaj bën më shumë: përfshin (në një farë kuptimi i trondit) koren prefrontale, polet tëmthore dhe të gjitha zonat e trurit më të zhvilluara, ato që arsyetojnë, kujtojnë, gjykojnë, ruajnë ekuilibrin (fizik dhe mendor). Vetëm fytyra e personit që duam është në gjendje të nxisë kënaqësinë në trurin tonë, edhe pse mund të kenë kaluar 20 vjet nga puthja jonë e parë. Këtë e ka vërtetuar një grup studiuesish njujorkezë të kolegjit “Albert Einstein Medicine”, të udhëhequr nga neurobiologia Lucy Brown.

Ndërlikime të dobishme

Ndodh shpesh që lidhjet e dashurisë na krijojnë shumë probleme dhe na marrin shumë energji. Cila është arsyeja që natyra u jep kaq shumë rëndësi? Në fakt, në nivel zhvillues dashuria romantike na nevojitet shumë, madje janë të rëndësishme edhe ndërlikimet mendore që sjell me vete. Ne kemi nevojë për të gjithë zgjuarsinë tonë, maturinë fiziologjike dhe psikologjike, fillimisht për të zgjedhur pastaj për të qëndruar përkrah një partneri që të na shoqërojë për të rritur “këlyshët e njeriut”. Më e rëndësishmja është se këtë rrugëtim duhet ta bëjmë të gëzuar, sepse në këtë pikë ngjasojmë me kafshët: nëse diçka nuk na kënaq i japim fund. Kjo vlen si specie, në planin zhvillues. Në planin individual secili e di vetë, mund të jetë komplet një histori tjetër.

 

Detaje

Gjitarë të çuditshëm

Seksi mes njerëzve mund të jetë edhe vetëm argëtues, mund të mos ketë lidhje me momentin pjellor të femrës. Veç të tjerash, kur duam dikë, përpiqemi të izolohemi dhe kjo nuk varet nga rregullat kulturore     

 

Krijimi i familjes

Mes “perversiteteve” njerëzore është edhe dashuria romantike: nevojitet për të krijuar dhe mbajtur lidhje, për të siguruar rritjen e të vegjëlve, duhet të zgjasin shumë vite.

15.08.2012

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :


× five = 15

All Rights Reserved