Postuar me: 17:16 12-08-2012

Banka Credins, a do te kete nje efekt domino edhe tek bankat e tjera? (Burimi: Zeri Amerikes, www.zeriamerikes.com)

Me shume rreth femrave ne nje site              Me shume rreth sportit ne nje site Njoftime pune

Në Shqipëri gjykata e Tiranës ka vendosur sekuestron konservative mbi pasuritë e paluajtëshme dhe llogaritë bankare të shoqërisë Armo, e privatizuar tre vjet më parë si dhe mbi pasuritë e paluejtshme të Bankës Credins. Vendimi ka ardhur pas kërkesës së Bankës Ndërkombëtare të Azerbajxhanit, e cila kishte depozituar në atë vit në Bankën shqiptare Credins, një shumë prej 75 milion eurosh me qëllim që t’i investonte në Shqipëri në shoqërinë Armo. Por kjo shumë i kaloi në favor konsorciumit që bleu Armon, pa ju njohur si aksione Bankës azerbajxhanase e cila që nga ajo kohe e deri më tani ka kërkuar pa rezultat, rikthimin e shumës së depozituar në Shqipëri.

 

Një vendim i gjykatës së Tiranës rrezikon të rihapë polemikat mbi një prej privatizimeve më të rëndësishme të viteve të fundit në Shqipëri, atë të Armos, ndërmarrjes së rafinerive të naftës, e cila u shoqërua me hije të forta dyshimi që në fillim. Vendimi i gjykatës së Tiranës, i marrë javën e shkuar por i bërë publik vetëm mbrëmë nga mediat shqiptare, parashikon vendosjen e sekuestros konservative mbi pasuritë e paluejtshme dhe llogarive bankare të Armo-s.

Gjithshka ka ardhur pasi Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit, ka kërkuar që t’i kthehen pas 75 milion euro te depozituara prej saj në Bankën Credins, në nëntor të 2009, me qëllim investimi në privatizimin e Armos, por që kanë përfunduar në favor të konsorciumit që u shpall fitues për blerjen e Armos pa ju njohur asaj si formë aksionesh apo kredie.
Zyrtarisht autoritetet shqiptare njoftuan në atë koëh, se ndërmarrja e rafinerive të naftës iu dha një konsorciumi amerikano-zviceran, Amra. Në të bënin pjesë dy kompani amerikane dhe një tjetër e rregjistruar në Zvicër, e cila kishte shumicën e aksioneve, por që zotërohej nga sipërmarrësi shqiptar Rezart Taci. Pak muaj pasi u shpall fitues, dy kompanitë amerikane u tërhoqën nga konsorciumi i cili kaloi nën kontrollin e plotë të zotit Taci. Ky i fundit duket se arriti të bënte pagesën e blerjes së Armos, në vlerën prej 125 milion euro falë 75 milionëve të ardhur nga Azerbajxhani.

Sipas gjykatës, depozita prej 75 milion eurosh ishte bërë në favor të Bankës Credins. Kur Banka azerbajxhanase kërkoi kthimin pas të shumës, u njoftua se ajo kishte kaluar në favor të  konsorciumit Amra, i cili disa muaj më vonë bëri dhe një pagesë prej vetëm 1.5 milion euro, në favor të saj. Që atëherë Banka azerbajxhanase, paketa kontrolluese e së cilës mbahet nga shteti, nuk ka mundur të marrë më asnjë euro dhe tani pretendon se bashkë me fitimin e munguar, asaj duhet t’i kthehen në total 115 milion euro.

Gjykata e Tiranës e ka cilësuar të drejtë pretendimin e Bankës Azerbajxhanase dhe në pritje të nisjes së një procesi për këtë cështje e deri në përfundim të tij, ka vendosur sekuestron konservative ndaj të gjitha pasurive të paluejtshme dhe llogarive Bankare të shoqërisë Amra si dhe të Armos, të cilat nuk mund të tjetërsohen. Kjo me arsyetimin se Armo ka detyrime në shuma të mëdha edhe ndaj subjekteve të tjera.

Vetëm Albpetroli, ndërmarrja e nxjerrjes dhe shfrytëzimit të naftës, pretendon mbi 36 milion euro që Armo i ka borxh asaj. Ndërkohë, në sekuestro konservative janë vendosur edhe pasuritë e palujtshme të Bankës Credins, duke qenë se kapitali i saj llogaritet në 29 milion euro, pra më e vogël se shuma që banka azerbajxhanase pretendon të rimarrë mbrapsht. Banka do të duhet që brenda dy javëve të ngrejë padi për këtë cështje, në rast të kundërt, sekuestroja bie.

12.08.2012

Burimi: Zeri Amerikes

Rreth Autorit

Komenti Juaj :


− six = 3

All Rights Reserved