Quantcast
Postuar me: 17:11 08-08-2012

Studimet part–time, këtë vit 695 kuota më tepër (Burimi: Balkanweb, www.balkanweb.com)

TIRANE - Këshilli i Ministrave ka miratuar kuotat e pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë për studimet e ciklit të parë me kohë të pjesshme e të edukimit në distancë për vitin akademik 2012 – 2013. Kështu, kuotat e përgjithshme të pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, për studimet e ciklit të parë me kohë të pjesshme e të edukimit në distancë, për vitin akademik 2012-2013, të jenë 10 045.

Sipas tabelës, në programet e studimit të ciklit të parë, me kohë të pjesshme do të pranohen 9165 studentë, ndërkohë që për programet e studimit të ciklit të parë të edukimit në distancë janë planifikuar 40 studentë. Kuotat për transferim studimesh këtë vit janë 200 dhe kuota për shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit 400. Edhe këtë vit, janë lënë disa kuota edhe për kategori të veçanta, si persona që nuk shikojnë (20 studentë të rinj), kuota për romët/ballkano-egjiptianë (20 studentë të rinj), kuota për të përndjekurit politikë (150 studentë të rinj) dhe kuota për shtetasit e huaj (50 studentë të rinj). Kuotat e çdo programi studimi ndahen në raportin 7 me 3. Përkatësisht 70% e tyre, për pranimet e reja, për programe të para studimi të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, dhe 30% për pranimet e reja për programe të dyta studimi të ciklit të parë, me kohë të pjesshme. Krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit janë miratuar 695 kuota më shumë.

Kandidatët nga Republika e Kosovës, Republika e Maqedonisë, Republika e Malit të Zi dhe nga Prefektura e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës aplikojnë direkt në institucionet publike të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë. Rishpërndarja e kuotave të paplotësuara kryhet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, duke marrë parasysh edhe kërkesat e institucioneve publike të arsimit të lartë. Ndërsa, kuotat e pranimeve për personat që nuk shikojnë ndahen, për kandidatët me statusin “Për personat që nuk shikojnë”, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bazë të listës së hartuar nga Shoqata Kombëtare e të Verbërve.

08.08.2012

Burimi: Balkanweb

Rreth Autorit

Komenti Juaj :


6 − one =