Postuar me: 15:50 22-09-2012

Kina dhe Japonia nxjerrin anijet në det (Burimi: Gazeta Shqip, gazeta-shqip.com)

Me shume rreth femrave ne nje site              Me shume rreth sportit ne nje site Njoftime pune

Dy vendet vijojnë të kërcënojnë njëra-tjetrën, duke shkaktuar frikë

japoni kine leshojne anijet ne det lajm-shqipMosmarrëveshja mes Kinës dhe Japonisë mbi përkatësinë e disa ishujve të vegjël dhe të izoluar mori një drejtim të ri gjatë ditës së fundit ku Pekini nxori në det një flotë me anije paraushtarake patrullimi, pasuar nga dërgimi i anijeve të ngjashme nga ana e Japonisë. Kina ka përdorur shpesh anijet e vogla patrulluese në mosmarrëveshjet që ka pasur në lidhje me ishuj të vegjël në detin e jugut të Kinës, duke shmangur përdorimin e anijeve kërcënuese të luftës, raporton “Reuters”.

Ekspertët thonë se prania e anijeve të armatosura lehtë redukton rrezikun e konfliktit, ndërsa të dy vendet kërcënojnë se mund të përdorin edhe anijet e mëdha, në rast se mosmarrëveshja ashpërsohet. Por ekspertët shtojnë gjithashtu se ndryshe nga mosmarrëveshjet e mëparshme të Kinës me Filipinet apo Vietnamin, kjo e fundit ka vënë përballë dy fuqi të rëndësishme detare kundër njëra-tjetrës dhe rreziqet për luftë janë të shumta.

Parashikohet se nëse luftimet fillojnë, konflikti ka pak gjasa të kufizohet në zonën e diskutuar dhe Shtetet e Bashkuara do të duhet të ndërhyjnë në statusin e tyre si aleat i Japonisë. Asistenti i sekretares amerikane të Shtetit, Kurt Campbell, deklaroi pak ditë më parë se ishujt e debatuar “qartësisht” bien nën mbrojtjen e traktatit të vitit 1960, ku sanksionohet se SHBA-ja do të shkojë në ndihmë të Japonisë nëse kjo e fundit sulmohet.

“Unë nuk besoj se të dyja palët kanë për synim të bëjnë luftë mbi këto ishuj, të paktën jo tani”, thotë Sun Yun, një ekspert në Uashington. “Por besoj se situata është më e rrezikshme për shkak se konflikti është shumë i ngarkuar me emocione”.

Situatat e brendshme politike në Japoni, ku priten zgjedhjet parlamentare dhe në Kinë, ku pritet tranzicioni drejt një udhëheqjeje të re, mund ta mbajnë konfliktin të hapur gjatë muajve të ardhshëm.

Ndërsa zhvillimi i flotës detare kineze ka kapur vëmendjen e botës, edhe Japonia ka zhvilluar flotën e saj, por e ka bërë pa rënë shumë në sy. Nëse vjen një konflikt ushtarak, nuk është e qartë nëse Kina është në gjendje të shkatërrojë flotën japoneze, siç është në gjendje të përballet me fqinjët e vet më të dobët. Japonia ka shtatëdhjetë vjet që nuk ka kryer asnjë luftë detare, ndërsa flota kineze është foshnjore në këtë drejtim. Për nga numri i anijeve, Kina disponon flotën e dytë më të madhe në botë pas Shteteve të Bashkuara me mbi 80 anije të mëdha, 53 nëndetëse, 50 anije zbarkuese dhe 86 anije patrullimi me raketa. Kjo është një flotë mikse me teknologji ruse dhe kineze dhe disa nga anijet e saj janë pajisur me raketa moderne kundër anijeve. Por ajo që i mungon kësaj flote është përvoja.

Marina vetëmbrojtëse e Japonisë është shumë më e vogël, me 48 anije të mëdha dhe 16 nëndetëse, por ekspertët thonë se mbetet një forcë e shkëlqyer ushtarake e krahasueshme me fuqitë e tjera detare tradicionale. Japonia ka dy herë më shumë luftanije se sa Britania e Madhe dhe dy herë më shumë nëndetëse se sa Franca. Disa nga anijet e saj janë të pajisura me sisteme amerikane luftimi, ku kombinohen kompjuterët, radarët, satelitët dhe forcat ajrore për të identifikuar dhe goditur shumë objektiva njëherësh. Ekspertët thonë se nëse një konflikt zhvillohet në detin mes Okinavës dhe Kinës, të dyja palët mund të përdorin forcat ajrore, por edhe raketat balistike janë të disponueshme. Pekini disponon rreth 1200 raketa balistike që aktualisht i ka drejtuar kundër Tajvanit. Gjithsesi për momentin të dyja palët po mendojnë se si të tërhiqen nga konflikti dhe jo si ta shkaktojnë atë, thonë ekspertët, duke shtuar se dyshimi është që një përplasje aksidentale mund të shkaktojë një luftë të madhe.

22.09.2012

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :


six − 4 =

All Rights Reserved