Quantcast
Postuar me: 12:24 10-09-2012

Tjetri je ti! (Burimi: Gazeta Shqip, gazeta-shqip.com)

Letër tim biri!

Agim Baçi

agim baci lajm-shqipNdodh shpesh të flasim për shokët e tu. Ndërsa tani ke merakun e miqve të rinj që do të duhet të zësh në shkollën e re. Ke të drejtë të shqetësohesh. Ata me të cilët shkëmbejmë fjalët duhet të jenë të rëndësishëm për ne. Por, i dashur Amar, jo të gjithë mund t’i zgjedhim ata që kemi pranë. As vëllanë që ti e do aq shumë e që e dëshiroje të vinte në këtë jetë nuk e zgjodhe ti. Jeta është e tillë, që na ofron më shumë të tjerë. Kjo është edhe e bukura, ndaj s’duhet të të trembë.

Imagjino nëse do të dërgonim një njeri në pyll, pa njeri tjetër pranë. Atij nuk do t’i hynte në punë as ajo që ka lexuar, as ajo që ka dëgjuar. Nuk i duhet më dituria e as sjellja me të tjerët, pasi do të ndeshet me një tjetër botë, atë të kafshëve, të cilat nuk kanë rregullat tona. Pra, biri im, ajo që dimë dhe ajo që duam të kemi, ka kuptim me të tjerët, merr kuptim përmes asaj që bëjmë me/dhe për të tjerët, sidomos me ata që lidhim përditshmërinë tonë, miqësinë tonë. Ndaj shqetësimi yt për miqtë e rinj është shumë i drejtë, sepse me ta lidhen gëzimet dhe trishtimet tona.

Ti më pyet se çfarë duhet të bësh me një shok që nuk sillet si ty e që kërkon të bësh ndryshe nga ajo që ne të kemi thënë. Kjo nuk është e lehtë as për mua që jam babai yt, sepse ne të gjithë kemi momentet tona kur bëjmë ndryshe disa gjëra nga ajo që na kanë mësuar, nga ajo që duhet të bëjmë. Ndaj gjëra të tilla duhet t’i mendosh gjatë, e kur duhet të vendosësh, duhet edhe të pyesësh ata që mendon se dinë më mirë se ty, më të rriturit, prindërit e tu, mësuesen, gjyshërit. Sepse gjërat ndryshe duhet t’i pranojmë nëse na bëjnë të ndihemi më mirë, ose kur na japin më shumë mundësi për të njohur veten dhe të tjerët. Por asnjëherë, biri im, nuk vlen të bësh diçka kundër asaj që ti je i bindur se është e mirë.

Më pyet se çfarë duhet të bësh teksa sheh një shok që bën gabime? Unë të kërkoj që të guxosh t’ia thuash atij, nëse e ke shok, më parë se kujtdo tjetër. Sepse askënd nuk mund ta braktisim nëse rrëzohet një herë. Por nëse ai tregon se i pëlqen ajo që ti e konsideron gabim, atëherë duhet të kuptosh se nuk është shoku yt dhe se ti duhet të nisësh e të shohësh tutje, tek ata që mendojnë e veprojnë si ty.

Por biri im, do të të qëllojë që të shohësh dikë të bëjë gabime të mëdha ndaj të tjerëve, ndaj pasurisë së të tjerëve, ndaj pronës së përbashkët në shkollë apo në lagje. Shpesh ne nuk mund t’i ndalim thjesht duke u thënë të mos e bëjnë. Por nëse qëndrojmë heshtur dhe bëjmë sikur nuk i kemi parë, do të ndihesh sikur ke marrë pjesë në të tilla gabime. Ndaj duhet të bësh gjithçka për t’i ndalur, qoftë edhe duke i kërkuar shokëve të tu që të mos bëjnë kurrë të tilla gabime e se bashkërisht do të mund t’ia dilni të jeni ndryshe.

…Biri im, bën mirë që shqetësohesh për ata që do të njohësh në shkollën tënde të re. Është e rëndësishme që ata të shohin tek ti një mik. Është e rëndësishme që edhe ti, t’i shohësh ata si një mik. Dhe të guxosh t’ua thuash atë që ndjen. Por do të ishte mirë të guxoje në fillim t’u thoje gjërat e mira, gjërat që të pëlqejnë tek ata. Nëse ke qenë i vërtetë në këtë hap, do të të besojnë, edhe kur do t’u thuash për gabimet e tyre. Por edhe t’u kërkosh që të të thonë gabimet e tua.

Biri im, të uroj të jesh i drejtë me veten dhe me të tjerët në këtë bashkudhëtim miqsh. Dhe të mos heqësh dorë kurrë nga ajo që duhet të bësh për të tjerët, sepse Tjetri je Ti biri im, sepse nëse nuk ke menduar kurrë për dikë tjetër, në fakt nuk ke menduar për veten tende. Sepse ajo që bëjmë për dikë, ka të bëjë me atë çfarë vendos për veten tonë, me atë që na kënaq, me atë që na shqetëson, me atë që na bën të jemi dikushi, ose askushi në jetë.

I dashur Amar, kjo nuk është e lehtë, por është beteja që ia vlen të mos ndalesh kurrë. E nëse e bën këtë hap, do të ndiesh se ke fituar veten tënde, sepse, nëse ke luftuar për të fituar dikë tjetër, nuk do të jesh kurrë vetëm.

10.09.2012

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :


× five = 40

Me shume rreth femrave ne nje site
Me shume rreth sportit ne nje site
Horoskopi Sot     Parashikime Ndeshjesh
All Rights Reserved