Postuar me: 12:24 05-10-2012

Masterat: Afatet dhe dokumentet për regjistrim (Burimi: Gazeta Shqip, gazeta-shqip.com)

Me shume rreth femrave ne nje site              Me shume rreth sportit ne nje site Njoftime pune

Listat shpallen më 20 tetor. Udhëzimi: 5 ditë afat për pranimet e fituesve

studentet ne leksion master lajm-shqipSivjet, ndryshe nga përvojat e viteve të kaluara, Ministria e Arsimit dërgoi në të gjitha universitetet e vendit një urdhër të përshpejtuar, për regjistrimet në programin e studimeve pasuniversitare, master. Kështu, bazuar në këtë shkresë, procesi i parë i regjistrimit ka përfunduar më datë 25 shtator. Dorëzimet e dokumentacionit për aplikim nisën më 10 shtator, dhe u la 15 ditë kohë në dispozicion të të interesuarve. Regjistrimet e kryera brenda këtij afati rezultuan të pasuksesshme për shkak se numri i studentëve që u paraqitën, kryesisht për mungesë informacioni. Për rrjedhojë, dje Ministria e Arsimit ka shtyrë zyrtarisht afatin e regjistrimeve për studimet master shkencor e profesional, duke lëshuar një shkresë zyrtare drejtuar universiteteve në vend.

Bazuar në udhëzimin e këtij institucioni, studentët do të kenë në dispozicion edhe 2 javë të tjera për t’u regjistruar në programin master.

“Aplikimet për regjistrimin në programet e studimit të ciklit të dytë “Master Profesional” dhe “Master Shkencor/Master i Arteve të Bukura”, janë shtyrë edhe për dy javë të tjera, në datat 1-15 tetor. Regjistrimi do të bëhet në sekretaritë mësimore të fakulteteve, nga ora 08.00-16.00. Kandidati duhet të paraqitet personalisht në sekretarinë e fakultetit për të dorëzuar dosjen me dokumentacionin e domosdoshëm”, sqarohet në udhëzimin e MASH. Sipas tij, studenti i interesuar duhet të dorëzojë në sekretari: Fotokopje të noterizuar të diplomës së ciklit të parë të studimeve, shoqëruar me listën origjinale të notave, mjet identifikimi dhe fotokopje të tij, 2 fotografi, mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 2500 lekësh të reja, paguar në postën shqiptare, si edhe deklaratë e studentit që vërteton që nuk ndjek asnjë program tjetër studimi të ciklit të dytë.

Në udhëzimin e firmosur nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, sqarohet se afati i fundit për shpalljen e listës së fituesve nga universitetet do të bëhen në mjediset e jashtme të tyre më datë 20 tetor brenda orës 16.00.

“Regjistrimi i aplikantëve në programet e studimit ku janë shpallur fitues do të zhvillohet deri në datën 25.10. 2012, prej orës 08:00 deri në orën 16:00 pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore të institucioneve publike të arsimit të lartë. Dokumentet e aplikantëve jofitues do t’u kthehen vetëm personave që e kërkojnë atë”, thuhet në udhëzim.

Kuotat

Këshilli i Ministrave ka miratuar rreth 18 mijë kuota për mastera profesionalë dhe shkencorë, që do të shpërndahen në të gjitha universitetet e vendit, për vitin akademik 2012-2013.

Kuotat e pranimeve të reja për programet e studimit “Master Profesional”, do të jenë 9368, nga të cilat 100 janë për programe të dyta studimi, 100 për transferimin e studimeve, 50 për shtetasit e huaj dhe 20 për të verbrit dhe për romët.

Kuotat e pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, për programet e studimeve të ciklit të dytë, “Master i Shkencave”/”Master i Arteve të Bukura”, janë 8276 në total. Kuotat e pranimeve të reja, për programet e studimit master shkencash dhe artesh, për aplikantët brenda territorit të vendit janë 7586, ndërsa për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve 400 të tilla.

 

Dokumentacioni

  • Fotokopje të noterizuar të diplomës së ciklit të parë
  • Lista origjinale e notave
  • Mjet identifikimi dhe fotokopje të tij
  • 2 fotografi
  • Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 2500 lekësh
  • Deklaratë që vërteton se nuk ndjek asnjë program tjetër studimi

05.10.2012

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :


1 × = two

All Rights Reserved