Postuar me: 15:11 23-10-2012

Skema “Mjek farmacist” shet ilaçet sipas firmës jo sipas principit aktiv (Burimi: Gazeta Shqip, gazeta-shqip.com)

Me shume rreth femrave ne nje site              Me shume rreth sportit ne nje site Njoftime pune

shishka lajm-shqipPasi je vizituar në një qendër shëndetësore, poliklinikë apo spital dhe ke diskutuar me mjekun për problemin shëndetësor, largohesh nga dhoma e tij me recetë në dorë.

Në shumicën e rasteve ajo përmban të dhënat, emrin e ilaçit, firmën të cilën të ka sugjeruar specialisti dhe jo principin aktiv. Në fjalë më të thjeshta, mjekët sot të përshkojnë në recetë një medikament që tregtohet nga një firmë e caktuar tregtimi barnash dhe jo emrin klasik të medikamentit të njohur gjerësisht nga popullata. Në këtë mënyrë, përzgjedhja e barit me të cilën do të trajtohet pacienti përzgjidhet nga mjeku dhe jo nga pacienti i cili në rast se ka të shënuar principin aktiv, më pas e zgjedh vetë se çfarë prodhimi do të blejë, shqiptar, bullgar, zviceran apo kinez. Kjo frymë e re me të cilën mjekët plotësojnë recetën ka hyrë gjerësisht këto vitet e fundit dhe sipas krerëve të shëndetësisë, por edhe raportit të fundit të Urdhrit të Farmacistit e gjithë kjo ndodh për shkak të një marrëveshjeje të fshehtë mes mjekëve dhe farmacistëve apo depove farmaceutike.

Skema

Nga vëzhgimet e gazetës “Shqip” rezulton se mjekët e qendrave shëndetësore janë të lidhur ngushtë me farmacistët. Ata shënojnë emrin e ilaçit që sjell një firmë e caktuar në tregun farmaceutik. Vendosin në këtë recetë firmën apo detajet e tyre, emër mbiemër apo edhe vulë dhe bëjnë rekomandimet e tyre për pacientin për t’u drejtuar në farmaci të caktuara.

Më pas pacienti me recetë blen ilaçin sipas rekomandimit të mjekut dhe lë recetën në farmaci. Farmacisti duke grumbulluar recetat bën edhe shpërblimin e mjekut, ose siç njihet në gjuhën e biznesit i jep specialistit përqindjet në bazë të numrit të rekomandimeve që ka bërë në farmaci, për barna të caktuara.

Madje kohët e fundit njësoj si recetat me ilaçe, mjekët kanë nisur të bëjnë sugjerime edhe për diagnostikime, analiza duke referuar qendra private shëndetësore. Pas paraqitjes së pacientit në spitalet apo laboratorët privatë, pacienti merr një kupon që më pas ja jep mjekut. Kjo është edhe evidenca që vërteton rrjedhjen e pacientëve nga publiku në shtet, duke respektuar “marrëveshjen” mes mjekëve të dypunësuar dhe spitaleve duke ndarë mes tyre përfitimet dhe përqindjet, në bazë të kuponëve të dorëzuar nga mjeku që punon në spitalin e shtetit në “arkën” e spitalit privat.

Për të prishur këtë rrjet që përdor këto teknika dhe metoda të reja, pak kohë më parë ish-kreu i Shëndetësisë, Petrit Vasili, lëshoi një urdhër nga i cili kërkonte që recetat të jepen vetëm nga shefi i shërbimit, por kjo nuk rezultoi tepër efikase pasi në oraret e natës apo urgjencave mjekëve u duhet të jepnin menjëherë recetën dhe nuk kishin kohë për të pritur shefin për firmosjen e saj.

Por sipas mjekëve nuk ka një rregull të shkruar apo një urdhër që të udhëzojë mjekët për ta plotësuar recetën me principin aktiv dhe jo me medikamentin tregtar.

“Medikamentin që përshkruhet në recetë mjeku ka të drejtë ta vendosë vetë. Unë shënoj në recetë atë alternativë që mendoj se është më efikase për gjendjen e pacientit duke pasur parasysh përvojën dhe efikasitetin që ka dhënë te të sëmurët”, sqaroi mjeku otorino-laringolog, Besim Boci. Sipas tij, është në kompetencën e mjekut të plotësojë një recetë sipas mendimit dhe përvojës së tij më pas është zgjedhja e pacientit dhe i sëmuri është i lirë për ta blerë atë apo një produkt tjetër të tregut.

Urdhri i Farmacistëve

Marrëveshjen mes mjekut dhe farmacistit e ka konfirmuar dje edhe raporti i fundit i Urdhrit të Farmacistit. Kjo strukturë bazuar në ligjin “Për Urdhrin e Farmacistëve të Shqipërisë” ka kryer mbikëqyrje profesionale në rreth 400 subjekte farmaceutike të disa rajoneve të vendit dhe rezultuan të ketë në të paktën 10 për qind të rasteve shkelje të rënda të legjislacionit.

“Në shumë raste farmacistët u ankuan për lidhje të paligjshme mjek, farmacist me qëllim përfitimi, duke dëmtuar ushtrimin normal të profesionit, etikën deontologjike, por edhe duke konkurruar në mënyrë të pandershme”, thuhet në raport. Sipas Urdhrit të Farmacistëve janë evidentuar edhe raste të mjekëve të papërgjegjshëm të punësuar në qendrat shëndetësore, të cilët tregtonin barna jashtë çdo rregulli.

23.10.2012

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :


2 × one =

All Rights Reserved