Postuar me: 13:10 26-01-2013

Kandida: Zhvillimi i saj nis që te mënyra e ushqyerjes (Burimi: Gazeta Shqip, gazeta-shqip.com)

Me shume rreth femrave ne nje site              Me shume rreth sportit ne nje site Njoftime pune

Shpeshherë Kandida shkaktohet nga një ndryshim i mikroflorës bakteriale të zorrëve. Për të rivendosur ekuilibrin e mëparshëm mund të ndihmohemi nga ushqimet dhe suplementet e veçanta

candida lajm-shqipStresi, çrregullimet emocionale dhe lodhja janë shoqëruesit tanë gjatë një dite pune. Në përpjekje për t’u bërë ballë, konsumojmë ndonjë ëmbëlsirë, sepse na duket sikur vetëm kështu mund të qetësohemi. Por gabimi nis pikërisht që këtu: sasia e lartë e sheqernave, duke iu bashkangjitur një ushqyerjeje pak ose aspak të ekuilibruar, mund të ndikojë apo të ndryshojë mikroflorën bakteriale të zorrëve. Duke gjetur terren të përshtatshëm, Kandida nuk humbet kohë për t’u zhvilluar.

Siç dihet, Kandida është shkaku kryesor i inflamacioneve vaginale. Të paktën 75% e femrave (në mosha të ndryshme) janë prekur një herë në jetë prej këtij infeksioni, por jo të gjitha e dinë se origjina e problemit duhet kërkuar te zorrët. Disa prej shenjave më të zakonshme të Kandidas janë: dhimbje, kruarje, djegie, acarim, ndjenjë bezdie, por edhe kolit, fryrje barku etj. Megjithatë ka kura natyrale që ndihmojnë për rivendosjen dhe mbajtjen e ekuilibrit mes mikroflorës bakteriale të zorrëve dhe asaj vaginale, duke kuruar dhe parandaluar infeksionet e ndryshme.

Shkaqet e ndryshimit të florës bakteriale

Përveç ushqyerjes së çekuilibruar, faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në ndryshimin e mikroflorës së zorrëve janë infeksionet, përdorimi i ilaçeve, vaksinat, sëmundjet e rënda, alergjitë, intolerancat ushqimore, shtatzënitë, menopauza, stresi. Shtimi i mikrobeve patogjene në zorrë mund të shkaktojë dobësimin e sistemit imunitar dhe ndryshim të pehashit (pH) të organizmit, e si pasojë infeksioni mund të përhapet lehtësisht edhe në rrugët urinare. Kur ndryshon aciditeti normal vaginal, mikroflora bakteriale nuk është më në gjendje të zhvillohet dhe të kryejë funksionet mbrojtëse kundër mikrobeve patogjene.

Si mund të rivendoset ekuilibri i duhur?

Aleati i parë i shëndetit tonë është mënyra e shëndetshme e jetesës, duke filluar si gjithmonë nga ushqimi, e duke u mbështetur edhe nga suplementet e veçanta. Për sa u përket ilaçeve, mund të jetë e nevojshme pakësimi i një spektri të gjerë antibiotikësh (për shembull te subjektet që mund të jenë të prirur të zhvillojnë Kandidan) dhe gjatë terapive zorrët të mbrohen duke përdorur fermente laktike. Në lidhje me higjienën intime është mirë të përdoren produkte me pH acid, të shmangen tamponët dhe pecetat ditore, veshjet e ngushta dhe sintetike. Për trajtimin e këtij problemi, përveç barnave antimykotikë (ovula vaginale, kremra ose xhel) mund të merren edhe fermente laktike nga goja, në mënyrë që të rivendoset ekuilibri i mikroflorës bakteriale të zorrëve.

Këshillat lidhur me ushqimin

Siç u përmend edhe më lart, mënyra e jetesës ndikon drejtpërsëdrejti në prishjen e ekuilibrave të vendosur. Terapia e Kandidas është shumë e ndërlikuar dhe kërkon kujdes të veçantë. Kurimi me mjekime popullore mund të jetë efikas, por jo i mjaftueshëm. Vetëm duke vepruar mbi parametra të ndryshëm dhe duke u “armatosur” me durim mund të mundësh atë që me të drejtë konsiderohet një prej infeksioneve më të përhapura, më të bezdisshme dhe më të vështira për t’u zhdukur. Shpeshherë duhen muaj të tërë që organizmi dhe të gjitha organet e përfshira të funksionojnë ashtu siç duhet, dhe sistemi imunitar ta mposhtë Kandidan. Prandaj për të parandaluar çdo lloj rreziku, duhen konsumuar me shumicë zarzavate të gjalla dhe të ziera, fruta të freskëta të stinës (përveç fikut dhe bananes që janë shumë të ëmbla), drithëra integrale, bishtajore, peshk, mish dhe veçanërisht mish i bardhë. Nuk duhen konsumuar domatet, çokollatat, erëzat, pijet e gazuara, lëngjet e konservuara të frutave, verë, birrë dhe pije të tjera alkoolike. Ndërsa për sa i përket bukës, picave, brioshit, makaronave, patateve, ëmbëlsirave, produkteve të konservuara, kafesë, çajit, qumështit, është mirë të mos e teproni me to. Sa më të kujdesshëm të tregoheni, aq më mirë do të jetë.

26.01.2013

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :


one × 3 =

All Rights Reserved