Postuar me: 21:20 27-02-2013

Vëllai i Frrokut: I telefonova në sy të policëve pas vrasjes, ndodhej në Korçe. (Burimi: Gazeta Panorama, www.panorama.com.al)

Me shume rreth femrave ne nje site              Me shume rreth sportit ne nje site Njoftime pune

arben-frroku-grand-frroku-dhe-makina-e-vjedhur lajm-shqipVëllai i të akuzuarit: “Telefonova Benin në sy të policëve, ishte në Korçë”

Mark Frroku tregon alibinë: Vëllai im doli nga puna në 17:27. Itinerari i gjithë ditës.

Djali i biznesmenit: Ikja e babait në Greqi u keqpërdor.

Prokuroria: Lamaj dhe Frroku kanë histori personale.

Familja e biznesmenit Arben Frroku pretendon se ka alibi për të rrëzuar dyshimet e policisë në lidhje me implikimin e biznesmenit në vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Mark Frroku, vëllai i sipërmarrësit 44-vjeçar, që u arrestua të hënën në Selanik, tregoi dje se ka dy video që provojnë vendndodhjen e Arben Frrokut ditën e ngjarjes, me datë dhe orë. Ai tha se ka edhe një telefonatë rreth orës 20:00-20:30, që ai ka bërë me të vëllanë, në prezencë të punonjësve të Policisë kur po ushtronin kontroll në banesën e tij dhe në atë moment Frroku ndodhej në Korçë. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Mark Frroku, vëllai i biznesmenit të dyshuar nga Policia për ekzekutimin e kryekomisarit Lamaj, e quan thjesht koincidencë udhët-imin e Arben Frrokut drejt Greqisë ditën e ngjarjes.
Ku ndodheshit në kohën kur u vra kryekomisari Dritan Lamaj?
Kam qenë në shtëpi kur e mora vesh çfarë kishte ndodhur, normalisht duke parë televizor. Te “News 24” e kisha televizorin kur po e jepte lajmin me titra.
Ku banoni?
Tek Unaza e Re e kam shtëpinë. Jetoj me prindërit, nusen dhe fëmijët.
Kur e keni takuar Arbenin për herë të fundit?
Atë ditë jemi ndarë në orën 17:00. Kam qenë bashkë me të duke parë ndeshjen Tërbuni-Kamza, në stadiumin e Laçit. Sa mbaroi ndeshja jemi nisur drejt Tiranës, secili me makinën e vet, njëri pas tjetrit dhe jemi ndarë te Rrethrrotullimi i Doganës. Kaq ka qenë ora, afërsisht 17:00.
Ku shkuat pasi u ndatë?
Unë vazhdova drejt për nga Rruga e Durrësit, sepse kisha takim te zyra e Partisë Demokristiane, ku jam sekretar. Zyrat ndodhen në afërsi të Bllokut të Ambasadave. Ndërsa vëllai, Arbeni, udhëtoi përgjatë Unazës së Re, sepse do të shkonte te zyrat e kompanisë, te AML, te ish-Kombinati “Misto Mame”. Ka dalë nga aty rreth orës 17:27 dhe është nisur direkt për në Greqi.
A mund t’i dokumentoni lëvizjet dhe oraret që përmendët më lart?
Pa diskutim që po. Kam video për të dyja rastet. Edhe kur ishim duke parë ndeshjen në stadiumin e Laçit, por edhe kur Arbeni ka dalë nga AML. Aty kishte kamera sigurie dhe kanë filmuar gjithçka, të gjitha hyrje-daljet e asaj dite. Dhe në video shënon ora fiks 17:27, që është momenti kur ai ka dalë nga zyrat.
Kur keni komunikuar me Arbenin për herë të fundit?
Në kohën kur ai ishte nisur për në Selanik, në Greqi. Kam folur në telefon, madje në prezencë të policisë.
Pse, ku ndodheshit në atë kohë që ishte prezente dhe policia?
Pas disa takimeve partiake që zhvillova në zyrë, pasi u ndava nga Arbeni, unë shkova në shtëpi. Siç ju thashë, po shihja lajmet në televizor ku edhe mësova që kishin vrarë kryekomisarin Dritan Lamaj. Pa kaluar as 20 minuta, erdhi policia për kontroll. Gjatë kohës që ata ushtronin kontroll në banesë, ku nuk gjetën asgjë, më pyetën edhe për Arbenin.
Ju treguan se për çfarë po kontrollonin shtëpinë?
Jo, asgjë konkrete, gjithçka në ajër, nuk merreshin vesh. Vetëm më pyetën për Arbenin. Më pyeti njëri nga ata shefat, nuk ia mbaj mend emrin.
Po çfarë ju thanë?
“Ku është vëllai yt?”, më thanë. U thashë që i kemi shtëpitë të ndara. Pse nuk shkoni të pyesni te shtëpia e tij. Më thanë që do shkonin, por edhe që ta merrja në telefon.
I telefonuat?
Po i telefonova, ndaj ju thashë më lart se fola me të në prezencë të policisë, sepse ndodheshin aty në shtëpinë time dhe e dëgjuan edhe ata bisedën që pata me të. Ky ishte edhe komunikimi i fundit që kam pasur me Arbenin atë ditë.
Çfarë ju tha Arbeni? Ju tregoi se ku ndodhej?
Më tha që në atë kohë ishte në Korçë duke ikur për në Selanik. Nuk jam shumë i sigurt për orën. Mund të ketë qenë diku 20:00-20:30. I tregova që në shtëpinë time kishin ardhur forcat e policisë dhe donin të komunikonin me të. “Kur të kthehem do jap sqarime”, me tha dhe nuk bisedova më gjatë me të.
Po pse shkonte në Selanik vëllai juaj Arbeni?
Kemi një të afërmin tonë në burg atje. Ai kishte marrë disa ditë leje nga burgu dhe dje (pardje) në darkë i skadonte leja dhe duhej të kthehej në burg. Arbeni e kishte me nxitim që të shkonte. Normalisht, duke qenë se është aksioner i ekipit të Tërbunit të Pukës, nuk e linte dot ndeshjen pa parë dhe pati edhe pak vonesë, sepse do të nisej më herët. Sa mbaroi dy punë në zyrë dhe u nis direkt. Madje, valixhet i kishte bërë gati që në mëngjes dhe i kishte në makinë.
Me kë udhëtoi drejt Selanikut?
Me djalin e dajës, Jak Jakun, me të cilin edhe e arrestuan në Selanik.
Me çfarë makinë kishin udhëtuar deri atje?
Me atë që u gjet para hotelit. “Mercedez GL”, me ngjyrë të bardhë.
Në fakt, udhëtimi drejt Greqisë ka qenë një nga arsyet pse vëllai juaj është arrestuar si i dyshuar për vrasjen e Lamajt…
Po, ishte një koincidencë që policia tani po e përdor pa asnjë provë të logjikshme kundër vëllait tim. Por, nuk do të thotë asgjë. Nuk ka asnjë logjikë. Pastaj, siç ju thashë, kemi video dhe prova për çdo lëvizje të Arbenit.
Por, nga kallëzimet që Dritan Lamaj ka bërë në Prokurori ka thënë se është kërcënuar?
Nga Arben Frroku nuk është kërcënuar kurrë. Vëllai im ka bërë vetë kallëzim, aty i ka Prokuroria. T’i hapë, t’i analizojë mirë, edhe pse duhej t’i analizonte me kohë. Sepse nuk ishte vetëm vëllai im që denoncoi publikisht shkeljet që bëheshin ndaj bizneseve nga Komisariati Nr.6 dhe Dritan Lamaj. Ishin shumë njerëz, jo vetëm biznesmenë, por edhe nga shoqëria civile. Pse pikërisht duhej të arrestonin Arbenin? Apo sepse koincidoi që pikërisht atë ditë Arbeni iku në Greqi? Po nuk është provë kjo.
Çfarë problemesh pati ish-shefi i Komisariatit Nr.6 me vëllain tuaj?
Problemet nisën që Ditën e Verës, vitin e kaluar. Një postbllok i Komisariatit Nr.6 në “Misto Mame” i bëri thirrje vëllait tim që të ndalonte se do t’i bënin kontroll mjeti. I kërkuan dokumentet dhe ai ua dha pa asnjë kundërshtim, pa asnjë problem. Më vonë e komentuan sikur kishte kundërshtuar dhe nuk i ishte bindur urdhrit të Policisë. Gjë kjo që nuk ishte e vërtetë dhe u vërtetua shumë shpejt. Që këtu filloi problemi.

27.02.2013

Burimi: Gazeta Panorama

Rreth Autorit

Komenti Juaj :


9 × = nine

All Rights Reserved