Postuar me: 10:37 13-08-2013

Tatimi mbi të ardhurat, çfarë përjashtohet nga taksimi 10% (Burimi: Panorama, www.panorama.com.al)

Me shume rreth femrave ne nje site              Me shume rreth sportit ne nje site Njoftime pune

Tatimi mbi të ardhurat, çfarë përjashtohet nga taksimi 10%Paratë që çdo qytetar përfiton si të ardhura nga një aktivitet i caktuar, do vazhdojnë të taksohen 10 për qind, me përjashtim të disa rasteve që Ministria e Financave përcakton të kundërtën. Në një udhëzim të fundit të ministrit të Financave, Ridvan Bode, ku “korrigjohet” udhëzimi ekzistues “Për tatimin mbi të ardhurat”, përcaktohen edhe 10 pika që mbeten jashtë taksimit. Nevoja për të caktuar saktë këto përjashtime, vjen në një kohë kur janë një sërë procesesh në vijim si dëmshpërblim i disa kategorive, shpronësime për interes publik.

Po kështu, një tjetër ndryshim që kërkonte pasqyrim në udhëzimin e ri, është edhe ai i nismës që ndërmori qeveria për të hequr detyrimin e tatimit mbi të ardhurat për pagat deri në 30 mijë lekë të vjetër. Saktësimi më i mirë i kësaj bëhet edhe në një kohë kur për të dytin vit është plotësuar edhe formulari i deklarimit të të ardhurave personale për individët. Por cilat janë në fakt të ardhurat që përjashtohen nga detyrimi i pagesës së tatimit 10 për qind?

PËRJASHTIMET
Në listën që Ministria e Financave ka hartuar për përjashtimet e të ardhurave mbi të cilat nuk aplikohet taksa 10 për qind, bëjnë pjesë paratë që përfitohen nga pensioni, ndihma ekonomike apo edhe bursat e studentëve. Sa u përket shpërblimeve, udhëzimi përjashton nga taksimi shpërblimet në punë dhe ato që përfitohen në raste fatkeqësish, nëse ai nuk është më i madh se 20 për qind e të ardhurave vjetore të përfituesit.

Po kështu, nga taksimi përjashtohen edhe të ardhurat që vijnë si efekt i shpronësimeve të pronarëve, por detyrimi i këtyre të fundit është që këtë ta vërtetojnë me dokumentacion ligjor. Kategori të tjera, siç janë ish-pronarët apo të përndjekurit politikë që përftojnë dëmshpërblim sipas legjislacionit në fuqi, nuk do t’u mbahet tatim 10 për qind. Kategoria e punëdhënësve nuk do të paguajë për pjesën që shkojnë si kontribut shoqëror për personat që ka punësuar, ndërkohë që edhe shpërblimet që merren me vendim gjykate, nuk do të taksohen.

TË ARDHURAT QË PËRJASHTOHEN NGA TAKSA 10 PËR QIND

1. Të ardhurat e përfituara si rezultat i sigurimit në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe ndihmat ekonomike për familjet dhe individët pa të ardhura apo me të ardhura të ulëta sipas përcaktimeve në legjislacionin përkatës;
2. Bursat e nxënësve dhe studentëve
3. Shpërblimet e marra për rastet e sëmundjeve apo fatkeqësive. Këtu përfshihen shpërblimet e dhëna nga punëdhënësi të punësuarve për raste sëmundjesh apo fatkeqësish, por masa e shpërblimit që përjashtohet nga tatimi, nuk duhet të kalojë 20% të të ardhurave vjetore nga punësimi të punonjësit përfitues të shpërblimit;
4. Të ardhurat e përfituara, përfshirë të ardhurat në formë monetare apo në natyrë, nga pronarët si shpërblim për shpronësimet që i bëhen nga shteti për interesa publikë.
5. Të ardhurat që përjashtohen në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare.
6. Të ardhurat e përfituara si rezultat i kompensimit financiar për ish-pronarët dhe ish-të dënuarit politikë;
7. Kontributet e bëra nga punëdhënësi për sigurimin e jetës dhe të shëndetit të punëmarrësve;
8. Përfitimet për dëmshpërblime, të marra nëpërmjet vendimeve të formës së prerë të gjykatave, si dhe kompensimet e caktuara për kostot gjyqësore.
9. Të ardhurat e përfituara nga institucionet shtetërore për arritjet në shkencë, sport, kulturë;
10. Të ardhurat që një fermer i regjistruar përfiton nga shitja e tokës bujqësore te një fermer apo person fizik a juridik që kryen aktivitet bujqësor.

13.08.2013

Burimi: Panorama

Rreth Autorit

Komenti Juaj :


× 1 = nine

All Rights Reserved