Postuar me: 16:09 28-11-2013

Tatimet e reja, sa do të paguajnë bizneset me xhiro mbi 5 mln lek (Burimi: Shqiptarja.com, www.shqiptarja.com)

Me shume rreth femrave ne nje site              Me shume rreth sportit ne nje site Njoftime pune

tatimetTatimet e reja, sa do të paguajnë bizneset me xhiro mbi 5 mln lek

TIRANE- Ministria e Financave ka pothuajse gati projektin për tatimin mbi të ardhurat personale, që do të jetë progresiv, sipas angazhimit që para zgjedhjeve nga ana e qeverisë Rama, ndërkohë që edhe tatim fitimi për ndërmarrjet pritet të bëhet jo me nivel të sheshtë, siç është aktualisht, por në dy nivele, 15% për biznesin që ka më shumë se 5 milionë lekë xhiro në vit dhe 7.5% për biznesin e vogël me xhiro nga 2-5 milionë lekë. Po kështu, ndryshojnë në rritje taksat për karburantin, ndërkohë që hiqet fare Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për shërbimet shëndetësore dhe ilaçet.

Tatimi mbi të ardhurat
Nga pjesëtarë të grupeve të punës që po hartojnë projektligjin në fjalë, që duhet të amendojë atë të taksave dhe tatimeve, mësohet se, sipas projektit, personat që kanë të ardhura deri në 300 mijë lekë (të reja), ose më shumë në muaj, do të paguajnë tatim mbi të ardhurat në masën 25%, nga 10% që është aktualisht (taksa e sheshtë). Kjo është shkalla më e lartë e taksimit, sipas projektit që po punohet nga Ministria e Financave, në kuadër të kalimit të pritshtëm nga taksa e sheshtë tek taksa progresive, premtim i Partisë Socialiste që para se të arrinte të fitonte zgjedhjet parlamentare të qershorit 2013.
Sipas burimeve nga dikasteri që drejtohet nga Shkëlqim Cani, hartuesit e paketës së re fiskale, që do të prezantohet së bashku me projektbuxhetin e ri për vitin e ardhshëm, pritet të bëjnë ndryshimet më masive të kryera deri tani ndonjëherë në sistemin fiskal.

Shkallët
Taksa progresive për tatimin mbi të ardhurat personale, po diskutohet që të ketë ose tre ose katër shkallë. Ato fillojnë nga  0-10 për nivelin më të ulët, për të kaluar në 10-15, 15-20 dhe 20-25%. Pagat deri në 30.000 lekë nuk do të taksohen me tatim fitimi, pra niveli i këtij tatimi për to do të jetë zero. Më pas, një masë e madhe pagash do të jenë ato që do të përfshihen në zonën deri në 10%, pra për to nuk ndryshon asgjë nga taksa e deritanishme e sheshtë.
Nga të dhënat paraprake të Financave, ka vetëm 7.000-8.000 individë që deklarojnë të ardhura 300 mijë lekë apo më shumë në muaj në Shqipëri. Ndërkohë që rreth 95% e individëve, sipas projektit, pritet që të kenë një rritje të lehtë të tatimit mbi të ardhurat. Duke filluar nga niveli i të ardhurave mujore mbi 150 mijë lekë, të cilët favorizoheshin deri tani me taksën e sheshtë prej 10 përqindësh, do të fillojnë të paguajnë më shumë taksa se më parë.

Tatimi mbi bizneset
Ndryshim tjetër i rëndësishëm në sistemin fiskal është ai, që ka të bëjë me tatim fitimine për biznesi. Deri tani, ky tatim është i sheshtë për të gjithë: 10 për qind. Sipas burimeve nga Financat, ky tatim nga viti i ardhshëm pritet të bëhet me dy nivele taksimi: 15% për biznesin që realizon më shumë se 5 milionë lekë xhiro në vit dhe 7.5% për biznesin e vogël me xhiro nga 2-5 milionë lekë. Më poshtë se ky nivel, që janë praktikisht vetëm ambulantët, do të paguajnë taksa bashkie.

Lidhur me këtë masë, pritet të ketë ndonjë rezervë nga ana e biznesit. Kjo, pasi nga biznesi me xhiro më të lartë u mirëprit taksa e sheshtë e vendosur nga qeveria Berisha, ndërkohë që në këtë mënyrë të re niveli i taksimit për shumicën e bizneseve të mesme në vend rritet, duke bërë që pagesa për tatimin të zmadhohet 50 për qind ndaj asaj, çka paguanin deri tani.
Ndërkohë, biznesi i vogël do të ketë taksim në një nivel më të ulët se më parë, nga 10 në 7.5 për qind, duke përfituar nga kjo masë e qeverisë Rama.

Karburantet
Taksa e ndotjes për karburantet pritet të rritet nga 7 lekë për litër në 14 lekë për litër, pra kemi një dyfishim, nisur dukshëm nga përpjekjet për të siguruar një mbrojtje të mjedisit nga ndotja. Por kjo do të rëndojë edhe më tej mbi çmimin që paguajnë shqiptarët për të furnizuar me naftë e benzinë makinat e tyre. Në rast se tani çmimi i një litri karburant nuk e ka kaluar 200-lekëshin, tani e tutje një nivel i tillë do të tejkalohet. Rritja e taksës në përqindje është në këtë rast 100 për qind.
Ndërkohë, nga grupi po punohet në dy variante për taksën e automjeteve, që në thelb kanë supertaksimin e makinave të vjetra, në favor të hyrjes në vend të automjeteve me kilometrazh zero.

Shëndetësia
Ndryshime të tjera për të cilat po punohet në paketë është heqja e TVSH-së për shëndetësinë, që aktualisht është 10%. Me nismë të qeverisë Berisha, ilaçet dhe shërbimet shëndetësore u taksuan për herë të parë me TVSH, në një nivel prej 10 përqindësh. Opozita e atëhershme bëri rezistencë të fuqishme, duke qenë se u rrit realisht kostoja për qytetarët, si në shërbime spitalore, ashtu edhe për ilaçet, që rëndonte sidomos për ata që përdorin ilaçe vazhdimisht për sëmundje kronike.
Gjithsesi, detajet e mëtejshme të paketës fiskale pritet të bëhen të ditura në takimin e të hënës së grupit të punës për këtë paketë.

28.11.2013

Burimi: Shqiptarja.com

Rreth Autorit

All Rights Reserved