Postuar me: 23:20 28-12-2013

Kuvendi miraton projektbuxhetin për vitin 2014 dhe paketën fiskale (Burimi: LSI, www.lsi.al)

Me shume rreth femrave ne nje site              Me shume rreth sportit ne nje site Njoftime pune

Kuvendi miraton projektbuxhetin për vitin 2014 dhe paketën fiskaleKuvendi miraton projektbuxhetin për vitin 2014 dhe paketën fiskale.

Nën drejtimin e Kryetarit z. Ilir Meta,  Kuvendi u mblodh sot në seancë plenare dhe miratoi projektligjin “Për buxhetin e vitit 2014” dhe paktën e ligjeve financiare të lidhura me të.

Deputetët diskutuan nen për nen për të gjitha projektligjet e paketës fiskale dhe amendamentet përkatëse të paraqitura nga grupet dhe komisionet parlamentare. Vetëm Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kishte depozituar 39 amendamente për secilin nga projektligjet e paketës fiskale, si dhe për projektbuxhetin për vitin 2014.

Gjatë diskutimit të amendamentit të paraqitur nga Grupi Parlamentar i Lëvizja Socialiste për Integrim për mbajtjen e tatimit mbi të ardhurat në nivelin 10% për biznesin fason, kryetari i këtij grupi, z. Petrit Vasili tha se deputetët e këtij grupi janë angazhuar në një dialog intensiv me përfaqësues të qeverisë dhe përfaqësues të biznesit fason. Sipas z. Vasili është rënë dakord që ky amendament të mos i nënshtrohet procedurës së votimit, meqenëse qeveria ka dhënë garanci për një shqyrtim serioz dhe shterues të të gjithë problematikës komplekse me të cilën përballet biznesi fason.

“Qeveria, pas një diskutimi dhe negocimi të gjatë, dha të gjitha garancitë e saj për një impenjim të plotë dhe për një trajtim të një pakete integrale të çështjes së biznesit fason, paketë e cila do të përgatitet pas një konsultimi intensiv me përfaqësuesit e biznesit për të shqyrtuar problematikat specifike, duke nisur nga barra fiskale, por dhe nga elementë që kanë të bëjnë me subvencionet e çështje të tjera”, tha Vasili.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, vuri në dukje se në këto kushte është gjykuar e domosdoshme që të mbahet pezull ky amendament, pasi ndërhyrja nëpërmjet nje pakete integrale, garanton transformimin e biznesit fason në një bizens të shëndetshëm, kompetitiv dhe me mundësi të ecë përpara.

Nga ana e tij, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Arben Ahmetaj dhe garanci se paketa integrale për biznesin fason do të jetë gati për t’u paraqitur në Kuvend brenda pranverës.

“Brenda pranverës do të avancojmë me një paketë të plotë masash fiskale, adminstrative, procedurale për të mbështetur jo vetëm industrinë e fasonit, por dhe gjithë industritë mbështetëse të saj”, tha z. Ahmetaj.

Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike, z. Sali Berisha deklaroi se Grupi Parlamentar i kësaj partie, që kishte mbështetur amendamentin në fjalë, nuk do të ndryshonte qëndrim.

“Opozita e kishte të gatshëm amendamentin dhe meqenëse ju avancuat ne u bashkëngjitëm pa asnjë kompleks, me interesin më të mirë të atyre bizneseve. Grupi i deputetëve të PD e mbështeti publikisht. Ne nuk paraqitem amendamentin tonë sepse mbështetem tuajat, tani duhet të mbrojmë propozimin tonë,” u shpreh z. Berisha.

Pas debatit nen për nen që përfshiu përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare, si dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, Kuvendi miratoi edhe në tërësi projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”; projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”; projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”; projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”; projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”; projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.7928, datë 27.4.1995, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar”; projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr.7811, datë 12.4.1994, “Për miratimin me ndryshime të dekretit nr.782, datë 22.2.1994, “Për sistemin fiskal në sektorin e hidrokarbureve (kërkim-prodhim)”, si dhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Po sot, Kuvendi diskutoi nen për nen edhe projektligjin “Për buxhetin e vitit 2014”, ku u diskutuan amendamentet e paraqitura për nenet dhe anekset përkatëse të këtij projektligji.

Në fjalën e tij, Kryeministri z. Edi Rama theksoi se projektbuxheti i hartuar nga qeveria për vitin 2014 garanton ndalimin e rrënimit të vendit dhe i hap rrugën rimëkëmbjes së ekonomisë kombëtare. Duke përgëzuar opozitën për punën e bërë me amendamentet, z. Rama theksoi se është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi me opozitën për realizimin e programit qeverisës. Kryeministri u ndal gjatë në çështjen e legalizimit të ndërtimeve pa leje. Sipas z. Rama qeveria është e vendosur që ta përfundojë këtë proces, por duke pasur parasysh katrahurën e viteve të kaluara dhe faktin që ky proces është ngushtësisht i lidhur edhe me çështjen e pronës në Shqipëri, nevojitet më shumë kohë.

“Jemi shumë të qartë për atë që kemi premtuar lidhur me legalizimet, lidhur me shëndetësinë falas, etj.,” tha z. Rama.

Në përfundim të debatit, Kuvendi miratoi nen për nen dhe në tërësi edhe projektligjin “Për buxhetin e vitit 2014”. Ky projektligj dhe paketa e re fiskale hyjnë në fuqi menjëherë.

Seanca vijoi punimet me miratimin e projektvendimit “Për disa shtesa në vendimin nr.48/2013 “Për caktimin e përbërjes së Komisioneve të Përhershme të Kuvendit” të ndryshuar. Sipas këtij vendimi deputeti Luan Duzha caktohet anëtar në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, deputetja Kejdi Mehmetaj caktohet anëtare në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, ndërsa deputetet Silva Caka dhe Miranda Rira caktohen anëtare në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Një tjetër projektvendim që u miratua sot në seancë plenare ishte ai “Për përcaktimin e masës së përfitimit financiar mujor për shërbimin e transportit të deputetëve”.

Seanca i mbylli punimet rreth ores 18:50.

 28.12.2013

Burimi: LSI

Rreth Autorit

Komenti Juaj :


eight + 6 =

All Rights Reserved