Postuar me: 11:39 28-02-2014

Berisha kërcënon qeverinë: E rrëzoj me 5 mijë vetë (Burimi: Shekulli.com, www.shekulli.com.al)

Me shume rreth femrave ne nje site              Me shume rreth sportit ne nje site Njoftime pune

Berisha kërcënonBerisha kërcënon qeverinë: E rrëzoj me 5 mijë vetë 

Debat i ashpër, replika dhe akuza të forta mes palëve kanë qenë kryefjala e seancës së djeshme plenare. Pas një mbledhje me dyer të mbyllura, demokratët dhe aleatët e tyre vendosën të mos bojkotojnë Kuvendin, por të protestojnë brenda tij. Me tone te larta, por dhe herë pas here duke u rënë tavolinave, ligjvënësit e Partisë Demokratike kërkuan rikthimin e ligjshmërisë në Kuvend duke akuzuar mazhorancën se ka shkelur ligjin dhe Kushtetutën, ndërsa përdorën si argument dhe protestën e të larguarve nga puna. Ish-kryeministri Sali Berisha shkoi më tej duke paralajmëruar destabilizim të vendit.

Paralajmërimi i Berishës “Kërkoj të hiqni dorë nga marrja e pushteteve, kërcënimet e drejtuesve të institucioneve në mënyrat më mafioze. Në rast të kundërt, ju pastaj do të na detyroni, të shkojmë atje ku nuk kemi dashur. E merrni thjeshtë, por e keni gabim. Keni përgatitur kushtet për një destabilizim të atillë, që nuk ua merr mendja”, – deklaroi ish-kreu i Qeverisë nga foltorja e Kuvendit.     Ai përdori si shembull për këtë protestuesit para Kuvendit. “Çdo e bëni ju me pushtetin tuaj? Ai sovran që është aty, ai në protestë, ai Sovran që ishte në protestën e 20 shkurtit e bën pluhur pushtetin tuaj. Ju që ndërseni policë si langonj ndaj qytetarëve duke u vënë gjoba. A e kuptoni ju, që kështu rrisni urrejtjen e shqiptarëve?

A e dini ju, që ky zotëri dërgon sekserët e tij për të kompromentuar zyrtarët e shtetit? Ky regjim po humbet legjitimitetin me një shpejtësi të rrufeshme.”- tha Berisha. Ndërsa Jozefina Topalli doli sërish në mbrojtje të    ish-drejtueses të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Zana Xhuka. Sipas Topallit, është shkelur ligji, Kushtetuta dhe po dhunohen institucionet. Ajo akuzoi Metën si përgjegjësin direkt për këto shkelje, por sulmoi edhe kryeministrin Edi Rama. “Ti je kryeministri më i pafytyrë që mund të ekzistojë. Dil dhe fol përballë, bëhu trim dhe mos belbëzo aty mbrapa duke fyer dhe duke belbëzuar”,- tha Topalli.

E ndërsa kryeparlamentari, Ilir Meta ironizoi me qëndrimet e opozitës në seancë. “Unë e kuptoj që keni ardhur për antimiting dhe e kam të qartë që antimitingun nuk e keni me ne, e keni me kryetarin e ri të partisë tuaj, që nuk ua dha fjalën në miting një javë më parë në shesh. Më keni gjetur mua tolerant dhe vini këtu dhe shkelni rregulloren”, – deklaroi Meta. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka reagoi duke thënë se, “nuk bëjmë antimitingje, por mbrojmë të drejtat e qytetarëve”.

Meta e vazhdoi më tej ironinë e tij në përfundim të fjalës së Berishës, kur Topalli u ngrit në këmbë për të duartrokitur.“Zonja Topalli, nuk po çohen të gjithë në këmbë për të duartrokitur, kjo do të thotë se uniteti ka probleme”. Ish-kryetarja e Kuvendit iu përgjigj replikave të Metës duke pohuar se: “Zoti kryetar, ky grup parlamentar, ndryshe nga ç’keni bërë ju, personalisht, bashkë me shumë që janë këtu në     këtë sallë, nuk hipën mbi tavolina, apo mbi karriget e ministrave, siç keni bërë ju, jo shumë kohë më parë. Ju mund të bëni sikur jeni rivirgjëruar, por ai që keni qenë jeni përsëri”. Në momentin e lajmërimit të ndërprerjes së seancës për 10 minuta pushim, dhe për të vazhduar më pas me rendin e lirë, Meta iu drejtua deputetëve të opozitës që kush të dojë të qëndrojë për të diskutuar dhe kush të dojë të shkojë në antimiting.

Sipas Metës, deputetët e opozitës janë në garë mes tyre, pasi PD-ja do të mbajë brenda pak muajve zgjedhjet brenda partisë. Seanca rifilloi bashkë me opozitën e cila, më pas zgjodhi ta braktisë sallën. Jashtë Kuvendit, kryetari i grupit Edi Paloka u shpreh se Partia Demokratike nuk do ta bojkotojë parlamentin, por po kërkon t’i kujtojë mazhorancës që të kthejë ligjshmërinë në të dhe të mos veprojë me arrogancë. “Ne kërkuam për më shumë se një orë që Parlamenti të kthente procedurat antikushtetuese që ndoqi herën tjetër, t’i kthejë presidentit të Republikës postin e tij. Me shkarkimin e kreut të ILDKP-së nuk u mor kjo masë vetëm ndaj saj, por u shkarkua edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani”, – tha Paloka. Seanca vijoi me rendin e ditës, miratimin e dy projektligjeve dhe më tej interpelancën me ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, kërkuar nga deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj.

Protesta me punonjës të bashkisë 

Dhjetëra qytetarë ishin mbledhur dje, para Kuvendit të Shqipërisë, duke protestuar për tu rikthyer në punë. Më pankarta ku shkruhej “Na mashtruat”, “Ku ma ke konkursin”, “Deputet mos shkel ligjin”, protestuesit u kërkuan deputetëve zbatimin e ligjit të Nëpunësit Civil dhe rikthimin e tyre në punë. Ata paralajmëruan përshkallëzim të protestave, në rast se nuk do të ketë asnjë reagim për shqetësimin e tyre.

Por mes atyre që protestonin se ishin larguar nga puna, kishte dhe punonjës së bashkisë së Tiranës si Alfred Spahiu, zëvendësdrejtor i Ujësjellësit të Tiranës. Spahiu është i njohur edhe si protagonist i një përplasjeje fizike që ka ndodhur gjatë procesit të rinumërimit të fletëve të votimit hedhura gabim për zgjedhjet lokale për Bashkinë e Tiranës, (2011), në KQZ, ku Lulzim Basha u shpall fitues.

Spahiu atëherë mbante postin e drejtorit të Drejtorisë së Komisioneve Zgjedhore në KQZ dhe u përplas me e përfaqësuesin ligjor të PS-së, Eridian Salianji. Në mbështetje të protestuesve dolën disa herë dhe deputetët demokratë. Deputetja Majlinda Bregu u tha protestuesve se do të kenë mbështetjen e opozitës, kudo që ata do të jenë. “Ata të cilët nuk interesohen për të drejtat e qytetarëve, për jetën e qytetarit ata nuk meritojnë që ta drejtojnë këtë vend asnjë orë. Ne do t’ju mbështesim çdo ditë, çdo orë, në çdo moment tuajin, kudo që të jeni.”- u shpreh Bregu.

Replikat dhe akuzat mes deputetëve

Eduart Halimi: Çfarë është për ju rregullorja e Kuvendit. Asgjë. Një copë letër, e shkelni kur të doni…

Ilir Meta: Zoti Halimi… (Reagojnë deputetët demokratë, ngrihen në këmbë, fërshëllejnë: Lejojeni të mbarojë fjalën!)

Ilir Meta: Rregullorja thotë qartë se, deputetëve sa u takon procesverbali, u jepet fjala vetëm për të korrigjuar procesverbalin dhe jo më shumë se 2 minuta. Neni 44. Meqë u ngrit zoti Berisha në këmbë, mendoj që ta lejojmë zotin Halimi të vazhdojë.

Eduart Halimi: Çfarë është për ju Kushtetuta, presidenti, asgjë nuk janë…

Ilir Meta: E kuptoj që keni ardhur për antimiting dhe e kam të qartë që antimitingun nuk e keni me ne, antimitingun e keni për kryetarin e ri të partisë tuaj që nuk ju dha fjalën në miting, te sheshi. Më keni gjetur mua tolerant e vini këtu të shkelni rregulloren.

Edi Paloka: Nuk bëjmë antimitingje, por mbrojmë të drejtat e qytetarëve që ju po i shkelni përditë me këmbë. Arroganca që tregoni këtu duke dhunuar institucionet tregohet tek biznesmenët që protestojnë në Pogradec apo te çdo qytetar që po jeton çdo ditë e më keq. Ktheni në këtë Parlament kushtetutshmërinë, ktheni mbrapsht të gjithë atë procedurë që keni ndjekur herën tjetër, një procedurë e turpshme.

Jozefina Topalli: Ti je kryeministri më i pafytyrë që mund të ekzistojë. Dil dhe fol përballë, bëhu trim dhe mos belbëzo aty mbrapa duke fyer dhe duke belbëzuar… Mos fol pa leje. Rakip Suli: Kape për zhelesh.

Edi Rama i drejtohet opozitës pa mikrofon: Qetësohuni.

Jozefina Topalli: Je kryeministri më qesharak që ky parlament ka parë ndonjëherë. Ti mor z. Kryeministër, mund t’u flasësh me gjuhën që ti njeh secilit ministër, por harroje se mund të kërcënosh opozitën. Zoti kryetar i Kuvendit, përgjegjësinë për seancën e kaluar e keni ju dhe vetëm ju. Protesta e javës së kaluar ishte unike.

Ilir Meta: Mitingu i javës së kaluar ishte vërtet unik sepse për herë të parë nuk foli asnjë deputet i PD-së. Nëse ju duket normale kjo?!

Sali Berisha: A e dini ju mor zotërinj, ai sovran që është aty, ai sovran që po proteston aty (para Kuvendit), ai që ishte në protestë më 20 shkurt, e bën pluhur pushtetin tuaj brenda pesë minutash. Dëgjojeni mirë këtë që u them unë. U dëgjova të bënin komente se ishin 5 mijë dhe jo 150 mijë. Por, a e dini ju se 5 mijë nuk ka polici në botë që t’i përballojë. Po ju jeni naivë. A e dini ju se me 5 mijë nuk matet dot asnjë polici. Kërkoj të hiqni dorë nga marrja e pushteteve, kërcënimet e drejtuesve të institucioneve në mënyrat më mafioze. Në rast të kundërt, ju pastaj do të na detyroni, të shkojmë atje ku nuk kemi dashur. (Disa nga deputetët e PD-së ngrihen në këmbë dhe duartrokasin).

Ilir Meta: Zonja Topalli nuk po çohen të gjithë në këmbë për të duartrokitur , kjo do të thotë se uniteti ka probleme.

Armando Subashi: “Le të shkëmbejmë disa opinione bashkarisht për këtë çështje dhe pastaj njerëzit le të na gjykojnë. Çfarë ka ndodhur realisht me ILDKP-në. Zonja nuk plotësonte kriteret taksative që kërkonte ligji. Zonja Topalli kur kemi pyetur për zonjën Xhuka na thanë se e ka sjellë zonja Topalli se kur punonin bashkë në Shkodër, kjo i bënte kafen zonjës Topalli.

28.02.2014

Burimi: Shekulli.com

Rreth Autorit

Postuar 1 Koment
Mendimi i juaj
  1. kujtim says:

    un jam me partin demokratike, por jam kunder atyre qe pretendojn te morin qeverin me force! po nuk jeni te zote me projektu ligje te mira per te gjith popullin, kopjoni ligjet e gjermanis dhe kush te jet me i miri te te drejtoj te ardhmen e ktij vendi!

Komenti Juaj :


nine − 8 =

All Rights Reserved