Postuar me: 7:07 14-06-2012

“21 Janari”, dëshmon njëri prej të plagosurve

Shperndaje
Etiketat

Prokuroria kërkon angazhimin e policisë për njoftimin e dëshmitarëve. Seanca e radhës, në 20 qershor

Seanca e radhës për çështjen e “21 Janarit” ka vijuar me dëgjimin e dëshmitarëve të thirrur nga organi i akuzës. Ndonëse pritej që sot të dëshmonin 10 persona, vetëm njëri prej tyre është paraqitur në sallën e gjyqit, ndërsa për nëntë të tjerët prokuroria kërkoi që të angazhohej policia për t’i njoftuar, pasi posta nuk do mund ta kryente dot këtë funksion.

Dëshmitari i vetëm i seancës së sotme, Artes Dybeli, ka dhënë detaje të ngjarjes dhe se si është qëlluar me dy plumba: njëri e ka prekur në grykë dhe tjetri në shpatull, ndërkohë që ndodhej në rrugicën midis dy kullave dhe godinës së Gjykatës Kushtetuese. I riu ka dëshmuar se nuk kishte marrë pjesë në protestën e organizuar përpara godinës kryeministrore, por kishte shkuar me shokët e tij për të parë në distancë se çfarë po ndodhte aty.

Dybeli deklaroi se nuk ishte ngjitur në ndonjë lartësi, as në trotuar, në momentin që është plagosur, duke dhënë perceptimin personal se plumbat që e goditën kanë ardhur nga oborri kryeministror dhe nuk janë qëlluar në ajër, por me drejtim nga turma. Dybeli ka dëshmuar se është qëlluar vetëm pak sekonda, pasi është goditur porta e kryeministrisë nga automjeti tip “Benz Mercedez”. Më pas ai i është marrë në pyetje nga avokatët e të pandehurve. Ai ka tha se nuk njihte asnjë nga të pandehurit dhe se nuk kishte mund të dallonte nëse ndonjë prej tyre e kishte qëlluar me armë zjarri. Por sipas prokurorit të çështjes nuk mund të flitet për identifikim të personave, për sa kohë që të gjithë punonjësit e Gardës atë ditë kanë qenë të pajisur me skafandra. Në këtë proces gjyqësor pritet të ketë një numër të madh dëshmitarësh, mes tyre deputetë të Partisë Socialiste, efektivë të Gardës së Republikës si edhe pjesëtarët e grupit të zjarrit, të cilët kanë qenë të akuzuar për ngjarjen e 21 janarit, por më pas u liruan nga akuzat.Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Besnik Hoxha, vendosi që seanca e radhës të zhvillohet në datën 20 qershor në orën 11:00, ku do të dëgjohen 14 dëshmitarë të tjerë.

Për vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedës, Prokuroria e Tiranës ka akuzuar ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi dhe ish-gardistin Agim Llupo, të cilët kanë mohuar akuzat.

Ish-shefi i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi akuzohet për vrasjen e demonstruesit Faik Myrtaj me pistoletën e tij Berreta, tytën e së cilës, sipas Prokurorisë, e ka ndërruar me atë të shoferit të tij Margarit Kume.

Ky i fundit është vënë nën akuzën e veprimeve që pengojnë zbardhjen e të vërtetës. Ndërsa gardisti Agim Llupo akuzohet për vrasjen e Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës, ndërkohë që vrasja e katërt, ajo e Aleks Nikës nuk është zbardhur nga Prokuroria, çështje për të cilën janë pezulluar hetimet.

13 qershor 2012

 

Burimi: Gazeta Shqip 

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.