Postuar me: 13:08 24-05-2012

Abdul Gjirokastra, atdhetari që ngriti flamurin në Berat

Shperndaje
Etiketat
Baki Gjebrea, i njohur dhe me emrin Abdul Bakiu

Baki Gjebrea, i njohur dhe me emrin Abdul Bakiu

Në paraditen e 26 prillit 1915, në oborrin e Prefekturës së Beratit, me vendim të këshillit administrativ të zonës, u pushkatua njëri nga bashkëpunëtorët e afërt të Ismail Qemalit. Abdul Bakiu, atdhetari gjirokastrit që ngriti flamurin e pavarësisë në qytetin e një mbi një dritareve, e dha shpirt me thirrjet e fundit “Rroftë Shqipëria!”.
Veç këtij fakti, në kronikën e kohës është fiksuar në mënyrë të përmbledhur reagimi burrëror i “oficerit që tradhtoi ushtrinë otomane dhe i shërben mendimit të Ismail Qemal Vlorës” përballë ekzekutorëve shërbëtorë të pushtuesit. Po cila është historia e atdhetarit që u pagëzua me emrin e qytetit të lindjes, Gjirokastra. Pse u vu në shënjestrën e okupatorit dhe cili ishte kontributi i tij në lëvizjen mbarë kombëtare për shpalljen e pavarësisë…

Abdul GJIROKASTRA, JETESHKRIMI 
Baki Gjebrea, i njohur dhe me emrin Abdul Bakiu apo Baki Gjirokastra, lindi në Gjirokastër në vitin 1859.  U martua  me Atifete Mehmetin (1876-1929 ) nga Novi Pazari i Bosnjës, me të cilën pati tre djem: Fazlliun, Myrtezain dhe Qazimin. Pas shkollës fillore në qytetin e lindjes, përfundoi studimet në shkollën Ruzhdije në Izmir të Turqisë dhe u gradua kapiten në shërbim të Ushtrisë turke. Në vitin 1911 doli në pension. Gjatë kohës kur ishte nën uniformë, bashkëpunonte nga afër për çështjen kombëtare me atdhetarë të tjerë, si Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Hil Mosi, Çerçiz e Bajo Topulli, Mihal Grameno, Luigj Gurakuqi etj. Në vitin 1893 mori pjesë në lëvizjen shqiptare të Elbasanit. Në vitet 1907-1908 ishte delegat në Kongresin e Dibrës dhe të Manastirit. Në vitin 1910, së bashku me Neshat Vrionin, Isuf Hasnedarin, Ismail Klosin, Hajredin Fratarin etj., formojnë “Komitetin Shqiptar të Beratit”, duke marrë pjesë  në luftën e zhvilluar në Cakran kundër ushtrisë turke. Ai njihet si një nga protagonistët kryesorë të zhvillimeve politike në vigjilje të shpalljes së pavarësisë, por edhe atyre që vijuan më pas. Ishte pikërisht kontributi i tij i spikatur në këto ngjarje të rëndësishme, që e vuri në shënjestër të administratës së okupatorit osman. Mjafton të kujtojmë letërkëmbimin e panjohur të Gjirokastrës me Ismail Qemal Vlorën, për të kuptuar rolin dhe kontributin e tij në zhvillimet historike të fillimit të shekullit XX…

LETËRKËMBIMI ME ISMAIL QEMALIN
Letra e parë që Ismail Qemali i dërgon Baki Gjebresë mban datën 13.01.1910 (më 31.12.1325, sipas kalendarit të vjetër). Ja çfarë shkruhet në të:
Patrioti `tim i dashur dhe i adhurueshëm, E prekun nga kujtimet dhe bisedimet, zemra ime gjithmonë është e lidhun me Ju. Pa ekzagjerim mund t’ju them se qysh prej ditëve të njohjes dhe të ndarjes, nuk kalon asnjë ditë që të mos mendoj për Zotërin e juaj dhe ngandonjëherë me shqetësime. Mos dhënia përgjigje e urimit u shkaktua për arësye se e kujtova të kotë dhe prandaj kërkoj ndjesë. Me që përmbajtja e letrës tuaj më kënaqi shumë, dhe më dha shpresë për një pjekje të afert, nuk e shoh  të arëesyshme që të zgjatem.….Kur të bashkohemi do të bisedojmë më gjatë. Sa më shpeshë më shkruani aq më shumë kënaqem. Me Azisë Pashanë, u takova dhe i thashë atij fjalët e rastit. Myfit Benë nuk e takova, por me që pozita tonë në Parlament është në anën e kundërshtarëve, nuk munda të vendosja në se dhe me kë duhet të bisedoj. Sidoqoftë, në cilëndo anë që të jetë, Unë mendoj se ka për t’i shërbyer Atdheut, prandaj dhe nuk jam i shqetësuar.
Përfundoj duke lutur shëndet të mirë për ju i dashtuni Baki.
Juaji  Ismail Qemali
Në letrën që i dërgon Baki Gjebrea Ismail Qemalit,(3 korrik 1911) bëhet fjalë për përpjekjet dhe për zgjerimin e kryengritjeve në Malësinë e Veriut, në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut.
“Zotërinj të ndershëm, shprehet në letër, shifra që përdorim këtu dhe në gjithë viset që kemi shoqëri, si në Korçë, Gjirokastër e gjetkë, një po ja u çojmë edhe Juve. Deri sot këtu ndonjë lëvizje, s’kemi bërë, vetëm dita me ditë po përgatitemi se Urdhëri që na vjen nga Ismail Beu na thotë që të bëjmë durim sa të lidhim fjalë me Shqipërinë e sipërme dhe me Dibrën. Nga ky shkak jemi në pritje dhe me durim. Por edhe Juve aty pëergatituni me natë dhe me ditë se si të vij ora, doemos do të fillohet. (AQSH F 32 D 103 f. 1)                         Ju përqafoj vllazërisht
Baki Gjirokastra (Gjebrea)

MARTIRIZIMI I GJEBRESË
Pjesëmarrja aktive e Abdul Bakiut në zhvillimet politike në vigjilje të pavarësisë, por edhe më vonë, nuk mund të mos binte në sy të autoriteteve pushtuese, ca më tepër që Bakiu kishte shërbyer në radhët e ushtrisë otomane. I kryqëzuar si tradhtar i ushtrisë turke, atdhetari me identitetin Gjirokastra, në prill të vitit 1915 u përball me vendimin ekstrem të “gjykatës’ së autoriteteve lokale të Prefekturës së Beratit. Ja çfarë shkruhet në të: I famshmi ngatërrestar Abdul Bakiu (Gjirokastra), ish- sekretar batalioni dhe më vonë sekretar regjimenti në ushtrinë otomane, ka tradhtuar ushtrinë në kohën e luftës ballkanike dhe duke ushqyer e i shërbyer mendimit të Ismail Qemal Vlorës. Është përpjekur pa reshtur për sigurimin e independencës së qeverisë së Ismail Qemal Vlorës. Duke marrë parasysh edhe propozimin e të ndershmit komandant të operacionit, myftiut të Tiranës, zotit Musa Qazimi, ashtu dhe gjithë dëshirën e atij populli që lufton për vatanin, vendosi dënimin e tij me vdekje dhe për ekzekutimin e këtij vendimi i paraqitet të ndershmit myftiut të Tiranës, z. Musa  Qazimi. Berat 12 prill 1313  (25 prill 1915)

PROTESTA PARA  EKZEKUTIMIT
Abdul Bakiu qe vendosur në burgun e pallatit të Prefekturës. Të nesërmen e vendimit nxirret në oborrin e Prefekturës, ku ndodheshin autoritetet e Beratit, me në krye rebelin Musa Qazimin. Abdul Bakiu shkon me hapa të rregullt e burrërorë dhe me një gjakftohtësi të madhe pret vendimin e dënimit me vdekje, duke thënë: “Protestoj para juve dhe përpara historisë për akuzën që më bëni, duke më cilësuar si tradhtar të Atdheut. Përkundrazi, unë jam patriot, sepse jam përpjekur dhe kam punuar vetëm për lirinë e Shqipërisë. Tradhtarë dhe të poshtër jeni ju, që të verbuar nga padituria po bëheni vegla të të huajve, për shkatërrimin e Shqipërisë. Por duhet ta dini se në këtë vend s’ka për të shkelur më këmba  e osmanllinjve, siç kujtoni ju o të çmendur, po sigurisht do të valojë këtej e tutje dhe për gjithnjë vetëm Flamuri i Kuq i Shqipërisë”.
Një batare  plumbash përshkoi trupin e Abdul Bakiut (Gjebrea), i cili vazhdon të thërrasë “Rroftë Shqipëria”, gjer në minutën që jep shpirt, duke vaditur kështu tokën shqiptare me gjakun e tij të shenjtë. Për të përjetësuar jetën heroike të dëshmoreve të kombit, Baki Gjebrea, Ismail Klosi, Hajredin Fratari e Ismail LLeshinë, në vitin 1935 në qytetin e Beratit është ngritur një përmendore, dhe në vitin 1962, me rastin e 50-vjetorit të pavarësisë është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.

Burimi:Gazeta Panorama

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.