Postuar me: 13:18 11-06-2012

Angli-Francë, sfida mes dy “outsiders”-ave të Euro 2012

Shperndaje
Etiketat

Është klasikja e kontinentit, por të dyja skuadrat vijnë si pretendente të heshtura

Në sfidën e grupit D të Euro 2012, Franca dhe Anglia luajnë kualifikimin për në çerekfinale me të zotin e shtëpisë, Ukrainën dhe Suedinë. Jo tamam një grup ferri, edhe pse surprizat në futboll janë të pranishme dhe që ndoshta mund t’i shtyjë të dyja skuadrat drejt një gare taktike dhe të kushtëzuar nga fakti për të mos humbur ndeshjen e parë.

Ora e së vërtetës – Për Roi Hoxhson, ndeshja me Francën prezanton debutimin e tij të vërtetë në krye të “Tre Luanëve”. Zakonisht, kur ka mundësi të punojë me qetësi, Hoxhson është një teknik i aftë të garantojë rezultate të mira. E kemi parë te Fulhem, që pikërisht nën drejtimin e tij, arriti rezultatin më të mirë të historisë së tij me finalen e Europa League. Por në të kaluarën, i miri Roi ka punuar mirë edhe si trajneri i Kombëtares, nën drejtimin e Zvicrës, që turpëroi Italinë e Arrigo Saki. Nëse ka një pikë të dobët, në formimin teknik të Hoxhson, është se ai e vuan shumë tensionin. Në fakt, tekniku anglez duket se i vuan shumë situatat në të cilat është i detyruar të garantojë rezultat dhe kur ndjen mbi shpatulla presionin e ambientit, tifozëve, shtypin. E kemi parë kur ishte tek Interi, por edhe në drejtimin e Liverpulit, ku, edhe pse kishte në dorë një skuadër teknikisht jo në lartësinë e traditave të klubit, drejtuesit dhe tifozët pretendonin shumë nga ai, dhe Hoxhson në një moment e humbi krejtësisht rrugën. Kjo ndoshta mund të paraqesë një pengesë për të në pankinën e Anglisë, e cila në të kaluarën u ka ngrënë kokën edhe disa trajnerëve të klasit botëror. Pa dyshim, ky Europian përfaqëson për Hoxhson momentin vendimtar të karrierës së tij, një rast për t’u shfrytëzuar më së miri, për të lënë shenjë në historinë e futbollit anglez.

Anglia, e zakonshme…? – Peripecitë e Kombëtares angleze në kompeticionet e mëdha, botërore apo europiane, nga 1966 deri sot, njihen nga të gjithë…. Jo rastësisht anglezët shkojnë në turne të tilla, të fortë ndoshta nga rezultatet e mira në një sezon nga klubet e tyre dhe pastaj, me përpikëri, zhgënjejnë. Kjo sepse, është një himn që tashmë e dimë përmendësh, sezoni futbollistik anglez është i gjatë, i ngarkuar me ndeshje jo vetëm për kampionatin, por edhe për turne federalë dhe lige, dhe në fund talentet “made in England” vijnë të lodhur…. A do të jetë kështu edhe këtë herë? Padyshim, Kombëtarja angleze nuk po kalon një “moshë të artë”. Fabio Kapelo kishte vështirësi për të hedhur në fushë një skuadër teknikisht të besueshme. Por ku i dihet, ky Europian mund të jetë pika e kthesës për luanët anglezë.

Precedentët – Francë–Angli është një sfidë mes më klasikeve të të gjitha kohërave dhe precedentët mes tyre janë të shumtë. Nëse përqendrohemi vetëm te ndeshjet zyrtare, precedentët për t’u marrë në konsideratë janë vetëm 6 dhe me një bilanc prej barazimi perfekt: 2 fitore për kokë dhe 2 barazime. Ndeshjet më domethënëse janë ato për Botërorët më 1966 e 1982. Në Botërorin anglez të 1966-s, i vetmi i fituar nga Anglia, Franca ishte një kombëtare e dorës së dytë, shumë larg gjelave të viteve ‘70 me gjeneratat e Platini, Tresor, etj. Ndeshja u fitua nga anglezët 2-0. Shumë më e rëndësishme ishte ndeshja e zhvilluar në Spanjë ‘82. Franca kishte një skuadër të mirë, që arriti deri në gjysmëfinale. Anglia ishte një ekip jo spektakolar. Sfida mes tyre ishte ndër ndeshjet më të bukura të turneut dhe u fitua pikërisht nga anglezët 3-1. Ndërsa në Euro 2004 ishte Franca që fitoi 2-0 ndaj një Anglie modeste.

Këtu Anglia – Tani anglezët duket se dëshirojnë të mbajnë një profil të ulët, në prag të ndeshjes për Euro 2012. Lajmet e vetme vijnë nga Rio Ferdinand dhe nga polemikat pasuese. Në grup rikthehet Defoe, i cili është edhe rreziku për kundërshtarët, siç ka mundur ta demonstrojë këtë vit me bluzën e Totenhemit, në rastet e rralla që tekniku Redknap ia ka dhënë mundësinë. Por përshtypja është që Roi Hoxhson mund të mbështetet edhe te sulmuesi i Liverpulit, Kerrol, i cili është në balotazh me sulmuesin e Mançester Junajtid, Deni Uellbek. Francezët nga ana e tyre, në prag të kësaj ndeshjeje kanë bërë një progres të madh. Bastexhinjtë, edhe pse nuk është se kanë thyer ekuilibrin, për momentin preferojnë të mos t’i japin shumë besim Kombëtares me bluza të bardha, pasi kujtojnë sigurisht zhgënjimet e shumta të së kaluarës. Pra favorite me diferencë të vogël shihet Franca. Megjithatë është shumë e mundur që ky edicion i Europianit të jetë momenti i duhur për Kombëtaren angleze për të lënë më në fund një shenjë të qartë në një fazë finale të një turneu. Këtë do ta mësojmë pikërisht sot…

 

11 vite

Bisha e zezë

Prej 11 vitesh është bisha e zezë e Anglisë, duke parë bilancet e përballjeve direkte, ku triumfoi neto Franca, që ka fituar katër nga pesë ndeshjet e zhvilluara që atëherë

 

2.40 kuota

Favoriti

Në debutimin e sotëm në Euro 2012, Blank dhe djemtë e tij nisen në avantazh (në kuotën 2,40), ndërsa fitorja e Hoxhson dhe djemve të tij është kuotuar me 3,10.

 

46 vite

Tradita

Peripecitë e Kombëtares angleze në kompeticionet e mëdha ndërkombëtare, mes Botërorëve dhe Europianëve, nga viti 1966 deri më sot, njihen nga të gjithë…

 

6 supersfida

Precedentët

Francë–Angli është një sfidë mes më klasikeve të të gjitha kohërave, por ndër ndeshjet me peshë veçohen 6 prej tyre me bilanc 2 fitore, 2 humbje e 2 barazime

 

11 Qershor 2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.