Postuar me: 13:01 24-05-2012

APP: Gati draftet për koncesionet e prokurimet

Shperndaje
Etiketat
takimi-me-banken-boterore

takimi-me-banken-boterore

Aplikimi i procedurave online nuk e zgjidh përfundimisht çështjen e korrupsionit. Për përfaqësuesen e Bankës Botërore, Ksenya Lvovsky, Shqipëria ka bërë hapa para në lidhje me formën elektronike të prokurimit publik, por sfidë mbetet ende rritja e transparencës në këto procese. “Shqipëria ka bërë disa hapa përpara për pjesëmarrjen online në tenderët publikë, por kjo nuk mbetet e vetmja zgjidhje për transparencën e procesit të tenderimit, pasi ka edhe përjashtime të padrejta të kompanive të caktuara dhe aplikimi online nuk eliminon korrupsionin”, tha Lvovsky gjatë një forumi rajonal që po mbahet në Tiranë për prokurimet publike. I pranishëm në këtë forum ishte edhe ministri për Inovacionin, Genc Pollo, i cili u shpreh se Shqipëria është vlerësuar nga institucione ndërkombëtare për formën elektronike të procedurave të prokurimit publik. Ai shtoi se efektet që ka pasur implementimi i kësaj forme ka qenë tërësisht pozitiv si përsa i përket rritjes së konkurrencës së operatorëve ekonomikë pjesëmarrës, por edhe uljes së shpenzimeve të tyre për pjesëmarrjen në tenderë. Falë këtij efekti, Pollo detajoi se do të ndërmerren të tjera nisma në rritje të transparencës dhe eficiencës së prokurimit elektronik. “Ndër angazhimet e ndërmarra dhe që dëshiroj t’i ndaj me ju, është që në vitin 2012 APP do të aplikojë sistemin e koncesioneve elektronike deri në fazën e hapjes së ofertave. Këtë vit APP do të implementojë në formë elektronike procedurën për blerje të vogla nën 3000 euro, çeljen e sistemit e-ankandet, si dhe do të përfshihet në sistemin e INTEROPS-it, ose të interoperabilitetit”, tha Pollo. Në këtë forum, edhe kreu i Agjencie së Prokurimit Publik, Klodjana Cankja, u shpreh se për të përafruar legjislacionin e prokurimit është gati drafti i ri, i cili do t’u dërgohet për konsultim në muajin qershor palëve të interesit. Sipas Cankjes, ky draft ka vetëm ndryshime të vogla, kurse po punohet paralelisht për draftin që do të sanksionojë pjesën e koncesioneve, por puna për këtë është pak më e ngadaltë. Në fjalën e tyre, ekspertë të Bankës Botërore në Forumin VIII rajonal “Prokurimi elektronik, një hap para drejt transparencës dhe eficiencës”, vlerësuan se për bankat është e rëndësishme të dihet si shpenzohen paratë. “Prokurimi është një çështje që prek si donatorët e bankës, ashtu edhe huamarrësit e bankës, pasi në këtë mënyrë kuptohen edhe prioritetet dhe mënyra se si kryhen investimet”, u shpreh eksperti i BB, Bernard A. Becq. Forumi i çelur ditën e djeshme për prokurimin publik pritet që të vijojë edhe ditët në vijim, duke shënuar mbylljen e punimeve ditën e premte. Në këtë forum marrin pjesë të ftuar nga vende të rajonit, si dhe nga bankat më të rëndësishme, si: IDB, BERZH, Banka Botërore.

Burimi:Gazeta Panorama:

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.