Postuar me: 7:08 13-06-2012

Avokati i Popullit: Në tekstet shkollore,njohuri për LGBT

Shperndaje
Etiketat

Igli Totozani i sugjeron ministrit Tafaj përfshirjen në kurrikula mësimore dhe trajnimin e stafit për të mos lejuar diskriminimin e këtij komuniteti

Avokati i Popullit, Igli Totozani, i sugjeron ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, të përfshijë në tekstet shkollore njohuri për komunitetin LGBT. Në një shkresë zyrtare drejtuar ministrit Myqerem Tafaj, institucioni i Avokatit të Popullit rekomandon “përfshirjen në kurrikula dhe programe mësimore të njohurive dhe informacioneve për komunitetin LGBT”, si dhe ”trajnimin e stafit akademik për moslejimin e çdo forme diskriminimi duke siguruar mbrojtje dhe disiplinë në institucionet arsimore”. “Të gjithë aktorët e shoqërisë duhet të inkurajojnë aksesin e studentëve në informacionin e orientimit seksual dhe identitetit gjinor, si dhe miratimin e kodeve të sjelljes kundër qëndrimeve homofobike ose transfobike, apo forma të tjera të diskriminimit.

Kjo duhet të realizohet duke prodhuar dhe shpërndarë tekste për stafin arsimor, duke inkurajuar organizimin e fushatave shkollore, aktivitete kulturore kundër homofobisë me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të këtij komuniteti. E gjithë kjo me qëllimin e rritjes së ndërgjegjësimit rreth çështjeve të diskriminimit për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor ndërmjet stafit akademik, nxënësve, studentëve dhe prindërve. Metodat, kurrikulat dhe burimet arsimore duhet të shërbejnë për zgjerimin e të kuptuarit dhe respektimin e individëve të ndryshëm pavarësisht nga orientimi i tyre seksual ose identiteti gjinor, duke përfshirë edhe nevojat e veçanta të nxënësve, studentëve prindërve dhe anëtarëve të tjerë të familjeve të tyre. Theksojmë se ekziston një nevojë e fortë për të rishikuar programet dhe materialet mësimore jo vetëm në Shqipëri, e theksuar kjo edhe në Rekomandimin 2010 të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës  ku rregullat mësimore të mos jenë të njëanshme, diskriminuese dhe denigruese, por në mbrojtje dhe mbështetje të komunitetit LGBT, në çdo vend ku ata jetojnë dhe organizohen”, thuhet në shkresën drejtuar ministrit Tafaj.

Sipas institucionit të Avokatit të Popullit, në raportin social dhe ligjor mbi diskriminimin me bazë orientimin seksual dhe identitetin gjinor të Këshillit të Evropës, i cili mbulon 47 vende anëtare, Shqipëria renditet në listën e vendeve që kanë shkallë të lartë të homofobisë dhe është detyrë e gjithë strukturave shtetërore, por jo vetëm e tyre, të ndihmojnë në përthithjen sa më të mirë të për zbutjen e këtij fenomeni.

12 qershor 2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.