Postuar me: 14:27 16-06-2012

Bankat injorojnë BSH-në, kreditë shiten shtrenjtë

Shperndaje
Etiketat

Të dhënat zyrtare nga Banka Qendrore tregojnë se interesat e bonove të thesarit u rritën sërish, duke rënduar koston që qeveria paguan për të financuar buxhetin dhe shpenzimet e saj.

Në ankandin e fundit të zhvilluar nga Banka Qendrore, norma e interesit për bonot me afat maturimi njëvjeçar u rrit në 7.38 për qind nga 7.34 për qind, që ishin në ankandin e dy javëve më parë. Rritje ka edhe për letrat me vlerë me afat shlyerjeje më të shkurtër. Sipas bankës, për bonot 6-mujore interesi kapi kuotën 6.24 për qind nga 6.2 që ishte një muaj më parë.

Interesat e letrave me vlerë mbeten në nivele të larta, edhe pse Banka Qendrore e ka ulur normën bazë në nivelin më të ulët historik prej 4.25 për qind. Interesat e bonove janë dhe një nga treguesit kryesorë mbi të cilët bazohen normat e interesave të kredisë, të cilat mbeten të larta, duke mos e pasqyruar efektin lehtësues të Bankës Qendrore për uljen e normës bazë.

Tregjet financiare në Shqipëri u përballën në muajt e parë të vitit me një fenomen të pandodhur ndonjëherë më parë, që lidhej me tërheqjen e disa bankave nga investimet në letrat me vlerë të qeverisë, për shkak të detyrimeve të vendosura nga Autoriteti Bankar Europian. Të dhëna ende jo zyrtare nga Ministria e Financave dhe Banka Qendrore, thonë se masa e tërheqjes në muajt e parë të vitit llogaritet deri në 140 milionë euro, çka e ka vendosur qeverinë në një situatë të vështirë për të financuar borxhin e saj me norma të ulëta.

Në maj inflacioni zyrtar sipas Institutit të Statistikave ishte 1.9 për qind, një nga normat më të ulëta që nga viti 2004. Kjo do të thotë se interesi real që një individ përfiton nga investimi në bono me afat njëvjeçar luhatet nga 5 deri në 5.5 për qind në vit, që përbën një alternativë tërheqëse investimi jo vetëm në tregun financiar, por edhe krahasuar me mundësitë e tjera të investimeve.

16.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.