Postuar me: 13:38 15-06-2012

Barroso, më pak sovranitet, më shumë siguri kundër krizës

Por nuk janë të shumtë ata që janë pro kësaj ideje

Heqje dorë nga sovraniteti kombëtar në emër të shpëtimit nga kriza ekomomike. Këtë ka kërkuar dje në Parlamentin Europian kreu i BE-së, Barroso. Por ato, deri tani, nuk duan të dëgjojnë për këtë kërkesë. Presidenti i Komisionit të BE-së, José Manuel Barroso, kërkon që procesi të përshpejtohet. Bashkimi Europian gjendet në fazën vendimtare për tejkalimin e krizës, thotë ai. Sa i përket papunësisë së lartë, ai foli për “gjendje emergjente sociale”, ku duhen ndërmarrë masa të menjëhershme që mundësojnë stabilitet afatgjatë. Ai u angazhua për një union bankar dhe fiskal. Por shumë qeveri janë kundër këtyre kërkesave. Unioni fiskal do të thoshte se vetë vendet anëtare nuk janë në gjendje që të përballen me problemin e borxheve. Sovraniteti i tyre do të kufizohej shumë, që ka hasur në rezistencën e parlamenteve kombëtare të shteteve anëtare. Ndërsa unioni bankar është i lidhur me aksione të përbashkëta për blerjen e letrave problematike me vlerë, gjë që kundërshtohet nga Gjermania, e cila është kundër garancive shtesë për bankat dhe vendet më të dobëta. Barroso u shpreh se “nuk është i sigurt nëse të gjitha kryeqytetet kanë kuptuar urgjencën e këtyre çështjeve”. Kërkesa kryesore e Barrosos është më shumë integrim europian, me qëllim zgjidhjen e krizës. Por për momentin situata duket krejt ndryshe edhe sa i përket çështjes së “Shengenit” dhe kontrollit të lirë të kufijve brenda BE-së. Ministrat e Brendshëm të BE-së kanë vendosur para pak ditësh që mund të kontrollojnë kufijtë e tyre, në qoftë se vlerësohet se janë cenuar rendi dhe ligji, si për shembull, në rastet e valëve të reja të refugjatëve. Barroso ka shprehur keqardhje të thellë për shkak të këtij vendimi: “Ky është një sinjal i gabuar në kohën e gabuar, që ka të bëjë me një prej çështjeve themelore të Europës”. Së fundi, edhe ministri i Brendshëm gjerman, Hans-Peter Friedrich, ka kërkuar një rregullim më të mirë të rregullave të parashikuara me marrëveshjen e “Shengenit”. Por shokët e partisë së tij në Parlamentin Europian janë të mendimit tjetër. Kërkohet më shumë Europë në të gjitha fushat, si në “Shengen” ashtu edhe në luftën kundër krizës ekonomike, deklaroi Joseph Daul, kryetar i partive konservatore në këtë Parlament. Daul shtroi pyetjen retorike, nëse “BE-ja mund të shtrojë çështjen e ndarjes së sovranitetit dhe të organizojë mbrojtjen e vendeve anëtare, apo duhet vazhduar me samitet e krizave si në dy vitet e fundit, ndërkohë që kriza financiare e bankave dhe tregjeve po vazhdon?”. Se çfarë do të thotë ndarja e sovranitetit, u përgjigj socialisti Enrique Guerrero Salom. “Për t’u rritur ekonomikisht, neve na duhen fonde për borxhe, eurobonde dhe një pjesëmarrje më e madhe e Bankave Europiane për Investime si dhe shtimi i aktiviteteve të Bankës Qendrore Evropiane”, tha ai. Pikërisht këto ditë erdhi edhe kërkesa e vendit të tij që bankave t’u ndahen rreth 100 miliardë euro ndihma. Qeveria në Berlin dhe shumë europarlamentarë e shohin këtë kërkesë me sy kritik. Ato besojnë se pa një disiplinë buxhetore dhe reforma problemet nuk mund të zgjidhen. Këto gjëra janë konfirmuar edhe në krizën e Greqisë. Deputetët e partive të ndryshme në PE folën edhe për realitetin e hidhur në Spanjë, ku përkundër ndihmave të ofruar, po bie vlera e letrave me vlerë. Konservatori britanik, Martin Callanan, thotë se kjo është dëshmi se e tërë strategjia për shpëtimin e euros është e gabuar: “Kjo sjell më shumë centralizim në përpjekjet për tejkalimin e krizës, por këto përpjekje kanë dështuar”. Callanan dhe skeptikët e tjerë të euros janë të mendimit se deri tani, të gjitha përpjekjet për shpëtimin e monedhës së përbashkët kanë dështuar. Por as ai dhe kritikët tjerë nuk mund të gëzohen, sepse kriza e euros ka dërmuar seriozisht edhe vendet jashtë kësaj zone.

15.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.