Postuar me: 13:15 16-06-2012

Barroso: Shqipëria është në një moment kritik

Shperndaje
Etiketat

Urimi

Kryetari i Komisionit Europian, mesazh Presidentit të ri, Bujar Nishani

Ky është një moment kritik për sa i përket rrugës së Shqipërisë drejt Europës

Presidenti i Komisionit Europian, Hoze Manuel Barroso, nëpërmjet një mesazhi urimi për kreun e ri të vendit, Bujar Nishani, i kujton klasës politike shqiptare se është në një moment kritik. Kreu i KE-së theksoi faktin se rruga e Shqipërisë drejt BE-së është në një moment kritik, nisur nga fakti se reformat kyç që janë kërkuar nga Bashkimi Europian, ende nuk janë kryer. Ai i kërkon Nishanit që të ndikojë pozitivisht dhe me paanësi për të bërë të mundur që palët të rinisin komunikimin, në mënyrë që të arrijnë të kryejnë reformat e lëna përgjysmë. Mes të tjerash, Barroso i kujton Nishanit se ai duhet të luajë rolin që i ka dhënë Kushtetuta dhe që është unifikuesi i popullit shqiptar. “Dua t’ju përgëzoj ju dhe zgjedhjen tuaj si President i Republikës. Ky është një moment kritik sa i përket rrugës së Shqipërisë drejt Europës. Reformat që duhet të kryejë Shqipëria për të bërë progres drejt BE-së kërkojnë konsensus kombëtar, të qëndrueshëm dhe koherent, si dhe punë konstruktive nga të gjitha partitë politike dhe institucionet”, thekson Barroso në letrën e tij. Në këtë kuadër, ai i kërkon dhe Presidentit të Republikës dhe forcave politike në vend që të kompletojnë konsensusin e lidhur në muajin nëntor të vitit të shkuar, në kuadër të reformave. Në tetor të këtij viti, KE do të japë vlerësimin e radhës për Shqipërinë dhe ambicien e saj për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Në lidhje me çështjen e presidentit, Komisioni Europian ka deklaruar nëpërmjet zëdhënësve se e ka ndjekur me vëmendje procesin e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit. Por nga ana tjetër, zyrtarët e tij kanë bërë të qartë para procesit se do të donin që presidenti i ri të ishte konsensual dhe të zgjidhej në bashkëpunim me opozitën. Sipas tyre, kjo do të ishte një provë e rëndësishme që politika shqiptare di të bashkëpunojë dhe është e aftë të gjejë konsensusin për nisma të rëndësishme në të mirë të vendit. Pavarësisht se kjo nuk arrit, diplomatët e huaj të akredituar në Tiranë dhe po ashtu ata në Bruksel kanë shprehur përshëndetjet e tyre për procesin e zgjedhjes së presidentit, kushtetutshmëria e të cilit u pranua dhe nga vetë kreu i opozitës, Edi Rama. – F.Mejdini

 

Reformat që duhet të kryejë Shqipëria për të bërë progres drejt BE-së kërkojnë konsensus kombëtar

 

Statusi

Në tetor të këtij viti, KE do të japë vlerësimin e radhës për Shqipërinë dhe ambicien e saj për marrjen e statusit të vendit kandidat

16.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.