Postuar me: 14:14 01-07-2015

Basha: Zgjedhjet jashtë standardit europian (Burimi: Gazeta Shekulli, www.shekulli.com.al)

lajm-shqip BashaKryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një deklaratë për mediat është shprehur se zgjedhjet e 21 qershorit ishin jo të lira dhe të ndershme, gjithashtu sipas tij ishin jashtë çdo standardi europian.

Basha renditi një listë të incidenteve të zgjedhjeve të 21 qershorit, e cila sipas tij është e shkurtër  pasi një raport i plotë për çdo shkelje si gjatë fushatës, ditën e zgjedhjeve dhe gjatë procesit të numërimit të votave po përpilohet nga PD-ja.

“Po përpilohet raporti, ndërkohë që një lumë të dhënash mbërrin në çdo degë të PD-së në rrethe, si dhe këtu në qendër. ODIHR listoi një numër të madh shkeljesh, që cënojnë integritetin e vendit. Kjo është një situatë jo dinjitoze për një demokraci të pjekur”, tha kreu i PD-së.

Në mbledhjen e parë të Grupit Parlamentar pas zgjedhjeve për pushtetin vendor, Basha radhiti kandidimin e personave me precedentë penalë, listat zgjedhore, kërcënimet ndaj kandidatëve të opozitës, shantazhet, blerjen e votës dhe përdorimin e strukturave të shtetit prej mazhorancës si parregullsitë që minuan procesin zgjedhor.

“Këto zgjedhje janë shënuar në kancelaritë europiane për precedentin e kandidimit të të inkriminuarve për kryebashkiakë, pavarësisht kërkesave të zyrtarëve të lartë të BE-së për moskandidimin e tyre. Këto zgjedhje u shënuan gjithashtu edhe nga angazhimi i të gjitha strukturave të shtetit, e në veçanti të policisë, në një fushatë dhune, arrestimesh, kërcënimesh e keqtrajtimesh nga Veriu në Jug, e nga Lindja në Perëndim. Pati urdhër ndaj administratës për votën, si dhe blerjen e votave me anë të parave të fondeve publike, duke falsifikuar e sekuestruar gjithashtu edhe kartat e identitetit. U manipuluan kutitë e qendrave të votimit, duke u mbushur veçanërisht gjatë transportit të tyre drejt KZAZ-ve për numërim, pas nxjerrjes jashtë me dhunë të komisionerëve të opozitës”, tha Basha.

Më tej Basha tha se mazhoranca shpërfilli kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë për të tërhequr nga lista kandidatët e inkriminuar. Kreu i opozitës shtoi: “Dyshja Rama-Meta kandiduan sërish persona të inkriminuar në shumë bashki dhe që ushtruan presion të hapur me bandat e tyre ndaj qytetarëve të thjeshtë, ndaj votuesve demokratë. Në këto presione u përfshinë edhe bandat më të njohura të historisë së Shqipërisë. Arben Frroku, ndër ta, u përfshi në një fushatë të ethshme për PS-në në Pukë, i cili si shpërblim mori të drejtën për largimin nga vendi vetëm pak ditë para se të jepej vendimi i Apelit për burgim të përjetshëm të tij”.

Në fund Basha tha se “ka pasur presione dhe kërcënime me jetë edhe ndaj kandidatëve për këshilla bashkiakë, si dhe dhunë e ushtruar ndaj opozitës”.

 

01.06.2015

Burimi: Gazeta Shekulli

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.