Postuar me: 9:24 13-06-2012

BE jep vlerësimin e parë negativ: Një shans i humbur për statusin

Shperndaje
Etiketat

Presidenti

Zëdhënësi i Fules: Nuk shikojmë gjë pozitive në proces

Një ditë pas zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit, zyrtarët e lartë të Bashkimit Europian u shprehën pesimistë në lidhje me marrjen e statusit kandidat nga ana e Shqipërisë në muajin tetor. Në prononcime të dhëna për “Top Channel”, përfaqësuesi i Komisionit Europian, Peter Stano dhe kreu i delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Europian, Eduard Kukan e shikojnë procesin e zgjedhjes së presidentit, si një tjetër shans të humbur për Shqipërinë. Ky qëndrim vjen si rezultat i faktit se kreu i ri i shtetit, Bujar Nishani, është dhe ministër i kabinetit “Berisha” dhe nuk mori në negociata dhe Parlament, miratimin e opozitës shqiptare. Kjo bëri që dje nga Brukseli, Eduard Kukan, ta quante një shans të humbur për Shqipërinë këtë zgjedhje, duke lënë të kuptohet se ky ishte një ogur i keq për “provimin e vjeshtës” të Shqipërisë përpara Komisionit Europian. “Zgjedhjet presidenciale ishin një shans tjetër që forcat politike në Shqipëri të konfirmonin fjalët e tyre për dialogun dhe bashkëpunimin politik. Fatkeqësisht, ky proces përbën një shans tjetër të humbur. Kam frikë se pa konsensus politik, vendi mund të humbasë gjithashtu të tjera shanse të rëndësishme”, theksoi Kukan, në një deklaratë të posaçme për zgjedhjen e kreut të ri të vendit në Shqipëri. Por nga ana tjetër, Kukan nuk harroi të përgëzojë dhe kreun e zgjedhur të shtetit, Bujar Nishanin për këtë detyrë, duke uruar që ai të ishte një president i të gjithë shqiptarëve. “Dua të përgëzoj z. Bujar Nishani që u zgjodh President i ri i Shqipërisë. Unë shpresoj se ai do të jetë i aftë të bashkojë dhe të përfaqësojë me pavarësi të gjithë qytetarët e Shqipërisë, si dhe të shërbejë në interesin e tyre më të mirë”, deklaroi dhe uroi njëkohësisht Eduard Kukan. Nga ana tjetër zëdhënësi i komisionerit Fule, Peter Stano, në një intervistë për këtë çështje u tregua i rezervuar, ndonëse nuk ngurroi të pranonte se edhe ai mendonte si Kukan për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri. Por zëdhënësi i Stefan Fules deklaroi se pas kësaj zgjedhjeje është e vështirë të shikohen sinjale pozitive në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. “Siç e dini vlerësimi ynë bëhet në vjeshtë, në muajin tetor. Por, unë mund t’ju them se në këtë moment është e vështirë të shohësh sinjale pozitive dhe momente pozitive që do ta çonin vendin, udhëheqësit politikë dhe popullin më pranë hapit tjetër të procesit të integrimit”, deklaroi Stano, duke u shprehur pesimist në kapërcimin e këtij provimi të rëndësishëm. Nga ana tjetër, Stano theksoi faktin se KE e kishte ndjekur me shumë kujdes procesin e zgjedhjes së Presidentit, duke lënë të kuptohet se çdo veprim do të merrej në konsideratë në vlerësimin e Shqipërisë për statusin. Ne vërejtëm zgjedhjen e Presidentit të Republikës dhe mund të përsëris se e kemi ndjekur gjithë këtë proces në mënyrë të tërësishme dhe nga shumë pranë. Dhe ne vijojmë të ndjekim nga shumë pranë situatën e përgjithshme politike në Shqipëri”, theksoi Stano. Shqipëria rrezikon të humbasë statusin e vendit kandidat për të tretën herë këtë vjeshtë, nisur nga fakti se një pjesë e madhe e prioriteteve të vendosura nga KE nuk janë zbatuar nga pala shqiptare. Vendi ynë me humbjen dy herë të statusit ka shënuar një precedent negativ dhe unik në historinë e përafrimit të vendeve me BE-në.

Peter Stano Eduard Kukan

Procesi – Stano theksoi faktin se KE e kishte ndjekur me shumë kujdes procesin e zgjedhjes së presidentit

Kukan – “Ky proces përbën një shans tjetër të humbur. Kam frikë se pa konsensus politik, vendi mund të humbasë gjithashtu të tjera shanse të rëndësishme”

Stano – “Vlerësimi ynë bëhet në vjeshtë, në muajin tetor. Por, unë mund t’ju them se në këtë moment është e vështirë të shohësh sinjale pozitive dhe momente pozitive që do ta çonin vendin, më pranë hapit tjetër në procesin e integrimit”

 

Eurodeputeti

Boshtinaru: I shqetësuar nga rruga e Berishës

Nga Brukseli, pas asaj të zëdhënësit të Stefan Fyle, përmes një deklarate, zëvendëskryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian për Marrëdhëniet me Vendet e Europës Juglindore, Viktor Boshtinaru, ka deklaruar pas zgjedhjeve të së hënës së Presidentit të Shqipërisë se “jam i shqetësuar vërtet nga rruga që Kryeministri Berisha dhe Partia Demokratike ndoqën për të menaxhuar zgjedhjet presidenciale. Respektimi i parimit demokratik për zgjedhjen e një presidenti konsensual do të kishte qenë me rëndësi kyçe për gjetjen e dakordësisë për 12 prioritetet kyçe të KE-së”. Sipas tij, në shumë raste Komisioni dhe Parlamenti Europian shprehën shpresën që më në fund Shqipëria do të zgjedhë një president i cili përfaqëson zyrtarisht unitetin e vendit dhe jo një president partizan të një partie politike. “Për fat të keq, ky nuk ishte rasti. Zoti Berisha tregoi paaftësinë e tij për të punuar mbi një bazë konsensusi”, shton Boshtinaru.

13.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.