Postuar me: 12:37 11-06-2012

Beqja: Borxhi po kalon kufirin ligjor 60 për qind

Shperndaje
Etiketat

Parashikimi i Bankës Botërore se Shqipëria do të ketë një rritje ekonomike 1.6 për qind për vitin 2012, konsiderohet si një shifër reale nga Partia Socialiste. Sekretari për programin e saj, njëkohësisht edhe ekspert për ekonominë, Ilir Beqja, në një intervistë për gazetën shprehet se në këto kushte qeveria duhet të tregohet e kujdesshme të ruajë balancat. Saktësisht ai i referohet faktit që në fillimvit gjithë treguesit janë llogaritur për një rritje 4.25 për qind të ekonomisë, ndërkohë që ato tani duhet të përshtaten me një rritje më modeste prej 1.6 për qind. Në të kundërt, sipas sekretarit të PS-së, ajo që na pret në fundvit është një borxh mbi 60 për qind, pra, që kalon edhe limitin e lejuar dhe të sanksionuar në ligjin e buxhetit. “Llogaritjet ekonomike tregojnë se me rritje ekonomike 1,6 % dhe me vlerë nominale të borxhit publik e deflator sa parashikimet e fillimvitit, raporti i borxhit publik me PBB është 61,2%. 1,2% më i lartë se tavani i lejuar me ligj”, shprehet Beqja.

Rritja ekonomike, sipas Bankës Botërore, këtë vit do të jetë 1.6%. Sidoqoftë, sërish do ketë rritje, ndryshe nga çfarë tregon përditë në deklaratat e saj Partia Socialiste…
Rritja ekonomike në Shqipëri për vitin 2012 pritet të jetë 1,6 % sipas raportimit të fundit të një studimi të Bankës Botërore për vendet e rajonit tonë. Nëse dikush mund të entuziazmohet se rritja ekonomike është ende pozitive, nuk mund të anashkalohet se kjo rritje është:
–    Rritja më e ulët që prej vitit 1991, përjashtuar vitin e mbrapshtë 1997
–    Vazhdim i tendencës rënëse të filluar që në vitin 2009
–    5  herë më e ulët se rritja e vitit 2008
–    2,5 herë më e ulët se parashikimi i qeverisë në fillim të vitit.
Shifra prej 1,6 % e parashikuar për vitin 2012 nuk të habit. Aq më shumë duke u bazuar në çfarë ka ndodhur në 4 muajt e parë të vitit 2012. Me pretendimin se nuk është një listë shteruese, ja disa nga treguesit që e bëjnë të pranueshëm këtë nivel rritje: tregtia e jashtme është në rënie, përfshirë të dy komponentët e saj eksport dhe import, kërkesa e brendshme është në rënie, investimet publike janë në rënie, kreditimi i ekonomisë është në rënie, tregu i sigurimeve është në rënie etj.
Për shifrën 1,6% nuk ka pasur kontestime nga qeveria, nuk ka pasur as shprehje nervoziteti. Këto të lënë të besosh se edhe qeveria pranon këtë parashikim të bërë për vitin 2012.
Qeveria po përgatitet për ndryshimin e buxhetit, mendoni të se gjithë treguesit duhet të rillogariten me një rritje 1.6%?
Nëse pranojmë se rritja ekonomike për këtë vit është 1,6 %, duhet të ribëhen urgjentisht ndryshimet e nevojshme buxhetore për të mbajtur borxhin publik brenda nivelit ligjor të 60% të produktit të brendshëm bruto. Ndryshimi i rritjes ekonomike nga parashikimi i fillimvitit 4,25% në 1,6% sjell një pakësim të vlerës nominale të PBB për vitin 2012 me 2,5% apo me 35,2 miliardë lekë. Sigurisht që në këto llogaritje është e domosdoshme të dihet se cili është vlerësimi i ri për deflatorin e PBB, por inflacioni mesatar i mujorit në 1,3% të mundëson të pranosh se deflatori do të mbetet në parashikimet e fillim vitit me 1,05%. Llogaritjet ekonomike tregojnë se me rritje ekonomike 1,6% dhe me vlerë nominale të borxhit publik e deflator sa parashikimet e fillim vitit, raporti i borxhit publik me PBB është 61,2 %. 1,2 % më i lartë se tavani i lejuar me ligj.
Pra duhet të rishikohen shpenzimet, edhe investimet?
Sigurisht që kjo situatë duhet ndryshuar. Që niveli i borxhit publik të zbresë në 60% të PBB, duhet që deri në fund të vitit vlera nominale e tij të jetë 16 miliardë më pak se parashikimi i fillimvitit prej 825,9 miliardë lekësh. Duhet bërë sa më parë, por sa mundësi praktike ka që kjo të ndodhë pa çuar në bllokim total të vendit. Në 4 muajt e parë të 2012-s deficiti buxhetor është 9 miliardë lekë më shumë se parashikimi. Pra, që tani qeveria e ka një shtrëngesë prej 25 miliardë lekësh. Ndërkohë që vazhdojmë të jemi në një situatë kur sipërmarrësit vijojnë të ankohen për mospagesën e faturave të punëve publike të përfunduara. Shembulli më i fundit është edhe shiriti i tunelit të Ujit të Ftohtë.

Borxhi me njE rritje 1.6%

 

Banka Botërore: Kujdes borxhin
Raporti i fundit i publikuar nga Banka Botërore për Europën Juglindore vuri theksin për një sërë masash që duhet të marrin qeveritë. Lidhur me vendin tonë, Banka këshilloi edhe një herë për ulje të borxhit publik, i cili është borxhi më i lartë në rajon. Sipas Bankës, kuptohet që në momente të tilla është e vështirë të ndërmerret si nismë, por vendi duhet t’i krijojë mundësinë vetes për hapësira fiskale, të cilat aktualisht i ka në limitet maksimale.

11.06.2012

 

Burimi: Gazeta Panorama, Nertila Maho

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.