Postuar me: 8:28 08-06-2012

Berisha, investitorëve: Do t’i ulim më tej taksat

Shperndaje
Etiketat

Qeveria do të vijojë më tej me uljen e taksave, duke ulur kështu barrën fiskale për të gjithë ata investitorë që vendosin të investojnë në Shqipëri. Kryeministri Sali Berisha, gjatë konferencës së tretë për investimet e huaja, organizuar nga AIDA, në bashkëpunim me Bankën Islamike për Zhvillim, u ka bërë thirrje investitorëve të huaj për të investuar në Shqipëri, duke iu përsëritur premtimin e një klime të favorshme për të bërë biznes. “Në këtë periudhë jo të lehtë nuk mendojmë të rrisim taksat, por mendojmë e do të mendojmë si t’i ulim ato më tej, si t’ju mbështesim juve më shumë. Në fund të fundit, janë burokracitë që sëmurën bizneset, janë praktikat e gabuara që rënduan mbi bizneset, janë sharlatanizmat financiare që sollën këtë krizë. Biznesi, si i tillë, ekonomia reale përballet me faktorë, të cilët nuk i krijoi vetë, por ia imponuan. Këtu e shohim ne rrugën përballimit të kësaj krize që ka pllakosur sot rajonin e më gjerë”, tha Berisha. Ai paraqiti në fjalën e tij edhe njëherë potencialet që paraqet Shqipëria për të investuar në sektorin e energjisë, turizëm apo në sektorin minerar. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili në fjalën  tij theksoi se është e rëndësishme që strategjitë e zhvillimit të kenë pjesë të tyre synimin e tërheqjes së investimeve të huaja. “Hartimi i politikave për tërheqjen e investimeve të huaja edhe nëpërmjet përmirësimit të mëtejshëm të klimës së biznesit dhe kuadrit përkatës ligjor, duhet të jenë pjesë e vazhdueshme në strategjinë e zhvillimit ekonomik të vendit”, u shpreh Fullani, duke ftuar investitorët të përfshijnë Shqipërinë në projektet e tyre të biznesit.

Buxheti faktik zbardh shifrat e fryra, ulen të ardhurat e shpenzimet
Viti 2011 rezulton të ketë qenë një ndër vitet më të vështira për vendin. Qeveria është detyruar që këtë ta pranojë në shifrat e buxhetit faktik të vitit të kaluar, të cilat Financat tashmë i kanë gati. Të ardhurat rezultojnë me një korrigjim në ulje prej 55 miliardë lekësh krahasuar me treguesit fiskalë të 12-mujorit, kurse shpenzimet rezultojnë me një korrigjim 67 miliardë lekë më pak. Gjithsesi, përputhshmëria e shifrave të publikuara në projektbuxhetin faktit të vitit 2011 është e tillë që ruan deficitin në nivele 45 miliardë lekë. Por si paraqiten në shifra reale shpenzimet dhe të ardhurat në buxhetin faktik? Sipas Ministrisë së Financave, viti 2011 u mbyll me një nivel të ardhurash prej 275.4 miliardë lekësh kur në treguesit fiskalë të 12-mujorit të ardhurat ishin 330.4 miliardë lekë. Ky nivel të ardhurash mbartte në vetvete një mosrealizim me gati 4 për qind të planit që kishte qeveria sipas buxhetit të rishikuar në mes të vitit. Në anën tjetër, korrigjimi më i madh ka qenë te shpenzimet, ku nga 376 miliardë lekë që rezultonin këto të fundit sipas treguesve të 12-mujorit, në projektbuxhetin faktik të vitit 2011 shpenzimet janë 309 miliardë lekë. Ndryshimet në mosrealizimin e të ardhurave dhe shpenzimeve janë të dukshme nëse llogaritë i bëjmë sipas buxhetit të rishikuar, ku rezulton që qeveria të ketë realizuar vetëm 80 për qind të planit të tij. Ndryshimet e mëdha reflektojnë edhe një herë atë që FMN-ja ka theksuar jo pak herë, që buxhetet e tejfryra me optimizëm janë të parealizueshme në kohë krizash, gjë të cilën më së miri e tregon projektbuxheti faktik i vitit të kaluar.

Burimi: Panorama

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.