Postuar me: 6:52 26-05-2012

Berisha: Presidenti i ri nga Kryesia e PD-së

Shperndaje
Etiketat

Luis Tanushi

sali-berisha-mbledhje-grup

sali-berisha-mbledhje-grup

Kryeministri Berisha i ka mbyllur derën kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama për të zhvilluar bisedime për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së Partisë Demokratike, Berisha deklaroi se negociatat do të zhvillohen në parlament, duke lënë të nënkuptohet se në bisedime do të jetë kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi. Në mbledhjen e djeshme, kryesia e PD-së mandatoi dhe tre anëtarët e saj për të nisur negociatat e zgjedhjes së Presidentit. Në përbërje të grupit të punës do të jenë kreu i grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi, anëtari i kryesisë Edmond Spaho dhe vetë kryetari I PD-së, Sali Berisha. Sot pritet takimi me kreun e PR-së, Fatmir Mediu. Në varësi të axhendës, mund të zhvillohet takimi i dytë me liderin e LSI-së, Ilir Meta.

 

Mbledhja

Takimi filloi në orën 19:00 ku 25 anëtarët e Kryesisë së Partisë Demokratike u mblodhën për të diskutuar për procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri dhe për mandatimin e tre anëtarëve për të vijuar negociatat me partitë e tjera parlamentare.  Burime brenda mbledhjes bëjnë të ditur se nuk ka pasur debate.  Ka qenë kryeministri Berisha ai që njohu pjesëmarrësit me procesin dhe për strategjinë që do të ndiqet gjatë ditëve në vazhdim. Shefi i mazhorancës nuk është ndalur në emra të veçantë duke vënë theksin te standardet që do të ndiqen në ditët në vazhdim. Kryeministri deklaroi se bisedimet ndërmjet përfaqësuesve të mazhorancës dhe të opozitës do të zhvillohen brenda ambienteve të Parlamentit, duke lënë të kuptohet se nuk do të ketë takime Berisha-Rama.

“Do bëhen negociata të ndershme duke përfshirë edhe opozitën. Këto negociata, dëshmi dhe detyrim politik për qytetarët. Kjo mazhorancë i ka të gjitha mundësitë të bëjë këtë vend me President. Zgjedhja e Presidentit, proces i negociueshëm me të gjitha palët politike. Nesër do takohem me aleatët për Presidentin. Negociatat duhet të fillojnë në selinë e Parlamentit. Kushtetuta është e qartë për zgjedhjen e Presidentit. Kryesia e PD-së ka njerëz të vlerësuar dhe të kuotuar. Nuk mund të ecim me klishe në këtë proces, nuk mund të them që karrigia e Presidentit nuk është për politikanët. Të angazhohemi me seriozitet jashtë çdo spekulimi që t’i japim vendit një President dinjitoz. Jam i gatshëm të shqyrtoj propozimet e PS-së”, u shpreh Berisha.

Duke u shprehur i hapur për një kandidaturë jopolitike nga PS-ja, kryeministri Berisha komentoi dhe marrëdhëniet me dy drejtuesit e opozitës gjatë viteve të fundit. “Me drejtuesit kryesorë të PS- kam dy praktika. Me Nanon kam bërë disa marrëveshje direkte të firmosura dhe të mbajtura. Me Ramën kam pasur bashkëpunim para 2009, jo në tryezë si më parë, por përmes ekipeve. Tentativa me Ramën ishte dështim, i qëndroj tezës për negociata. Unë e pranoj një kandidaturë jopolitike nga Partia Socialiste, por kundërshtari im nuk e pranon një kandidaturë nga Partia Demokratike”,theksoi kryetari i PD-së Berisha.

 

30 maji raundi i parë i votimit të Presidentit

Konferenca e Kryetarëve caktoi 30  majin për zhvillimin e votimit të parë për zgjedhjen e  Presidentit të Shtetit. 60 ditë para mbarimit të mandatit të Presidentit në detyrë, Kuvendi nisi procedurat e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit. Në mbledhjen e cila zgjati rreth 40 minuta, përfaqësuesit e mazhorancës dhe të opozitës kanë diskutuar  lidhur me procesin e  përzgjedhjes së kreut të ri të shtetit. Fillimisht mbledhja nisi me batuta ndërmjet palëve në lidhje me procesin. Gjatë mbledhjes, kryetari i grupit parlamentar socialist deklaroi se PS do të mbështesë vetëm një president të dalë nga negociatat midis forcave politike dhe të zgjedhur në mënyrë konsensuale. Pas kësaj deklarate, ka reaguar kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, sipas të cilit Presidenti do të zgjidhet në frymën e Kushtetuese. Gjithsesi, demokratët në mbledhja janë treguar të kujdesshëm.

Në vijim të fjalës së tij, nënkryetari I PD-së, Astrit Patozi, deklaroi se nuk do të përjashtohet as një emër i zgjedhur konsensual.  Palët janë ndarë edhe në lidhje me datën e votimit. Demokratët dhe socialistët nuk kanë rënë dakord në lidhje me datën e votimit të parë, që është përcaktues edhe për raundet e tjerë të votimeve. Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura bëjnë të ditur se ka qenë ndërhyrja e përfaqësuesit te LSI-së, Vangjel Tavo, që ka zgjidhur ngërçin e krijuar. Për të mos penguar veprimtarinë normale të jetës parlamentare, Tavo propozoi 30 majin.  Sipas tij, kjo nuk do të pengonte seancat plenare nga miratimi i ligjeve.  Rregullorja e Kuvendit përcakton se Presidenti zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat. Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut do të shqyrtojë nëse kandidatët i plotësojnë kushtet e përcaktuara në Kushtetutë dhe do t’i paraqesin raportin seancës plenare, sipas afatit të përcaktuar nga Konferenca e Kryetarëve.

Pas ndryshimeve kushtetuese të realizuara me pëlqimin e  PD-së dhe të PS-së, Presidenti zgjidhet me një shumicë prej jo më pak se tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit në votimin e parë, votimin e dytë ose votimin e tretë. Në votimin e katërt dhe në votimin e pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se 7 ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit, dhe në rast se në votimin e parë nuk arrihet shumica prej tri të pestave të votave, Konferenca e Kryetarëve menjëherë cakton datën e kryerjes së votimit të dytë, i cili zhvillohet jo më vonë se 7 ditë nga kryerja e votimit të parë. Për votimin e dytë dhe sipas pikës 2 të këtij neni mund të paraqiten kandidatë të rinj nga jo më pak se 20 deputetë, që s’kanë marrë pjesë në asnjë grup propozues në votimin e parë, ose kur kandidati që ata propozuan në votimin e parë është tërhequr.

 

OSBE: Pres të shoh një proces transparent, të drejtë dhe konstruktiv”

Faktori ndërkombëtar përsëri apelin drejtuar klasës sonë politike për zgjedhjen e një presidenti konsensual. Pas takimit me liderin e opozitës, ambasadori i OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wollfarth, u shpreh optimist për një proces transparent dhe konstruktiv. “Shoh një shkallë të lartë konstruktiviteti në dëshirën për të pasur një president konsensual. Shoh linja të rëndësishme dialogu mes drejtuesve, veçanërisht midis drejtuesve të partive, të cilat janë të hapura dhe të përdorura. E gjithë kjo më duket shumë inkurajuese dhe pres me dëshirë të shoh një proces të suksesshëm të hapur, transparent, të drejtë dhe konstruktiv”, theksoi ambasadori Wollfarth.

 

 Lista e plotë e 25 anëtarëve të kryesisë së re të PD-së:

1. Sali Berisha

2. Adriana Gjoni

3. Aldo Bumçi

4. Arben Qirjako

5. Arta Sakja

6. Astrit Patozi

7. Bujar Nishani

8. Edi Paloka

9. Edmond Spaho

10. Eduart Halimi

11. Fatos Beja

12. Flamur Noka

13. Genc Ruli

14. Ilir Rusmajli

15. Jemin Gjana

16. Jozefina Topalli

17. Keltis Kruja

18. Lajla Përnaska

19. Lulzim Basha

20. Majlinda Bregu

21. Mesila Doda

22. Myqerem Tafaj

23. Rajmonda Bulku

24. Ridvan Bode

25. Sokol Olldashi

Burimi:Shekulli

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.