Postuar me: 8:43 16-06-2015

Blerja e votave, në prokurori provat kundër Ismailit (Burimi: Gazeta Shekulli, www.shekulli.com.al)

lajm-shqip prokuroriPolicia e Tiranës depozitoi dje në prokurori kallëzimin penal ndaj kreut aktual të bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili, i cili është denoncuar në komisariatin nr. 6 nga dy qytetarë, pasi i ka paguar ata me nga 10 mijë lekë në këmbim të votës në zgjedhjet e 21 qershorit. Kallëzimi ndaj Ismailit është referuar në nenin 328 të Kodit Penal, i cili lidhet me krimet zgjedhore për blerjen e votës. Referuar këtij neni, Ismaili akuzohet për dhënien e shpërblimeve dhe premtimeve për marrjen e votës nga qytetarët. Nëse në përfundim të hetimeve kryebashkiaku dhe kandidat për rizgjedhje më 21 qershor, do të gjendet fajtor nga gjykata, rrezikon nga gjashtë muaj deri në 1 vit burgim. Dhënia e shpërblimeve në këmbim të votës u fut si vepër penale me ndryshimet ligjore më 1 mars të vitit 2012.

Ndër provat bashkëlidhur kallëzimit të policisë, depozituar dje në prokurori, janë dhe dëshmitë e banorëve të Vorës, B.S. 45 vjeç dhe SH.B. 49 vjeç, të cilët në polici kanë dëshmuar se janë paguar me nga 10 mijë lekë në këmbim të votës për kreun aktual të bashkisë dhe kandidatin e Partisë Demokratike për zgjedhjet e 21 qershorit, i cili synon mandatin e katërt. Fiqiri Ismaili, i cili drejton prej 3 mandatesh bashkinë e Vorës, garon edhe në këto zgjedhje nën siglën e Partisë Demokratike, përballë kandidatit të koalicionit të majtë, Luan Sallaku. Blerja e votës, sipas dëshmive të qytetarëve, është bërë në zyrat e firmës së miellit “Agro Blend” të kryebashkiakut Ismaili. Sipas deklarimeve, pagesat u janë bërë nga vetë Fiqiri Ismaili, ndërsa të njëjtat burime nga prokuroria e Tiranës sqaruan se Ismaili nuk ka dhënë ende deklarime në polici. Sipas tyre, sapo dosja t’i kalojë Task-Forcës për krimet zgjedhore, ai do të thërritet për të dëshmuar.

Por publikisht Ismaili i ka mohuar këto akuza, duke deklaruar se qëndrimet e dy banorëve të Vorës janë shpifje. Prej disa ditësh bashkia e Vorës është kthyer në qendër të akuzave, sa i përket blerjes së votave dhe shtimit në lista të votuesve fiktivë. Ishte sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, i cili artikuloi disa ditë më parë akuzat nga salla e Kuvendit për shtim në listat e zgjed-hësve të rreth 600 personave, të cilët nuk kishin lidhje me Bashkinë e Vorës. Po dje në medie u bënë publike edhe dy dëshmi të tjera të banorëve të Vorës, të cilët rrëfenin së ishin paguar me nga 10 mijë lekë për të votuar Fiqiri Ismailin. Në dy video të ndryshme shfaqen dy banorë të zonës, të cilët pranojnë se kanë marrë nga 10 mijë lekë në këmbim të votës. Në videon e parë shfaqet shtetasi Shpëtim Beqja, i cili pranon se ka marrë 10 mijë lekë nga kryetari i shtabit elektoral të PD-së në lagjen “Vorë e Re”, njëkohësisht anëtar i KZAZ, me profesion mësues.

Gazetari: Çfarë lidhje ke ti me Ymer Kodrën se nuk e kuptoj?

Qytetari: Më thirri, hajde këtu.

Gazetari: Kush të thirri mor burrë?

Qytetari: Ymeri.

Gazetari: Kodra?

Qytetari: Po, e kam çun halle, po më thirri hajde këtu. Ça të them unë!

Gazetari: Po çfarë të tha pastaj?

Qytetari: Po asgjë ore, ndenjëm çerek ore, gjysmë ore.

Gazetari: Po të dha ndonjë lekë? Po normal të ka dhënë ndonjë lek.

Qytetari: Po, 100 mijë lekë një kafe, 100 mijë lekë një kafe.

Biseda e dytë Në videon e dytë Abedin Kurti, banor i Vorës, pranon se i kanë dhënë 10 mijë lekë te zyrat e firmës private të kryetarit të bashkisë Fiqiri Ismaili, para këto që i ka prishur më pas.

Qytetari: I nxori dy 50¬-she dhe ia futi në procesverbal, tak dhe ia futi!

Gazetari: Ty a t’i morën lekët? Se ti s’ke pas lekë? Tjetrin e kanë kapur me lekë në dorë.

Qytetari: Më tha mua, më tha nxirri lekët.

Gazetari: Tjetrin e kanë kapur me lekë në dorë.

Qytetari: Më tha nxirri lekët.

Gazetari: Sa ka dalë tjetri e kanë kapur për krahu, ku ishe? Këtu brenda. Ça bëre?

Qytetari: Më dha 100 mijë lekë ai.

Gazetari: Pse ti dha? Për vota?

Qytetari: Më tha mua ai drejtori, lekët ku i ke? I thashë, lekët i kam bërë, një thes mielli 25 kg, 20 i pata blerë mish e shkova ia çova se më vinte te dera, ndërsa 50 mijë i kam bërë birrë e raki e mish e patate. Tani i thashë me m’vra se veç lekët e punës. Lekët e punës i thashë mua më heqin në vend.

Baza ligjore për blerjen e votës

Sipas nenit 328 të Kodit Penal, në rast se Fiqiri Ismaili shpallet fajtor, ai rrezikon deri në një vit burgim. Priten përfundimet e hetimit nga organi i akuzës për të vërtetuar blerjen ose jo të votës nga kandidati i djathtë për Vorën. Neni për “detyrim për pjesëmarrje në veprimtari politike” thotë: Detyrimi i shtetasve nën varësi administrative, kundër vullnetit të tyre apo nën kanosjen e përdorimit të masave administrative, për të marrë pjesë në veprimtarizgjedhore të një subjekti zgjedhor përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj. Detyrimi apo organizimi për të marrë pjesë në veprimtari elektorale të një subjekti zgjedhor i nxënësve të arsimit parauniversitar nga punonjës që kryejnë një detyrë shtetërore në arsimin publik, ose detyrë a funksion në arsimin jopublik, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga tre muaj gjer në një vit.

Votimi i të burgosurve

Drejtori i Burgjeve, Artur Zoto, informoi dje KQZ-në mbi ecurinë e procesit të regjistrimit të shtetasve, që vuajnë dënimin në disa institucione të ekzekutimit të vendimeve penale, për t’u bërë edhe ata pjesë e procesit zgjedhor të 21 qershorit. Por përfaqësuesi ligjor i PD-së në Komision, Ivi Kaso shprehu shqetësim për mosrespektimin e afateve ligjore nga ana e DPPB-së në transferimin e vendbanimit të votuesve, të dënuar ose të paraburgosur. Kaso tha se data 11 maj ka qenë afati final i publikimit të listës përfundimtare të zgjedhësve dhe pas këtij afati kush nuk figuron në lista, i mohohet e drejta e votimit. Kryetarja e KQZ-së, Lefterije Luzi, duke e pranuar problematikën theksoi se: “Relatimi nga ana e Drejtorisë së Burgjeve bëhet mbi bazën e rekomandimit të audituesve të KQZ-së, i gjithë procesi që bëhet është publik. Kush institucion e shkel Kodin Zgjedhor të mbajë përgjegjësi”, – tha Luzi.

 

16.06.2015

Burimi: Gazeta Shekulli

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.