Postuar me: 7:09 12-06-2012

Bujar Nishani, Presidenti i ri i Republikës

Shperndaje
Etiketat

Kandidatura e mazhorancës merr 73 vota Pro. Opozita bojton procesin

Bujar Nishani do të jetë presidenti i gjashtë i Republikës së Shqipërisë. Kandidatura e mazhorancës, Bujar Nishanit, ka arritur të marrë votat e nevojshme për të qenë kreu i ri i shtetit. Në votim kanë marrë pjesë 76 deputetë, pasi opozita ndonëse e pranishme në sallën plenare, ka vendosur të bojkotojë procesin. Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka vendosur të marrë pjesë në votim, por e ka hedhur fletën të bardhë në kutinë e votimit, duke e nxjerrë të pavlefshme në mënyrë publike. Me mazhorancën janë bashkuar edhe deputetët Kastriot Islami dhe Gazmend Oketa, ndërkohë që Dritan Prifti nuk ka qenë i pranishëm në sallë. Procesi i votimit është zhvilluar normalisht, por nuk kanë munguar momente ilariteti në sallë. Në kohën kur shefi i mazhorancës, Sali Berisha, ka përfunduar procesin e votimit, opozita e ka duartrokitur në mënyrë ironike dhe ai i është përgjigjur duke buzëqeshur dhe përshëndetur me dorë. Pas procesit të votimit, Berisha është larguar për disa minuta nga salla, për tu rikthyer në momentin kur kreu i komisionit të votimit, deputeti i PD-së Viktor Gumi, ka deklaruar votën e 73 pro kandidaturës së Bujar Nishanit. Pas kësaj, opozita është larguar nga salla, ndërkohë që deputetët e mazhorancës kanë shkuar të urojnë Bujar Nishanin, i cili tani pritet të dorëhiqet nga posti i ministrit të Brendshëm.  Zoti Bujar Nishani ishte kandidatura e vetme në raundin e katërt të votimit për zgjedhjen e Presidentit. Ai u propozua gjatë pasdites së sotme, pas tërheqjes së papritur të Artan Hoxhës, i cili u largua nga gara pak minuta para se të niste votimi gjatë paradites. Ai ishte një ndër katër emrat që maxhoranca propozoi një natë më parë në tryezën me liderin e opozitës. Zoti Nishani është tashmë Presidenti i gjashtë, i cili u zgjodh pa konsensusin e opozitës. Gjatë orëve të pasdites pati debate nëse kjo kandidaturë ishte apo jo kushtetuese, për shkak se ai mban detyrën e ministrit të Brendshëm.

Profili i Presidentit të ri

Presidenti i sapozgjedhur i Republikës, Bujar Nishani është i datëlindjes 29 shtator 1966. Zoti Nishani i lindur ne Durrës, ka përfunduar studimet e larta në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”, e më pas ato pasuniversitare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1996. Nga viti 2000 deri në vitin 2004 përfundon studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë, ku diplomohet si jurist. Në CV e tij arsimore përfshihet edhe titulli master për studime europiane. Veprimtaria e tij profesionale daton në vitin 1988, si pedagog i Akademisë Ushtarake “Skënderbej”, në vitin 1993, si specialist i marrëdhënieve me jashtë në Ministrinë e Mbrojtjes, në 1994 si specialist i marrëdhënieve me NATO-n në Ministrinë e Jashtme, për t’u rikthyer sërish një vit më vonë si drejtues në kabinetin e ministrit të Mbrojtjes. Pas vitit 1997, ai ka qenë i lirë në profesionin e tij, deri në mars të vitit 2007, kur emërohet ministër i Brendshëm. Dy vjet më pas si ministër i Drejtësisë, dhe rikthehet në këtë post, në vitin 2011.  Që nga viti 1991 e deri më sot është anëtar i Partisë Demokratike, anëtar i kryesisë së PD-së, si edhe anëtar i Këshillit Kombëtar të kësaj partie. Zoti Nishani është i martuar me zonjën Odeta dhe ka dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë, Ersi dhe Fiona Nishani.

11 qershor 2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Postuar 1 Koment
Mendimi i juaj
  1. luan feleqi says:

    Familja e Luan FELEQIT e perber nga dy djemt ERMAL, dhe BENARD ,SI Bashkeshortj Drita Feleqi nga vlora ,prej 10 vjetesh ne qytetin PADOVA Itai U GEZUAM SHUME kur degjum se z,BUJAR NISHANI U ZGJODHE President i Republikes te SHQIPERISE ,Ju urojme shendet dhe suksese ne detyren tuaj me te larte te shtetit tone,Ne kemi besim te madhe tek ju zoti PRESIDENT, Ermali doktor shkencash ,punon si bashke puntor shkencor ne UNIVERSITETIN E MATEMATIKES PADOVA ,ME KONDRAT te perkoshme, URIME PERSHENDETJE NGA FAMIJA LUAN FELEQI Padova 19 06 2012,

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.