Postuar me: 15:15 21-10-2015

Deklarata për shtyp e deputetes së Lëvizjes Socialiste për Integrim, znj. Kejdi Mehmetaj (Burimi: LSI, www.lsi.al)

0X1E5402Deklarata për shtyp e deputetes së Lëvizjes Socialiste për Integrim, znj. Kejdi Mehmetaj.

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka qenë gjithmonë shumë i vëmendshëm dhe i kujdesshëm për sa i takon problemeve të të rinjve dhe reflektimit të interesit rinor në ligjet apo paketat që kemi diskutuar e miratuar.

Sot kemi depozituar në Kuvendin e Shqipërisë një projektligj të munguar dhe shumë të kërkuar nga të rinjtë dhe shoqëria civile, ligjin për vullnetarizmin.

Ligji për vullnetarizmin ka qenë një ndër pikat tona kryesore në programin për rininë dhe sot ndihemi mirë që më në fund mund ta shtyjmë këtë proces përpara.

Puna për hartimin e këtij ligji ka nisur rreth dy vite më parë dhe nuk bëhet fjalë vetëm për një ligj, por për një politikë të dedikuar për vullnetarizmin. Të rinjtë e Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë punuar për rreth dy vite në konsultime të vazhdueshme me shoqërinë civile dhe të rinjtë në gjithë Shqipërinë, duke e shoqëruar këtë dhe me mjaft aksione konkrete të vullnetarizmit nga ana e LRI-së, e cila ka provuar në terren domosdoshmërinë e madhe të këtij ligji. Aksione këto që kanë qenë të larmishme të shumta dhe kanë prekur një sërë fushash të vullnetarizmit. Këto janë shtrirë përgjatë në kohë qysh prej themelimit të LRI-së si organizatë.

Interesi i të rinjve dhe qytetarëve është gjithmonë e më shumë në rritje sa i takon punës vullnetare dhe dëshirës për të qenë aktiv në komunitet dhe social në përditshmëri, por mungesën e një strategjie për vullnetarizmin dhe një kuadri ligjor rregullator në këtë aspekt e bën të vështirë për institucionet të hapin dyert për vullnetarët dhe gati të pamundur për qytetarët të tregohen vullnetarë ose të kryejnë punë vullnetare.

Ndër shtysat kryesore për të punuar me këtë ligj, përveç kërkesës së drejtpërdrejtë të të rinjve, ishin edhe benefitet, që sjell vullnetarizmi në shoqëri. Impakti që ka tek vullnetarët drejtpërdrejtë, duke zhvilluar tek ata ndjenja humane dhe duke i bërë më të përgjegjshëm.

Impakti që ka për shoqërinë në tërësi në aspektin social dhe në zhvillimin e demokracisë dhe impakti pozitiv që krijohet në ekonominë e vendit është tashmë gjerësisht i provuar.

Gjithashtu, Bashkimi Evropian rekomandon formalizimin e punës vullnetare si një mundësi për të nxitur një shoqëri aktive, për të shtuar solidaritetin në komunitet dhe njëkohësisht për të rritur kapacitetet personale të individit.

Ky ligj që kemi depozituar sot do të rregullojë marrëdhëniet midis aktorëve pjesëmarrës në fushën e vullnetarizmit si dhe do të përcaktojë hapësirën vepruese, gjithashtu do të shërbejë si ura që do të lidh institucionet shtetërore qendrore dhe lokale me vullnetarizmin si proces.

Ligji parashikon detyrat dhe evidenton të drejtat duke bërë të mundur bashkëpunimin e subjekteve në arritjen e asaj që quhet e mira e përbashkët.

Pra ky është një ligj dedikuar vullnetarizmit, por mbi të gjitha vullnetarëve. Përgjatë kësaj periudhe dyvjeçare pune, komunikimi ynë ka qenë i vazhdueshëm edhe me ekspertizën ndërkombëtare, e cila ka mbështetje maksimale për këtë nisëm. Gjithashtu, për ne është e rëndësishme që maxhoranca në tërësinë e saj e ka kthyer vëmendjen drejt vullnetarizmit, pasi kështu do zhvillojmë një politikë gjithëpërfshirëse dhe në shërbim të qytetarëve.

Ne kemi bindjen se depozitimi i këtij ligji në Kuvend ndër të tjera do të nxisë një debat të gjerë qytetar mbi vullnetarizmin dhe gjithashtu do i hapë rrugën një sërë nismave të tjera të ngjashme.

Projektligjin per Punën Vullnetare

21.10.2015

Burimi: LSI

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.