Postuar me: 7:51 09-06-2012

Dështimi me hekurudhat, Olldashi: Me koncesion

Shperndaje
Etiketat

Ministri Sokol Olldashi : Transporti  i mallrave fitimprurës, por gjendja është aspak e mirë.

Tuneli i Kalimashit, me pagesë pas sezonit turistik.

Qeveria do të përp-iqet që sektorin hekurudhor, aktualisht në një gjendje që lë për të dëshiruar, ta kalojë me koncesion te privati. Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi, gjatë fjalës së tij në Konferencën e tretë për investimet e huaja, u shpreh se qeveria po mundohet që të ngjallë interes që ky sektor t’i kalojë privatit, duke ruajtur disa specifika subvencionimi në favor të pasagjerëve. “Më duhet të pranoj që gjendja e infrastrukturës hekurudhore është aspak e mirë. Ne kemi një rrjet të vjetër, po hasim problematika të mëdha përsa i përket transportit të pasagjerëve. Për shkak të amortizimit dhe shpejtësisë mesatare, ne jemi të prirë dhe po përpiqemi të ngjallim interes në një dhënie me koncesion të sektorit hekurudhor, sigurisht duke mbajtur subvencionin për transportin e pasagjerëve, që është me humbje, por duke pasur parasysh faktin që transporti i mallrave në hekurudhë vazhdon të jetë fitimprurës”, tha Olldashi. Ai vlerësoi se aktualisht Shqipëria mbetet jashtë lidhjes hekurudhore me vendet e rajonit, çka ndikon negativisht.
Raporti i konsulentit
Një raport i financuar nga Bashkimi Europian dhe i hartuar nga konsulenti Luis Berger në vitin 2010, e nxjerr sektorin hekurudhor në Shqipëri në një nivel të mjerueshëm. Cilësia e shërbimit dhe standardi i këtij transporti, sipas konsulentit, është shumë larg standardeve europiane. Në të gjithë këtë situatë konsulenti parashtron katër opsione për qeverinë, të cilat mund të shërbejnë për rimëkëmbjen e hekurudhave. Në këto katër opsione, i pari sugjeronte investime minimale në sektor, por që bart si risk një kosto në rritje nëse trafiku vijon të bjerë, sikurse ka ndodhur së fundi. Opsioni i dytë ishte ai i mbylljes së plotë ose të pjesshme të hekurudhës, duke shitur apo duke dhënë me koncesion te privat pjesë të veçanta të saj. Opsioni i tretë përfshin përmirësimin e infrastrukturës vetëm në një pjesë ku trafiku është i siguruar, siç është itinerari Tiranë-Durrës, ndërsa opsioni i katërt përfshin përmirësime të mëdha në hekurudhë dhe rrjedhimisht, edhe një kosto shumë të lartë. Zëvendësministri i Punëve Publike, Ernest Noka, pak kohë më parë pranoi në Komisionin e Ekonomisë se kostoja e ndërtimit të hekurudhës është shumë e lartë dhe nuk justifikon shpenzimin. Sipas tij, studimi ka treguar që fizibël është vetëm pjesa që lidhet me hekurudhën Tiranë-Durrës, për të cilën kanë shfaqur interes kompani të huaja.
Rruga Milot-Morinë
Kreu i Ministrisë së Punëve Publike tha dje se qeveria është duke kaluar mirëmbajtjen e autostradës Milot-Morinë te sektori privat. Ai tha se pritet që shumë shpejt, pesë kompanitë që janë në garë do të paraqesin ofertat e tyre ekonomike pas kalimit me sukses të fazës që lidhej me dokumentacionin tekniko-ligjor dhe kushtet financiare që duhet të përmbushte operatori. Hapja e ofertave pritet që të bëhet në muajin korrik, ndërsa kalimi i plotë i rrugës për mirëmbajtje dhe operim te koncesionari të bëhet në fund të gushtit. Këtij të fundit, pas shpalljes si fitues, do t’i duhet kohë që të instalojë në rrugë edhe pikat e pagesës, që siç është përcaktuar, do të jenë edhe te tuneli i Kalimashit. Përfundimi i këtyre procedurave do të kërkojë një hapësirë kohore, çka lë të kuptohet se qytetarët do të paguajnë për të kaluar nëpër autostradën Milot-Morinë pas sezonit turistik në mes të shtatorit.

Opsionet e konsulentit, propozuar qeverisë për hekurudhat
Opsioni 1:
 Status-kuoja kryesore që do të përfshinte vazhdimin e niveleve minimale të investimeve në sektorin e hekurudhave. Ky opsion do të minimizonte kostot e investimeve, por kostoja e DSHP ka të ngjarë që të rritet edhe më nëse trafiku vazhdon të bjerë. Cilësia e shërbimeve do të ngelet e ulët dhe me ndonjë rënie të mëtejshme si pasojë e mungesës së investimeve.

Opsioni 2: Mbyllje e pjesshme ose e plotë. Mbyllja e pjesshme e rrjetit hekurudhor mund të nënkuptonte edhe shitjen, ose dhënien me koncesion, si një Opsion 2a, ose mund të zbatohet një mbyllje e plotë e hekurudhave, si Opsion 2b.

Opsioni 3: Një program investimesh i moderuar me prokurime të një pjese të parkut. Kjo mundësi përfshin përmirësim të infrastrukturës së linjës Tiranë-Durrës (hekurudhë dhe stacion) që të mundësojë shpejtësi udhëtimi +60/80 km në orë dhe prokurim të lokomotivave të reja ose të përdorura për zhvillimin e një shërbimi urban, dhe do të kërkonte një përmirësim të kufizuar infrastrukture, duke përfshirë pajisjet e mirëmbajtjes së hekurudhës së mekanizuar. Pjesët e tjera të infrastrukturës së hekurudhës së këtij opsioni do të përmirësoheshin për linjën e Vlorës deri në Han të Hotit, në kufi me Malin e Zi, që të mundësojë një ngarkesë aksiale më të madhe dhe të rrisë trafikun e transportit ndërkombëtar. Përmirësimi i pjesës Durrës-Elbasan do të ishte hapi i fundit nën këtë opsion nëse veprimtaria industriale e Elbasanit do ta justifikonte një gjë të tillë.

Opsioni 4: Përmirësime të mëdha, siç propozohet te studimi i “Rrjetit shqiptar hekurudhor”: Projekti “Përmirësime të infrastrukturës dhe sistemit të sinjalizimit”: Ky opsion do të kërkonte një investim më të madh të 197 km rrjet sipas Opsionit 3. Gjithashtu nevojitet të përmirësohen 35 km të linjës Shkodër – kufi, për të garantuar që mundësisht të ofrohen shërbime për tregje potencialisht të mëdha trafiku.

NERTILA MAHO

Burimi:Panorama

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.