Postuar me: 7:47 16-06-2015

Dosja e kolumbianit të kokainës (Burimi: Gazeta Shekulli, www.shekulli.com.al)

lajm-shqip DosjaKontenieri i mbushur me banane, ku ishin fshehur 256 kg kokainë, që u bllokua në portin e Mal të Zi, kishte destinacion Shqipërinë. Prokuroria për Krime të Rënda, me ardhjen e letër-porosisë nga drejtësia malazeze, ka konkluduar se droga e kapur në portin e Tivarit vitin e shkuar kishte destinacion firmën shqiptare që ndodhet në Fier. Por, nga hetimet e kryera, prokuroria thotë se nuk u arrit të provohet se administratori apo pronari i kësaj firme kishte porositur lëndë narkotike në Ekuador. Gjatë marrjes në pyetje, sipas akuzës, ata kanë pranuar se kishin porositur banane dhe jo lëndë narkotike, që u gjet në dyshemenë e dyfishtë të kontenierit që vinte nga Ekuadori.

Prokuroria për Krime të Rënda nga ana tjetër, dërgoi në gjyq me cilësinë e të pandehurit për akuzën e trafikut të drogës në bashkëpunim, kolumbianin me shtetësi spanjolle Cesar Augusto Pelaez Triana. Ky i fundit, sipas akuzës, pas arrestimit të 10 qershorit të vitit të kaluar, ka pranuar se kishte ardhur në Tiranë për të marrë një pjesë të pagesës së drogës që do të vinte nga Ekuadori. Ai i ka thënë hetuesve, se me ardhjen e sasisë prej 256 kg kokainë në Shqipëri, do të merrte 600 mijë deri 1 milion euro, që do t’i transferonte drejt Spanjës, me ndihmën e një drejtori të një banke të nivelit të dytë në vend.

Me sekuestrimin e drogës, ai ka tentuar të largohet nga Shqipëria, por është arrestuar në aeroportin e Rinasit, ku edhe ka dhënë shpjegimet e rrugëtimit të ndjekur drejt Tiranës, si dhe kontaktet që kishte me shtetasit shqiptarë. Këta të fundit, nga prokuroria ende nuk janë identifikuar dhe për këtë fakt dosja është veçuar për vazhdim hetimesh. Në bazë të akteve të organit të akuzës, rezulton se me datë 10 qershor 2014, është ndaluar shtetasi Cezar Pelaez, i cili ka ardhur në territorin shqiptar me qëllimin për të marrë një sasi parash, të cilat do të tërhiqeshin në funksion të një trafikimi ndërkombëtar të lëndës narkotike, e nisur nga shteti i Ekuadorit për në drejtim të shtetit shqiptar. Në deklarimet e tij, Cesar Augusto Pelaez Triana tregon se, ka mbërritur në territorin e shtetit shqiptar, i porositur nga disa persona, me qëllim për të marrë një sasi të konsiderueshme parash në funksion të trafikimit të lëndëve narkotike, me destinacion shtetin shqiptar.

Dëshmia e kolumbianit

Kolumbiani Triana deklaron se: “…kam ardhur më datë 19 maj 2014 me linjën Barcelonë-Romë-Tiranë. Nuk më priti njeri dhe kam ardhur në Tiranë me një taksi, të cilën e kam paguar 20 Euro. Në internet kisha gjetur një hotel, të cilit nuk ia mbaj mend emrin dhe kam pyetur taksistin, i cili më rekomandoi një hotel tjetër në qendër të Tiranës që quhet “A…..”. Aty kam qëndruar një ditë dhe më pas jam transferuar në një hotel tjetër që ishte pranë qendrës dhe kushtonte rreth 35 euro. Aty kam qëndruar për 4-5 ditë dhe më pas jam transferuar në një hotel më të lirë që ndodhej pranë një bulevardi ku niseshin autobusë për në Greqi. Përpara hotelit kishte një tabele që shkruante “10 Euro”.

Aty kam qëndruar deri më datë 9 qershor 2014, datë të cilën u nisa për në Rinas. Qëllimi i vizitës sime në Shqipëri ishte që të merrja një sasi parash për një ngarkesë droge që do të vinte me një kontenier me fund të dyfishtë. Unë isha porositur nga dy kolumbianë, njeri me emrin El Chiquetette dhe Perea, që të vija në Shqipëri dhe pasi të kontaktoja me një numër telefoni, do të merrja një këst parash që varionte nga 600 mijë deri 1 milion euro. Nga kjo punë unë do të fitoja 200 mijë euro”. Sipas Prokurorisë, roli i të pandehurit Cesar Augusto Pelaez Triana konsiston në marrjen e pagesës për lëndën narkotike që do të vinte në Shqipëri me anë të një kontenieri, porosi e firmës “Rrapaj” shpk. Kjo sasi lënde narkotike është kapur dhe sekuestruar në shtetin malazez.

Në këto kushte, fakti penal lidhet me mbërritjen në Shqipëri të një sasie lënde narkotike, e cila nuk ka mbërritur për shkak se forcat e policisë malazeze kanë sekuestruar sasinë e saj. Sipas procesverbalit të sekuestrimit të provës materiale, ardhur me anë të letër porosisë, rezulton se në Mal të Zi është sekuestruar një sasi lënde narkotike në masë të konsiderueshme. Kolumbiani Triana ka mbajtur qëndrim pohues në fillim të pyetjes së tij, deklarime këto të vërtetuara dhe me veprime të tjera hetimore, duke pranuar faktin penal të ndodhur, mënyrën e kryerjes së tij dhe qëllimin për të cilin ka kryer veprën penale, që lidhet me përfitimin monetar.

Arrestimi

Fillimisht 36-vjeçari Cesar Augusto Pelaez Luiz Triana, në Rinas është ndaluar me pretekstin e një dyshimi se, njëri prej dokumenteve që ai kishte me vete, dyshohej të ishte i falsifikuar. Ai është shoqëruar në ambientet e sigurisë së aeroportit fillimisht dhe më pas në atë të Komisariatit të Policisë së Rinasit. Aty është bërë edhe marrja në pyetje e Cesar Augusto Pelaez Luiz Triana, në lidhje me aktivitetin e tij në Shqipëri dhe kohën kur ka ardhur. Ai kishte mbërritur në Tiranë nga Spanja më datën 19 maj 2014 dhe kjo është verifikuar edhe nga sistemi TIMS. Hyrja e tij ishte bërë nga Rinasi.

Nga aktet e administruara në dosje, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera, rezultojnë të dhëna të provuara, sipas të cilave, vërtetohet dhe përfshirja e personave të tjerë në këtë veprimtari. Në këto kushte, subjekti ka vepruar në bashkëpunim, në drejtim të realizimit të veprës penale, ku për bashkëpunëtorët e tjerë është marrë vendimi për veçimin e çështjes dhe ushtrimin e mëtejshëm të ndjekjes penale. Kokaina prej 250 kilogramësh e fshehur në një kontenier me banane, që kishte destinacion Shqipërinë u kap në 5 qershor nga dogana e Malit të Zi në portin e Tivarit. Doganierët dhe policia zbuluan një fund të dyfishtë në njërin prej 3 kontenierëve që ishin të mbushur me banane dhe do të vinin në magazinat e një firme shqiptare në Fier.

 

16.06.2015

Burimi: Gazeta Shekulli

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.