Postuar me: 12:19 13-06-2012

“Drama shqipe”, peng i jurisë

Shperndaje
Etiketat

Pas konkursit të shpallur në janar të këtij viti nga MTKRS-ja, Teatri Kombëtar vendosi nja dy herë edhe shtyrjen e afatit për t’u dhënë kohë krijuesve që sillnin vepra edhe përtej kufijve, për ta mbyllur në fund të prillit. Në garë janë përfundimisht 26 dramaturgë me veprat e tyre. Nga kjo kohë ka pasuar heshtje. Procesi ka ngecur në ngritjen e një jurie nga MTKRS-ja që do të marrë në shqyrtim veprat

Një nga aktivitetet që këtë vit mbajnë përcaktimin “në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë”, është edhe konkursi i dramës shqipe. Lajmi u shpall nga ministria në janar të këtij viti, ndërkohë që Teatrit Kombëtar iu caktua pjesa teknike, grumbullimi i projekteve që do të paraqisnin dramaturgët, të sprovuar apo rishtarë në këtë fushë. Gjatë procesit Teatri Kombëtar vendosi nja dy herë edhe shtyrjen e afatit për t’u dhënë kohë krijuesve  që sillnin vepra edhe përtej kufijve, për ta mbyllur në fund të prillit. Në garë janë përfundimisht 26 dramaturgë me veprat e tyre. Nga kjo kohë ka pasuar heshtje. Procesi ka ngecur në ngritjen e një jurie nga MTKRS-ja që do të marrë në shqyrtim veprat. Thuhet se do të jenë 6 të tillë, sigurisht thuhet edhe se do të jenë njohës të fushës, por ende nuk janë bërë të njohur emrat. Nga teatri nuk mund të japin më shumë informacion se numrin e konkurrentëve, disa nga emrat e dramaturgëve që kanë menduar t’i hyjnë garës dhe disa detaje të tjera të lajmëruara që në fillim të shpalljes së konkursit. Nga ministria të thonë vetëm se pritet shpallja e jurisë. Në fakt, kalendari i veprimtarive artistike të këtij viti është modifikuar, ose më saktë ngatërruar keqazi, për shkak se prioritet i është dhënë festimit të 100-vjetorit të pavarësisë. Kjo të paktën thuhet teorikisht, pasi deri më tani kemi parë se aktivitetet e organizuara kanë qenë të rastësishme dhe nuk pati e as nuk ka një kalendar aktivitetesh të shpallura që në fillim të vitit me këtë rast. Ndërkohë, në këtë konkurs kanë marrë pjesë dramaturgë nga Shqipëria, Kosova, por edhe të tjerë që jetojnë në diasporë. Teodor Laço me “Vatani i harruar”, Ylldije Sulka me “Toka ime”, Odise Plaku me “Shtëpia e re”, “Zonja me maskë” nga Osman Goranci, “Ëndrra e Ismail Qemalit” nga Bashkim Kozeli, “Gjyqi i tradhtisë së lartë” nga Skifter Këlliçi, “Të mblidhemi në Lushnjë” nga Hekuran Zhiti, “Provat gjenerale të pavarësisë” nga Stefan Çapaliku, “Edipi kërkon autor” nga Gazmend Krasniqi, “Dhimbjet e lirisë” nga Agim Shehu, “Ditë sa njëqind vjet” nga Sokol Angjeli, “Burri që nuk vdes dot” nga Ruzhdi Pulaha, “Përtej kufijve” nga Nadire Buzo, “Testamenti” nga Ferdinand Hysi, “Kasetat” nga Naser Shatrolli, “Hisja e diellit” nga Fadil Kraja, “Dy kapitenët e UÇK-së” nga Vladimir Lulaj, “Copëza jete frymëzuar nga teatri” nga Ardian Christian Kyçyku, “Diktatorët e ngrirë” nga Besnik Alibali, “Ikona e të gjitha kohërave” nga Lazër Filipi, “Në tokën mes kufijve” Arben Kastrati etj., janë disa nga titujt e dramave të paraqitura në këtë konkurs. Nuk ka pasur kritere mbi tematikën, ndërkohë që një hap i tillë është ndërmarrë në emër të “rigjallërimit” të dramës shqiptare. Në fakt, përveç ngërçeve që gjenerojnë këto procese, në fakt mbetet ende i diskutueshëm rezultati i një sipërmarrjeje të tillë, përderisa vënia në skenë e dramave shqipe duket se nuk është në nivelet e pritshme artistike. Drama që do të shpallet fituese nga ky konkurs, përveç faktit që do të vlerësohet me një çmim prej 500 mijë lekësh, do të ngjitet premierë në Teatrin Kombëtar dhe do të jetë pjesë e festivalit të Dramës Shqipe që do të organizohet në muajt tetor-nëntor të këtij viti në Teatrin Kombëtar. Dy çmime të tjera përkatësisht nga 300 e 200 mijë lekë  do të shkojnë për dy drama të tjera, të cilat gjithashtu do të propozohen për t’u vënë në skenë të teatrove të qyteteve.

13.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.