Postuar me: 14:33 16-06-2012

Egjipti, në prag trazirash një ditë para votës presidenciale

Shperndaje
Etiketat

Zgjedhjet

Populli, i pakënaqur me kandidatët për kreun e shtetit

Egjipti vazhdon që të jetë i trazuar, madje ka nga ana që e shohin situatën në prag të një shpërthimi të ri. Një ditë para raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në Egjipt, në rrugë ka trazira të reja, disa vëzhgues madje druhen se do të ketë edhe dhunë të përgjakshme dhe kaos. Shkak është një vendim i Gjykatës Kushtetuese. Përkrahësit e Ahmed Shafiq e brohoritën vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Vetë ish-kryeministri egjiptian mbajti një fjalim gati njëorësh për atë që e quan “popullin e tij të dashur egjiptian”. Shafik foli për një vendim historik, i cili u lejon të gjithëve të marrin pjesë në të ardhmen politike të vendit. Përkrahësit e tij janë natyrisht të gëzuar me vendimin: “Ne jemi shumë të kënaqur me vendimin, pasi është një vendim i Perëndisë! Ata nuk mund t’i bëjnë më rregullat si të duan. Ky ligj do të kishte qenë një turp! Ai do të thoshte se mund të nxirrnin jashtë loje secilin, nëse do të donin!”, – thotë një prej përkrahësve të Shafikut. “Ata” janë islamikët, të cilët në Parlament kanë më shumë se 70 për qind të deputetëve. Ky Parlament kishte miratuar një ligj elektoral, sipas të cilit ish-funksionarë të lartë të regjimit të Mubarakut nuk mund të kandidonin për poste të larta politike. I besuari i Mubarakut, Shafik, nuk do të kishte pasur mundësi të merrte pjesë në zgjedhjet e balotazhit sot për postin e presidentit. Të enjten, Gjykata Kushtetuese e rrëzoi ligjin. Për shumë revolucionarë, ky është një sinjal i qartë se Këshilli i Lartë Ushtarak, i cili qeveris në Egjipt, dhe bashkë me të përfaqësuesit e regjimit të vjetër të Mubarakut, nuk duan ta dorëzojnë pushtetin. “Ku është drejtësia në këtë vendim? Ne kishim një revolucion por asnjë revolucion nuk risjell një regjim diktatorial. Këshilli i Lartë Ushtarak kërkon të rikthejë regjimin e vjetër, ata duan që të gjithë t’u bindemi përsëri. Këtë nuk do ta bëjmë. Ne do të vazhdojmë të luftojmë edhe kundër Ahmed Schafikut, me ndihmën e Perëndisë”, thotë një nga demonstruesit. Veç kësaj, gjykata vendosi që Parlamenti është krijuar pjesërisht në mënyrë antikushtetuese dhe për këtë arsye duhet të zhvillohen sa më parë zgjedhje të reja. E paqartë është ende se kur do të mbahen këto zgjedhje. Ky vendim ka shkaktuar tek islamikët kritika edhe më të ashpra. Ata e konsiderojnë argumentimin e gjykatës pa bazë. Sipas islamikëve, vendimi drejtohet në parim kundër procesit të sapofilluar demokratik në vend. Aktivistët e demokracisë, pas vendimeve, folën për një puç ushtarak, i cili përpiqet të veshë një petk legjitim. Ata kanë bërë thirrje për protesta masive kundër Këshillit të Lartë Ushtarak në pushtet dhe kundër përfaqësuesve të ish-regjimit të Mubarakut, të cilët, sipas tyre, janë ende të fuqishëm. Edhe historiani egjiptian Khaled Fahmy, pret ashpërsim të ri të situatës në vend: “Kam frikë se mund të kemi konfrontime të përgjakshme në rrugë. Këshilli i Lartë Ushtarak nuk e kuptoi revolucionin paqësor, ushtria nuk mësoi ta vlerësojë që rinia e Egjiptit bëri një revolucion të tillë paqësor. Ushtria e ka administruar keq fazën e tranzicionit dhe tani ndodhemi në një krizë të thellë. Ajo mund të zgjidhet vetëm në rrugë dhe druaj se mënyra e vetme do të jetë ajo e përgjakshme”.

16.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.