Postuar me: 20:04 06-07-2015

Ekzekutimi në lokal, 5000 euro shpërblim për kapjen e autorëve (Burimi: Gazeta Shekulli, www.shekulli.com.al)

lajm-shqip EkzekutimiLEZHË – Autorët e atentatit të mbrëmshëm në Lezhë, të cilët qëlluan nga një makinë pa targa, ende nuk janë identifikuar. Atentati u krye ndaj 23-vjeçarit Kristjan Marku, i cili nuk mundi t’i shpëtonte dot plumbave edhe pse u përpoq që të hynte brenda një lokali.

Policia e Lezhës ofron 5000 euro shpërblim, për të gjithë ata persona që janë në dijeni të autorëve të ngjarjes së rëndë.

“Policia e Qarkut Lezhë, vë në dispozicion shumën prej 5000 euro, për çdo person që ka informacion mbi autorësinë e vrasjes së ndodhur më datë 05.07.2015 , në lagjen “Besëlidhja”, Lezhë, ku mbeti i vrarë shtetasi Kristjan Marku dhe u plagos rëndë shtetasi Altin Gjonaj. Drejtoria e Policisë së Qarkut Lezhë garanton anonimatin e plotë të informatorit”, thuhet në deklaratën e uniformave blu.

Ndërkohë që vihen në dispozicion numri i kontaktit 0694106451.

Nga atentati i mbrëmshëm mbeti i plagosur edhe Altin Gjonaj, ndërkohë që janë shoqëruar deri më tani 16 persona, të cilët mund të kenë informacion për ngjarjen.

12:30 – Policia shoqëron 16 persona

Policia e Lezhës ka shoqëruar 16 persona lidhur me vrasjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku një 23-vjeçar u ekzekutua me armë zjarri në një lokal në qendër të qytetit.

Ngjarja e rëndë ku humbi jetën Kristjan Marku ndodhi rreth orës 21:31 të mbrëmjes, në trotuar tek lokal “Libraria”, përballë kompleksit të shkollave në lagjen “Besëlidhja” në Lezhë.

09:48 – 23-vjeçari u ekzekutua në lokal nga një makinë pa targa

Një 23-vjeçar mbeti i vrarë, ndërsa një tjetër u plagos rëndë në qytetin e Lezhës. Ngjarja e rëndë u shënua rreth orës 21:35 të mbrëmjes të së dielës, në lokalin “Libraria” në lagjen “Beslidhja”, përballë kompleksit të shkollave të qytetit.

Viktimë e atentatit mbeti Kristjan Marku, 23 vjeç, ndërsa personi i plagosur është shtetasi Altin Gjoni, 38 vjeç, nga fshati Tale i Lezhës, i cili ishte klient në lokalin ku ndodhi ngjarja.

Sipas policisë kanë qenë dy persona, të cilët po lëviznin me një automjet tip “Audi” pa targa, që kanë qëlluar në drejtim të 23-vjeçarit sapo ka dalë nga një lokal. Autorët kanë qëlluar 3 herë në drejtim të tij me armë zjarri tip pistoletë, ndërsa për t’iu shpëtuar plumbave, viktima është futur në një lokal, por pa mundur që t’i shpëtojë atentatit.

Plumbat e marra në gjoks dhe në kokë i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme 23­-vjeçarit nga lagjia “Xhenjo”, e qytetit të Lezhës. I plagosur rëndë aksidentalisht në këtë ngjarje ka mbetur edhe 38-vjeçari Altin Gjoni, i cili është dërguar menjëherë në Spitalin e Lezhës në gjendje të rëndë për jetën, pasi ka marrë një plumb në gojë.

Në lidhje me ngjarjen blutë e Lezhës kanë shoqëruar disa persona, të cilët mund të kenë dijeni dhe po merren në pyetje, mes tyre edhe personeli i lokalit, të cilët kanë qenë protagonist të ngjarjes.

Gjithashtu bëhet me dije se, janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë të lokalit ku ka ndodhur ngjarja, të cilët do të ndihmojnë grupin hetimor për zbulimin e autorëve të krimit.

 

06.07.2015

Burimi: Gazeta Shekulli

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.