Postuar me: 14:03 21-06-2012

Samaras, kryeministri i Greqisë Kabineti i ri, një koalicion me tri parti

Me shume rreth femrave ne nje site              Me shume rreth sportit ne nje site Njoftime pune
Shperndaje
Etiketat

Por problemet dhe sfidat me të cilat do të përballet janë të mëdha

Antonis Samaras, lideri i Demokracisë së Re, partia e cila doli e para në renditje në zgjedhjet e përgjithshme që u mbajtën të dielën, është betuar në pozicionin e kryeministrit të ri të vendit. Ceremonia është bërë, pasi ai pranoi një koalicion qeveritar me socialistët e PASOK-ut dhe atë me një parti më të vogël të së majtës, E Majta Demokratike. Samaras u betua në një ceremoni ortodokse në Athinë. Ai u zotua që qeveria e tij do të bëjë gjithçka që do të duhet për të zgjidhur problemin e krizës ekonomike që ka tronditur gjithë Eurozonën.

“Nesër do të kërkoj që qeveria ime të formohet dhe të punojë shumë fort, në mënyrë që t’i japim shpresë njerëzve”, ka deklaruar Samaras. Marrëveshja me koalicionet pason javët e gjata të pritjes pas dështimit të zgjedhjeve të 6 majit kur forcat fituese nuk arritën dot që të formonin një qeveri. Për këtë shkak u caktua një tjetër datë zgjedhjesh, ajo e 17 qershorit dhe të gjithë iu nënshtruan edhe një herë kutive të votimit. Por edhe pse tashmë kriza formimit të qeverisë është kapërcyer, problemet me të cilat ajo do të përballet që në ditën e saj të parë të punës janë të shumta dhe sfidat e vështira dhe të mëdha. Vendi që prej pesë vitesh është në një situatë recesioni të pandërprerë dhe njerëzit janë bërë shumë rezistentë ndaj masave të shtrëngimit financiar që janë ndërmarrë deri më tani nga qeveritë e mëparshme në këmbim të paketave të ndihmës financiare.

Ndërkaq, partia që doli e dyta në këto zgjedhje, SYRIZA, do të jetë opozita dhe ajo synon që ta bëjë këtë në mënyrë shumë të fortë. Samaras u betua për detyrën e re në një ceremoni të shkurtër në pallatin presidencial në Athinë dhe në praninë e priftërinjve ortodoksë. Ndërkohë që për personat që do të jenë në kabinetin e qeverisë do të jepet një informacion i detajuar dhe i plotë gjatë ditës së sotme, sepse lista është ende duke u përpiluar.

Lideri i PASOK-ut, Venizelos, ndërsa ka pranuar që do të marrë pjesë në qeverinë e re, tha se koalicioni që përbëhet nga tri parti ka marrë përsipër barrën dhe përgjegjësinë që të rinegociojë kushtet e marrëveshjes me Bashkimin Europian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, të cilat aktualisht po e rrënojnë ekonominë vendase dhe kanë revolucionuar shumë grekët e thjeshtë. Sot Greqia do të përfaqësohet nga ish-ministri i Financave në mbledhjen e vendeve të Eurozonës në Luksemburg. Burime nga Bashkimi Europian bënë të ditur se Brukseli është i lumtur që më në fund ka një qeveri greke me të cilën mund të diskutohet, por ata janë në pritje të kërkesave të saj në lidhje me marrëveshjen. Liderët europianë deri më tani kanë treguar se nuk ka hapësira për të bërë rinegocime të marrëveshjes së paketës financiare, por ndërkohë edhe partitë që janë pjesë e koalicionit të ri qeverisës në Greqi kanë deklaruar se do të donin ndryshime në kushtet e paketës së ndihmës financiare. Kësaj mund t’i shtohet edhe presioni shtesë nga SYRIZA, e cila është një parti që ka dalë tërësisht kundër paketës së ndihmës financiare.

21.06.2012

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :


eight + = 9

All Rights Reserved