Postuar me: 9:32 08-06-2012

Erkand Qerimaj pezullohet për 4 vjet: Do të apeloj në Lozanë

Shperndaje
Etiketat

TIRANE – Federata Botërore e Peshëngritjes pezulloi peshëngritësin shqiptar Erkand Qerimaj pasi rezultoi pozitiv në testin antidoping, që iu nënshtrua në Europianin e Antalias, ku doli Kampion Europe në peshën 77 kg.

Lajmi bëhet i ditur në faqen zyrtare të Federatës Botërore të Peshëngritjes, ku thuhet se sportisti shqiptar është pezulluar për periudhën nga 22 maji 2012 deri në 22 maj 2016, pasi ka konsumuar një kimike të ndaluar. Substanca me të cilën Qerimaj doli pozitive është “Methyl hexaneamine”.

Bëhet fjalë për një ndëshkim mjaft të rëndë për Qerimajn, një prej sportistëve më të mirë të Shqipërisë dhe fitues i dhjetëra medaljeve në arenën ndërkombëtare. Me këtë vendim Qerimajt i hiqet edhe titulli kampion i fituar në Antalia, si dhe fondi i akorduar nga Ministria e Sporteve, ndërkohë që nuk do të marrë pjesë në Olimpiadën e Londrës, duke bërë që Shqipëria të humbasë një prej sportistëve të saj më premtues.

QERIMAJ: DO KËRKOJ ULJEN E DËNIMIT
Pas vendimit të Federatës Botërore të Peshëngritjes për pezullimin e tij me 4 vjet, peshëngritësi Erkand Qerimaj konfirmoi se do ta apelojë këtë vendim në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës, për ulje të dënimit. Përpara mediave, Qerimaj deklaroi se ai u befasua nga dënimi prej katër vjetësh, pasi pezullimet për përdorimin e methylhexa-neamine janë disa mujore dhe jo vjetore.

Sportisti kërkon edhe ndihmën e shtetit shqiptar në këtë betejë, në mënyrë që të përfaqësojë vendin në Lojrat Olimpike të Londrës.

Para kamerave foli dhe sekretari i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Ilir Kraja, i cili bëri të ditur se Federata do të mbështesë peshëngritësin shqiptar në kërkesën e tij për uljen e dënimit.

REZULTATET E TESTIT
Sipas një shkrese të dërguar më 4 maj të këtij viti në adresë të Federatës Shqiptare, Federata Botërore e Peshëngritjes njoftoi se pas testeve të bëra në urinën e Qerimajt u gjetu një substancë e familjes “Metyl hexanamine” e përfshirë në listën e të ndaluarave që nga viti 2011.

Kampioni Qerimaj ka bërë dy analiza, njëra e befasishme 8 ditë para europianit dhe tjetra ditën e garimit. Në të dyja këto teste Qerimaj ka deklaruar se përdorte vitamina Badi Sërxh. Në të parën, që i është nënshtruar në Shqipëri, përgjigja ka dalë negative, ndërkohë që në të dytën, me po të njëjtat vitamina dhe substanca ai ka rezultuar pozitiv.

Një nga elementet e kësaj vitamine është edhe substanca në fjalë, e cila u përket stimuluesve të dobët. Erkand Qerimaj këerkoi në Federatën Botërore të Peshëngritjes të dëgjohej në panel nga gjyqtarë që caktohen me short. Për mungesë kohe dhe dokumentacioni, Qerimaj është përfaqësuar nga sekretari Ilir Kraja dhe doktori i ekipit kanadez, shqiptaro-kanadezi Alban Merepeza.

KAMPIONI 
Bashkia e Shkodrës i rezervoi në prill një pritje madhështore peshëngritësit, Erkand Qerimaj, i cili u kthye nga Turqia, ku konkuroi në Kampionatin Europian të Peshëngritjes për të rritur, duke fituar dy medalje të arta dhe një të argjendtë dhe duke sjellë në Shqipëri titullin Kampion i Europës, i pari i këtij lloji që fitohet nga një peshëngritës shqiptar në tërë historinë 63 vjeçare të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes.

(er.nu/BalkanWeb)

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.