Postuar me: 7:48 18-06-2012

Europianët paralajmërojnë grekët për votën e sotme

Shperndaje
Etiketat

Lideri i Syrizas: Ata luajnë me blofin se nuk na nxjerrin nga eurozona

Vota e sotme është vota e zgjedhjeve të parakohshme, të cilat u kërkuan pas krizës politike që përfshiu vendin pas 6 majit, kur asnjëra nga forcat politike nuk arriti që të krijonte një qeveri edhe pse në koalicion

Lideri i së majtës ekstreme, 37-vjeçari i partisë Syriza, Alexis Tspiras, ka premtuar gjatë fjalimit të fundit të mbajtur para zgjedhjeve, se do ta refuzojë këtë marrëveshje që është nënshkruar me terma shumë poshtërues për qytetarin e thjeshtë grek, në rast se ai do të fitojë votën e së dielës

Liderët europianë i kanë bërë thirrje Greqisë që të refuzojë të gjithë majtistët radikalë, të cilët kërkojnë që t’i japin fund marrëveshjes së paketës së shpëtimit financiar që    qeveria e mëparshme nënshkroi me BE-në dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Bëhet fjalë për dy paketat e ndihmës, të cilat janë përfituar në këmbim të masave të shkurtimit të shpenzimeve.

Ndërkohë, lideri i së majtës ekstreme, 37-vjeçari i Partisë Syriza, Alexis Tspiras, ka premtuar gjatë fjalimit të fundit të mbajtur para zgjedhjeve, se do të refuzojë këtë marrëveshje që është nënshkruar me terma shumë poshtëruese për qytetarin e thjeshtë grek, në rast se ai do të fitojë votën e së dielës.

Ndërsa të djathtët e Demokracisë së Re, të liderit Samaras, 61 vjeç, thonë se një gjë e tillë që premtohet nga ekstremi i majtë do të çojë në daljen e Greqisë nga eurozona dhe ata ndërkohë parashikojnë pasoja edhe më të rënda për ekonominë e vendit nëse në vend të euros do të operohet me dhrahmi. Europianët janë të shqetësuar për fatin e Greqisë, si dhe për krijimin e një efekti domino në të gjitha vendet e eurozonës. Për shkak të daljes së mundshme të Greqisë nga eurozona i kanë bërë thirrje vendit që të matet mirë para se të hedhë votën. Kancelarja gjermane, Merkel, deklaroi se masat e paketës së ndihmës financiare nuk do të negociohen dhe kjo, sipas Merkelit, ishte arsyeja që vendi duhet të mendohej mirë para se të hidhte votën e tij të dielën. “Ne do t’i qëndrojmë marrëveshjes pa ndërmarrë asnjë ndryshim”, deklaroi Merkel në një mbledhje partie në Gjermani, kur foli në lidhje me zgjedhjet e sotme. Ndërsa lideri i eurogrupit, Jean-Claude Juncker, tha se nëse partia e ekstremit të majtë do të arrinte një fitore, atëherë pasojat për vendin do të ishin të rrezikshme. Ndërkohë, lideri i ekstremit të majtë, Tsipras, thotë se huadhënësit e Greqisë, pra liderët e vendeve të eurozonës dhe FMN-ja, janë duke luajtur me blofin kur thonë se do t’i heqin vendit çdo mbështetje në rast se do të fitojë e majta ekstreme. Sipas tij, ata që do të humbasin nëse Athina humbet, do të jenë edhe ata, sepse në këtë ekonominë globale gjithçka është e lidhur dhe e ndërvarur.

Ai tha se eurozona nuk do ta lejonte daljen e Greqisë nga radhët e saj, duke pasur frikën se në gjë e tillë do të mund të ndodhte më pas me shpejtësi edhe me vende të tilla si Spanja e Italia, të cilat në momentin aktual ndodhen në një pozicion shumë të vështirë.

Vota e sotme është vota e zgjedhjeve të parakohshme, të cilat u kërkuan pas krizës politike që përfshiu vendin pas 6 majit, kur asnjëra nga forcat politike nuk arriti që të krijonte një qeveri, edhe pse në koalicion. Në këto zgjedhje doli në pah Syriza, ndërkohë që këto zgjedhje ishin një dënim për të gjithë klasën politike tradicionale në përgjithësi, e cila fajësohet nga grekët si një klasë politike që e çoi vendin vit pas viti në situatën katastrofale në të cilën ndodhet aktualisht. Sondazhet e opinionit publik para zgjedhjeve tregojnë se rezultatet mes të majtëve dhe të djathtëve do të jenë sërish aty-aty.

17.06.2012

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.