Postuar me: 13:11 16-06-2012

Falsifikimet, sekuestrohen dokumentet e prefektit të Fierit

Shperndaje
Etiketat

Prokuroria gjen firmat “false” në mbledhjen e Këshillit të Qarkut

Prokuroria i ka dërguar fletëthirrje personit që ka votuar në emër të një këshilltari

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier ka sekuestruar dokumentacionin përkatës në Prefekturën dhe Qarkun e Fierit, që ka lidhje me kallëzimin e kryer nga Vangjel Ndreka për falsifikim të dokumenteve zyrtare dhe shpërdorimit të detyrës. Burime të gazetës, janë shprehur dje se, prej pak ditësh është sekuestruar gjithë dokumentacioni në të dyja institucionet e sipërcituara, të cilat kanë të bëjnë me mbledhjen e Këshillit të Qarkut të organizuar nga Artur Shehu më 24 prill 2012 në ambientet e hotel “Fieri”. Ndërkaq, mësohet se nga verifikimet paraprake të kryera nga hetuesit rezulton se në listën në të cilën Shehu pretendon se kanë firmosur këshilltarët që morën pjesë në mbledhjen e organizuar prej tij më 24 prill 2012, figurojnë firmat e tre këshilltarëve, të cilët, sipas kallëzimit të Ndrekës, nuk kanë qenë të pranishëm. Bëhet fjalë për firmën e këshilltarit të Komunës Strum, Eduard Dogani, i cili nga verifikimet e kryera prej prokurorisë në sistemin TIMS, rezulton të jetë ndodhur jashtë Shqipërisë, në Greqi, më 24 prill dhe jo në ambientet e hotel “Fieri”. Gjithashtu, nga burimet e sipërcituara mësohet se prokuroria ka siguruar në cilësinë e provës materiale edhe deklarimet e këshilltarit të Komunës së Rremasit të Rrethit të Lushnjës, Veiz Dervishi. Ky i fundit mësohet të ketë deklaruar se nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e organizuar nga z. Artur Shehu. Gjithashtu, në listën që ka sekuestruar prokuroria figuron edhe firma e këshilltarit tjetër, Aulent Toli, i cili në pamjet e transmetuara në emisionin investigativ “Fiks Fare” dukej që ishte i pranishëm në mbledhjen e zhvilluar nga kryetari i majtë i Qarkut të Fierit, Vangjel Ndreka. Veiz Dervishi dhe Aulent Toli kanë firmosur secili nga një deklaratë noteriale, me anë të të cilave pohojnë se nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen e drejtuar nga Shehu. Këto deklarata, Vangjel Ndreka ia paraqiti edhe prefektit të Fierit, Robert Bitri. Por ky i fundit konfirmoi si të ligjshme mbledhjen e zhvilluar nga Artur Shehu, ku ishte edhe vetë i pranishëm, mbledhje në të cilën u pretendua se u arrit kuorumi i nevojshëm prej 49 këshilltarësh.

Por i zgjedhuri si kryetar i qarkut më 21 shtator 2011, Vangjel Ndreka, deklaroi atëherë publikisht se në mbledhjen e zhvilluar nga të djathtët kishin marrë pjesë persona që nuk kanë asnjë lidhje me Këshillin e Qarkut, të cilët kishin ngritur dorën në vend të këshilltarëve që nuk ndodheshin aty, fakt që u denoncua nga emisioni “Fiks Fare”. Emisioni investigativ solli edhe një deklaratë të Dashnor Agaçes, një nëpunësi të Komunës Strum, i cili ishte paraqitur në mbledhje në vend të një këshilltari që mungonte. Prokuroria i ka dërguar një fletëthirrje Agaçes për të marrë deklarimet e tij në lidhje me këtë fakt. Ndërkaq, mësohet se së shpejti do të merren edhe deklarimet e prefektit Robert Bitri dhe të zgjedhurit si kryetar i qarkut me votat e këshilltarëve të paligjshëm, Artur Shehut, të cilët pritet të japin versionin e tyre. Manipulimet e dyshuara, të kryera në mbledhjen e zhvilluar nga këshilltarët e djathtë të qarkut më datë 24 prill, u denoncuan fillimisht nga i zgjedhuri si kryetar i Qarkut Fier, Vangjel Ndreka, i cili kreu edhe kallëzimin përkatës në prokurori. Në kallëzimin e tij, Ndreka akuzon rivalin e tij Artur Shehu dhe prefektin Robert Bitri për falsifikim të listës së prezencës të mbledhjes së 24 prillit të organizuar prej tyre, si dhe për shpërdorim të detyrës. Ndreka e akuzon prefektin Bitri edhe për mosnjohje e moszbatim të vendimeve të formës së prerë të Gjykatës së Apelit Vlorë. Kjo, për shkak se edhe pas vendimit të kësaj gjykate që i cilësoi si të paligjshme ndryshimet e kryera nga të djathtët, të këshilltarëve të Bashkisë së Patosit, që e përfaqësojnë këtë njësi vendore në qark, ai i konfirmoi ato.

 

Hetimet

Prefekti – Prokuroria e Fierit ka sekuestruar dokumentet, në bazë të të cilave prefekti i Fierit ka njohur Artur Shehun si kryetar të qarkut

Këshilltari – Prokuroria ka thirrur këshilltarin Veiz Dervishi, i cili figuron pjesëmarrës në dy mbledhje. Ai tha se nuk ka qenë në mbledhjen e të djathtëve

  

I djathti

Artur Shehu: Do t’i atakoj vendimet e Apelit

“Ngelem kryetar i Këshillit të Qarkut Fier. Po vazhdoj detyrën time dhe nuk kam shkelur asnjë pikë të ligjit 8652 ‘Mbi funksionimin e pushtetit vendor’ dhe të ligjit ‘Mbi prefektin’.” Kjo ka qenë deklarata e bërë dy ditë më parë për mediat nga kryetari i djathtë i Këshillit të Qarkut të Fierit, Artur Shehu. Ai reagoi pas konferencës për shtyp të dhënë nga kryetari i majtë, Vangjel Ndreka, i cili tha se vendimet e Gjykatës së Apelit të Vlorës kanë rrëzuar përfundimisht pretendimet e Artur Shehut. Por vetë Shehu e ka gjetur mënyrën për të qëndruar në detyrë, edhe pas vendimit të gjykatës. Ai tha se ende nuk është njohur me vendimin e zbardhur, ndërsa shtoi se do ta ankimonte këtë vendim në Gjykatën e Lartë.

Prokuroria paraqet pretencën ndaj 8 personave. T’u hiqet e drejta e funksioneve publike

16.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.