Postuar me: 13:14 12-06-2012

Fatos Nano: I gatshëm të udhëheq PS drejt fitoreve të reja. Edi Rama, një palokryetar

Shperndaje
Etiketat

Lideri historik i PS ka reaguar në 21-vjetorin e themelimit të PS dhe njëkohësisht 1 ditë pas zgjedhjes së kreut të ri të shtetit, që shënon edhe një disfatë për të

Lideri historik i Partisë Socialiste, Fatos Nano, në 21-vjetorin e krijimit të PS-së, ka hedhur akuza të rënda ndaj kreut aktual të kësaj partie, Edi Rama i cili sipas tij është i vetmi që i ndan në këto momente socialistët e vërtetë nga lideri i tyre. Sipas Nanos, Edi Rama u ka shkaktuar socialistëve humbjen e radhës me zgjedhjen e presidentit të ri të republikës.
Fatos Nano, i cili ishte kandidati i parë i vetëshpallur për postin e kreut të shtetit, e humbi këtë betejë pikërisht për shkak të mosmbështetjes nga ana e kreut aktual të PS, Edi Rama.
Më tutje ai ka shprehur angazhimin e tij për ta udhëhequr PS në këtë moment të vështirë, në të cilin sipas tij e ka zhytur një ‘palokryetar’ si Edi Rama.
“Unë nuk mund të lejoj më që socialistët e mi të dashur, Partia Socialiste e cila është partia e zemrës sime, të vazhdojnë të rropaten, rraskapiten, keqpërdoren, sakrifikohen, torturohen nga duart e papërgjegjshmërisë dhe paaftësisë së Edi Ramës i cili di veç të humbasë.  Unë tashmë u vetofrohem të gjithë socialistëve dhe popullit opozitar që së bashku të marrim fatet e Partisë Socialiste dhe të Shqipërisë në duart tona e të mos lejojmë më që humbjet e pareshtura të socialistëve të kthehen në humbje për Shqipërinë, nëpërkëmbja e socialistëve të kthehet në nëpërkëmbje për Shqipërinë, kriza e Edi Ramës të qëndrojë si kërcënim e ndëshkim krizash për Shqipërinë”, – thuhet në deklaratën e Fatos Nanos.

Deklarata e plotë e Fatos Nanos

Të dashur socialistë, u bënë 21 vite që ne jemi bashkë. U bënë 21 vite që ne së bashku përpiqemi me atdhedashuri e përkushtim që ta transformojmë Shqipërinë tonë në një vend të merituar e të denjë europian. Gëzuar së bashku 12 Qershorin, festën e themelimit, festën e të gjithë Socialistëve të mirë e të ndershëm.
Asgjë dhe askush nuk ka mundur të na ndajë ne nga njëri-tjetri socialistë të dashur e të shtrenjtë. Së bashku kemi bërë beteja të mëdha e kemi fituar beteja të mëdha, së bashku e kemi reformuar dhe transformuar Shqipërinë, duke e kthyer nga një vend diktatorial e i pazhvilluar, në një vend demokratik, me zhvillim në rritje dhe me përqasje gjithnjë e më të madhe me një vend europian. Së bashku kemi fituar disa zgjedhje parlamentare dhe lokale dhe e kemi qeverisur me shumë dashuri, devocion e shpirt transformator Shqipërinë në nivel qendror dhe lokal.
Ne së bashku ngritëm standarte të reja, ndërtuam modele të reja, ndërtuam vlera e histori të cilat ende dhe sot mbeten të paarritshme dhe të pakonkurrueshme nga kundërshtarët tanë politikë.
Unë ju bëj thirrje të dashur socialistë që ne të vazhdojmë të ecim bashkë, të fitojmë bashkë e ta qeverisim dhe transformojmë Shqipërinë bashkë.
Unë jam tashmë para jush i gatshëm për t’ju udhëhequr drejt fitoreve të reja.

I vetmi që na ndan ne sot është vetëm ai njeri që e quan veten Kryetar të Partisë Socialiste, edhe pse ai që ditën që ka vënë këmbë në krye të partisë sonë, ka shkaktuar veç humbje, humbje, dhe humbje. Edi Rama sot ju ka shkaktuar juve të dashur socialistë humbjen e radhës.
Beteja, qëndrimi dhe strategjitë e tij noprane, pamend dhe prej arlekini, i dhuruan Sali Berishës fitoren e radhës, duke i lënë fushë të lirë Berishës që ta zgjedhë vetë Presidentin që donte.

Unë prej muajsh e javësh i ofrova Edi Ramës dorën e bashkëpunimit dhe bashkimit, por Edi Rama e refuzoi me këmbëngulje. I kërkova të kalonim nga zona e mosmarrëveshjeve tek zona e marrëveshjeve për të mirën e socialistëve dhe Shqipërisë, por Edi Rama përsëri refuzoi.

Unë prej muajsh e javësh u përpoqa t’i tregoja e ta këshilloja Edi Ramën se së bashku mund të nisnim një kohë të re të bashkimit të së majtës, duke fituar betejën e parë që kishim në radhë, por Edi Rama refuzoi e refuzoi.
Unë kërkova mbështetjen dhe mirëkuptimin e Edi Ramës që së bashku ta fitonim garën Presidenciale për t’u dhënë shqiptarëve Presidentin më të mirë.
Por Edi Rama më refuzoi mua, refuzoi garën, nxori socialistët jashtë fushe dhe bëri një ratifikim hileqar të fitores së njëanshme të Sali Berishës.
Edi Rama humbi. Por me këtë humbje të radhës së Edi Ramës humbëm të gjithë ne socialistët.
Kam ndjekur deklaratat më të fundit të Edi Ramës ku guxon e më drejtohet mua me akuza idiote dhe qesharake. Nuk mundet të mos ndiej zhgënjim të thellë, indinjatë dhe refuzim të plotë ndaj limbos ku vetë Edi Rama ka mbetur. Limboja e Edi Ramës nuk mund të lejojmë të kthehet në limbo të Shqipërisë, të shqiptarëve dhe të socialistëve.

Ky paloKryetar ka guximin e më akuzon mua se qenkam përdorur si diversion dhe tallje nga Qeveria, në një kohë kur Edi Rama rendi si batakçi nëpër natë me një torbë me ëndrra perverse Kryeministrore drejt Gjirit të Lalzit, ku shiti brenda një nate 4 viktimat e 21 janarit, 26 viktimat e Gërdecit, zgjedhjet e 8 majit, zgjedhjet e 2009, grevën e urisë të dhjetëra deputetëve dhe socialistëve, e mijëra e mijëra sakrifica madhore që socialistët e mirë dhe të ndershëm kanë bërë për të.
Pas darkës së Gjirit të Lalzit, nëse ka pasur një njeri që Qeveria e ka përdorur dhe tallur keqazi, ky është Edi Rama. Edi Rama, në darkën e Gjirit të Lalzit, por edhe në tryezat me Sali Berishën, ka këmbëngulur vetëm tek një Pazar i ndyrë: Kushdo le të zgjidhet President, vetëm Fatos Nano të mos zgjidhet. Qeveria e përdori Edi Ramën kundër Fatos Nanos, dhe Edi Rama ia plotësoi dëshirën Qeverisë. Sot President është zgjedhur Ministri i Brendshëm i Berishës, ndërsa Fatos Nano dhe socialistët kanë humbur, për shkak të Edi Ramës. Qeveria u tall në Gjirin e Lalzit me Edi Ramën, sepse me një pjesë të Qeverisë i ofruan ngjala për darkë dhe i krijuan iluzionin idiotesk se mund të rrëzohej Qeveria e të plotësohej ëndrra perverse e Edi Ramës për tu bërë Kryeministër. E tallën dhe e lanë me gisht në gojë këtë humbarak pervers dhe liganak.

Unë në thirrjet e mia të dy ditëve të fundit i jam drejtuar për mbështetje vetëm socialistëve të vërtetë, gjithë Partisë Socialiste e cila është partia e ime e zemrës, e për asnjë moment Edi Ramës.

Të dashur miq socialistë! U bënë vite tashmë që Edi Rama nuk përfaqëson më socialistët apo interesat e tyre. U bënë vite tashmë që Edi Rama përfaqëson vetëm një klan uzurpator e pervers humbarakësh e frikacakësh, që u ka shkaktuar socialistëve vetëm humbje, dhembje e nëpërkëmbje, sikurse e ka zhytur Shqipërinë në kriza të njëpasnjëshme. Edi Rama është mbjellësi i krizave, urrejtjes dhe humbjes. Edi Rama nuk e ka më mundësinë që të jetë Përfaqësuesi, Zëri e aq më pak Lideri i Socialistëve.

Unë nuk mund të lejoj më që socialistët e mij të dashur, Partia Socialiste e cila është partia e zemrës sime, të vazhdojnë të rropaten, rraskapiten, keqpërdoren, sakrifikohen, torturohen nga duart e papërgjegjshmërisë dhe paaftësisë së Edi Ramës i cili di veç të humbasë.
Unë tashmë u vetofrohem të gjithë socialistëve dhe popullit opozitar që së bashku të marrim fatet e Partisë Socialiste dhe të Shqipërisë në duart tona e të mos lejojmë më që humbjet e pareshtura të socialistëve të kthehen në humbje për Shqipërinë, nëpërkëmbja e socialistëve të kthehet në nëpërkëmbje për Shqipërinë, kriza e Edi Ramës të qëndrojë si kërcënim e ndëshkim krizash për Shqipërinë.

Unë shpreh e ritheksoj edhe njëherë mirëbesimin tim, e i bëj thirrje Partisë Socialiste, Kryetarit të Grupit Kuvendor të PS Gramoz Ruçi, dhe drejtpërdrejtë të gjithë deputetëve të PS që në këto momente kaq të rëndësishme për fatet e Shqipërisë të bëhen dalëzotsa, të rigjejnë dinjitetin, të marrin vendime të drejta në tejkalimin e këtij ngërçi politik të stërzgjatur.
Mos lejoni që një aventurier humbarak e liganak si Edi Rama t’ju tërheqë zvarrë e t’ju nëpërkëmbë dinjitetin, duke ju zhytur juve dhe Partinë Socialiste por edhe Shqipërinë në krizën e padijes, paaftësisë, pamundësisë, dhe perversitetit të tij politik.

U drejtohem sot drejtpërdrejt gjithë të zgjedhurve të Partisë Socialiste, në gjithë Shqipërinë, gjithë socialistëve dhe përfaqësuesve të popullit opozitar, që të ngrihen përmbi këtë realitet të zymtë, dekurajues, humbës por edhe dëmtues për fatet e Shqipërisë e për integrimin europian, ku e ka katandisur PS-në, Kryetari aktual Edi Rama.

Edhe pasi kisha vendosur ta mirëbesoja deri ditën e sotme Edi Ramën, zhgënjimi dhe rizhgënjimi im i vazhdueshëm i shprehur ndër vite, ka vetëm një arsye: Edi Rama e ka braktisur popullin opozitar. Zyra e tij është shndërruar në një zyrë të prodhimit të politikave të krizave e konfliktualitetit, urrejtjes dhe përplasjes, mohimit dhe zhbërjes së historisë së Partisë Socialiste dhe të zhvillimeve pozitive transformuese në Shqipëri, duke e dëmtuar rëndë Shqipërinë, shqiptarët dhe vetë socialistët.
Edi Rama ka broçkollitur pa pushim këto ditë e javë kinse për konsensus, ka bere sikur ka kërkuar konsensus në një kohë kur e vërteta e hidhur është se ai ka braktisur në mënyrën më skandaloze, më të pashpirt dhe më të papërgjegjshme viktimat e 21 Janarit.
Sot pas 1 viti, me 4 shqiptarë të vrarë dhe të tradhtuar mbi shpinë, Edi Rama kërkon të bëhet Kryeministër, duke i lënë ata në harresë, e duke shmangur garën e Presidentin, e duke mbajtur peng të gjitha zgjidhjet e zgjedhjet e nevojshme që duhet të bëjë Shqipëria për të marrë statusin Kandidat.
Edi Rama nuk e përfaqëson më Partinë Socialiste. Edi Rama përfaqëson njeriun aventurier i cili ka uzurpuar Partinë Socialiste, të cilën e ka keqpërdorur për interesat e tij të ngushta dhe klienteliste, banale, perverse dhe informale.
Edi Rama e ka drejtuar Partinë Socialiste me sukses të plotë nga humbja në humbje.
Të nderuar te zgjedhur socialistë, të dashur socialistë, ju bëj thirrje që të mos e lejoni paaftësinë dhe pamundësinë e Edi Ramës për të fituar, që të kthehet në sëmundje e gjendje të përhershme për Partinë Socialiste, por edhe në një pengesë madhore për zhvillimin dhe integrimin e Shqipërisë.

Së bashku me mua keni fituar gjithmonë dhe e keni mundësinë të vazhdoni të fitoni.
Nderojeni historinë dhe traditën tonë të përbashkët fituese por edhe transformuese pozitive në mënyrë që së bashku të bëjmë fituese Shqipërinë.
U shpreh mirënjohjen të gjithë atyre përfaqësuesve të Partisë Socialiste, por edhe të zgjedhurit e saj në Komuna e Bashki, nga çdo cep i Shqipërisë, të cilët këto ditë me kanë shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e plotë për Projektin tim fitues.
Me Fatos Nanon fiton e majta, fitojnë socialistët, fiton edhe Shqipëria.
Të nderuar deputetë të Partisë Socialiste tejkalojeni, refuzojeni sistemin e vullneteve të ndrydhura që ka instaluar Edi Rama në Partinë tonë të përbashkët që kur kemi qenë bashkë ka qenë liberale, demokratike dhe fituese.
Bëhuni dalëzotsa dhe së bashku me Fatos Nanon fitoni për Partinë Socialiste dhe Shqipërinë.
Ngrihuni përtej limbos së Kryetarit aktual Edi Rama, dhe bëjeni Partinë Socialiste dhe Shqipërinë fituese me Fatos Nanon. Sistemi humbës që ka instaluar Edi Rama duhet shembur dhe ndryshuar. Të bëhemi bashkë që të fitojmë bashkë!
Gëzuar festën e themelimit!

12 qershor 2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.