Postuar me: 6:59 14-06-2012

Fatos Nano nis sulmin: Rama ka 7 vjet që humb, do provoj të rimarrë PS

Shperndaje
Etiketat

Lideri historik i së majtës nis ngritjen e strukturave të lëvizjes për bashkimin e së majtës

Një ditë pas lançimit të lëvizjes së tij për bashkimin e së majtës, lideri historik i së majtës, Fatos Nano, ka nisur ngritjen e strukturave. Në një prononcim të shkurtër për mediat ai është shprehur se tashmë ka vetëm një mision, të çojë socialistët në fitoren e zgjedhjeve të 2013 me ose pa Edi Ramën, duke mos përjashtuar rimarrjen e drejtimit të PS-së.

“Kjo lëvizje do të orientojë fuqimisht elektoratin e majtë drejt një formule fituese me apo pa Edi Ramën. Nuk e përjashtoj objektivin e rimarrjes së drejtimit të PS dhe në rast se Rama dhe struktura që ai drejton do ta pengojnë këtë gjë, ne do ta orientojmë të gjithë ushqimin elektoral të socialistëve dhe të së majtës drejt një liste tjetër, jo të Ramës”,- ka deklaruar Nano.

Edhe sot ai nuk i ka kursyer sërish akuzat ndaj kreut aktual të PS-së, Edi Rama që sipas tij i ka sjellë partisë më të madhe opozitare vetëm humbje.

“Në rast se Rama vazhdon të qesëndisi me nervozizëm nevojën për të rikthyer fuqinë e socialistëve të bashkuar, atëherë fundi do të jetë edhe gjymtimi i këtij fenomeni nga Rama në Ra. Edi Rama ka 7 vjet që i çon socialistët në humbje dhe kjo gjendje duhet të marrë fund. Ne jemi në procesin e regjistrimit të vullnetarëve dhe aktivistëve të kësaj lëvizjeje që është pritur me entuziazëm nga të gjitha kategoritë e socialistëve, nga shumë të rinj, nga përfaqësues të strukturave të PS apo militantë të traditës. Nisëm lëvizjen duke ndërtuar armatën”, ka deklaruar Nano.

Në 21-vjetorin e themelimit të PS, ish-lideri i PS-së, Fatos Nano shkëmbeu akuza në distancë me kreun aktual të kësaj force, Edi Rama. Nano e ka cilësuar Ramën si një palokryetar që “rendi si batakçi nëpër natë me një torbë me ëndrra perverse kryeministrore drejt Gjirit të Lalzit, ku shiti brenda një nate 4 viktimat e 21 janarit, 26 viktimat e Gërdecit, zgjedhjet e 8 majit, zgjedhjet e 2009-ës, grevën e urisë të dhjetëra deputetëve dhe socialistëve”. Ndërkohë Rama, në një emision televiziv deklaroi se kërcënimet e Nanos, janë: “ shfrime të një mllefi primitiv,pasi s’kanë lidhje as me mua e PS, as me historinë në këto 7 vite të PS. Ka lidhje me një paaftësi për të menaxhuar emocione të pashfrenuara”.

13 qershor 2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.