Postuar me: 10:14 13-06-2012

Fëmijët e lindur nga baballarë të vjetër në moshë janë më jetëgjatë

Shperndaje
Etiketat

Thuhet se meshkujt që bëhen prindër në një moshë të madhe janë më tolerantë, më të dhembshur dhe të përkushtuar si dhe kalojnë në shumë kohë me fëmijët e tyre. Por duket se mosha e madhe e një mashkulli që vendos të bëhet baba ka edhe një përfitim tjetër, akoma edhe më të madh. Kështu, shkencëtarët kanë zbuluar se fëmijët e lindur nga baballarë në një moshë të madhe, kanë mundësi më të shumta që të jetojnë më gjatë.

Sipas shkencëtarëve, pasardhësit e lindur nga baballarë më të vjetër në moshë kanë telomere më të gjata, një strukturë e veçantë në skajet e kromozomeve që mbrojnë kundër procesit të plakjes.

Telomeret janë disa pjesë të vogla ADN-je që ndodhen në fundet e çdo kromozomi. Pjesa fundore e ADN-së është mjaft e paqëndrueshme: shkatërrohet kimikisht dhe mund të pësojë rikombinime më shpesh se pjesa tjetër e molekulës. Telomeret kanë një rol të rëndësishëm (akoma të pakuptuar mirë) në jetëgjatësinë e secilës qelizë. Për shembull, ato shkurtohen në mënyre të vazhdueshme gjatë çdo ndarjeje mitotike qelizore. Shkencëtarë që drejtuan studimin matën gjatësinë e telomereve të ADN-së në gjakun e 1179 të rinjve filipinas dhe nënave të tyre dhe në këtë mënyrë përcaktuan moshën e etërve të fëmijëve dhe gjyshërve të tyre.

Ata zbuluan se gjatësia e telomereve tek pasardhësit ishte e lidhur jo vetëm me moshën e babait të tyre në momentin që ata kanë ardhur në jetë, por edhe të gjyshit nga ana e babait.

Sa më shumë të vonohet koha kur ndodh riprodhimi te mashkulli, aq më shumë rritet gjatësia e telomerit. Studimi i publikuar në ‘Proceedings of the National Academy of Sciences’ sugjeron se riprodhimi i vonuar i babait mund të rrisë gjatësinë e telomereve me kalimin e kohës, të cilat janë të afta të nxisin jetëgjatësinë te pasardhësit e ngjizur prej tyre.

Telomeret janë quajtur ndryshe “ora kromozonale”, për shkak se ato janë në një farë mënyre qendra e plakjes biologjike te njeriu. Gjatësia e telomereve është një shenjë e të qenët biologjikisht të rinj dhe të shëndetshëm.

Profesor Chris Kuzawa, një antropolog në Universitetin Northwestern, në Shtetet e Bashkuara, shprehet se telomeret me kalimin e moshës shkurtohen në qelizat e trupit, por ato zgjaten në spermë. Një studim i mëparshëm ka zbuluar se ata persona që kishin telomere të shkurtra, ishin tri herë më shumë të predispozuar që të vdisnin nga sëmundjet e zemrës. Sipas Kuzawa, efekti i moshës së paraardhësve, duke e lidhur me gjatësinë e telomereve, mund të krijojë kushtet për një rritje të jetëgjatësisë duke krijuar kushtet për një nivel më të ulët të vdekshmërisë.

12 qershor 2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.