Postuar me: 12:33 28-05-2012

Financat në krizë pranojnë disa kushte për aprovimin e këstit të parë 100 milionë USD

Shperndaje
Etiketat

Pothuajse i gjithë fondi për ruajtjen e deficitit shkoi për KESH-in, duke vendosur në alarm buxhetin.

Banka Botërore ia kishte kërkuar me kohë rishikimin e buxhetit me ulje të shpenzimeve dhe kushtet aktuale imponojnë qeverinë të pranojë me pahir kushtin, me synim aprovimin e këstit të parë të kredisë, prej 100 milionë dollarësh.

Në total, paketa antikrizë e kërkuar nga Ministria e Financave nga BB-ja ishte 300 milionë dollarë, maksimumi i fondit të vënë në dispozicion nga institucioni financiar, por për ta siguruar duhen diskutuar disa kritere, ku kryesori ishte ulja e deficitit buxhetor dhe reduktimi i borxhit publik në tre vitet e ardhshme. Plani i rishikimit duhet të niste këtë vit, por qeveria nuk pranonte, të paktën atë nivel uljeje në 2.5 për qind të deficitit, nga 3 për qind, të vendosur me ligj nga Kuvendi kur miratoi buxhetin 2012.

Gazeta “Shqip” mëson se palët janë duke zhvilluar negociata të shumta në çdo moment të ditës dhe duket se paraprakisht është rënë dakord për rishikimin e disa zërave në buxhet. Së pari, pala shqiptare i ka kërkuar BB-së që të shtyjë në kohë pagesat e interesave të kredive të marra nga banka në vitet e kaluara. Një pjesë e huave maturohej në këtë periudhë dhe shtyrja e detyrimit konsiderohet lehtësi për arkën e shtetit. Nuk bëhet e ditur sa janë shumat, por lihet të nënkuptohet se është një lloj shkëmbimi për kredinë që qeveria kërkonte nga BB-ja për pjesën e dytë të vitit 2012.

Pra banka nuk i jep qeverisë 100 milionët e kërkuara për këtë periudhë të vështirë, por pranon të shtyjë datën e pagesës së interesave. Burime konfidenciale nga Ministria e Financave pohojnë se, pala shqiptare kishte kërkuar maksimumin e paketës prej 300 milionësh dhe shuma do të disbursohej e ndarë në tri këste, me nga 100 milionë. Nëse aprovohet shtyrja e detyrimeve, atëherë paketa e parë e ndihmës do të lëvrohet me 100 milionë në fund të vitit. Kjo shumë, sqarojnë Financat, shërben për të përballuar presionin e bankave vendase me ofertat e paraqitura në ankandet e bonove të thesarit, duke qenë se njëra nga bankat ka rishikuar planin e financimit të borxhit shqiptar.

Aktualisht palët janë në negociata dhe nuk ka ende një vendim final, ndërsa pritet mbyllja e muajit maj për të parë më konkretisht se deri ku do të shkojë reduktimi i buxhetit, në kushtet kur të ardhurat nga taksat nuk janë në nivelin e duhur, të paktën, si tremujor, plani doli minus rreth 5 miliardë lekë dhe me këto ritme, deri në qershor, kur mbyllet pjesa e parë e vitit, shkurtimi i shpenzimeve të planifikuara është i pashmangshëm.

Sakaq lajmet nga arka e shtetit nuk janë të mira. Fondi i kontingjencës, prej 2.6 miliardë lekësh, i vendosur nga qeveria për të ruajtur deficitin buxhetor është pothuajse i harxhuar për nevojat e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Deri në fund të muajit mars 2012 janë përdorur rreth 2.062 miliardë lekë, nga të cilat rreth 2 miliardë lekë janë dhënë në formën e huasë KESH-it dhe 61.7 milionë lekë në formën e subvencionit, për kompensimin e vlerës së taksës së biznesit të vogël të përdorur për rimbursimin e pajisjeve fiskale dhe taksimetrave, te njësitë e qeverisjes vendore.

1.4%

Paguhet më pak për interesat

Shpenzimet për interesa që përfaqësojnë rreth 12.7 për qind të totalit të shpenzimeve korrente të realizuara gjatë periudhës janar-mars 2012, rezultojnë me një kursim kundrejt parashikimit të periudhës, prej rreth 859 milionë lekësh, si rrjedhojë e kursimit për rreth 555 milionë lekë në interesat e brendshme dhe rreth 304 milionë lekë në interesat e jashtme. Sipas Ministrisë së Financave, kundrejt planit vjetor, interesat janë realizuar në rreth 18.8 për qind, ndërsa krahasuar me një vit më parë, ato rezultojnë rreth 133 milionë lekë më të ulëta ose rreth 1.4 për qind më pak.

Burimi:gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.