Postuar me: 17:19 24-09-2015

Fjalimi i deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Spartak Braho në seancë plenare (Burimi: LSI, www.lsi.al)

IMG_3376

Fjalimi i deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Spartak Braho në seancë plenare.

Fjalimi i deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Spartak Braho në seancë plenare.

E nderuara zonja drejtuese e seancës, Nënkryetare e Kuvendit,

Të nderuar kolegë,

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, vjen për shqyrtim për shkak të disa shfuqizimeve që ka bërë Gjykata Kushtetuese.

Ky ligj është mjaft i rëndësishëm për fushën dhe funksionimin kushtetues të Forcave të Armatosura, pasi mirëpërcakton pushtetet dhe autoritetet përgjegjëse të komandimit dhe të drejtimit të tyre.

Ky ligj njëkohësisht është miratuar në qershor të vitit 2014, si pjesë përbërëse e paketës ligjore “Koha dhe procesi” të reformimit të Forcave të Armatosura, proces i cili mundësoi një qasje më të plotë me praktikat më të mira europiane dhe detyrimet e veprimet e ndërmarra në kuadër të aleancës së NATO-s.

Qëllimi parësor i ligjit është përcaktimi më i qartë i autoriteteve të komandimit të Forcave të Armatosura, i përgjegjësive, i roleve dhe i funksioneve të institucioneve e organeve të përfshira në sigurimin e mbrojtjes kombëtare të Republikës së Shqipërisë, zbatimin e parimit demokratik të kontrollit dhe drejtimit civil mbi forcat e armatosura, si dhe përcaktimin e niveleve strategjike dhe operacionale të përgjegjësive për drejtimin e tyre në kohë paqeje, në gjendje të jashtëzakonshme dhe në kohë lufte. Siç vihet re dhe sanksionohet në ligj, në hierarkinë e drejtimit dhe të komandimit, merr pjesë edhe Kuvendi i Shqipërisë, si institucion që ka rolin qendror në planifikimin, kontrollin, menaxhimin e përgjithshëm të mbrojtjes kombëtare, si dhe në përcaktimin e drejtimeve strategjike të Forcave të Armatosura.

Ndryshimet që paraqiten në këtë projektligj janë të domosdoshme në veprimtarinë drejtuese e komanduese mbi Forcat e Armatosura dhe autoritetet përgjegjëse.

Ky projektligj vjen si rrjedhojë e një analize të plotë e të qartë edhe mbi efektet që la vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe hendekut ligjor të krijuar si pasojë e këtij vendimi, i cili është detyrues për këdo.

Projektligji synon përshtatje në përputhje me këto vendime, ndryshimet e të cilave do të sillnin hapësirë konfonduese në kuptimin e drejtë dhe në zbatim të kompetencave themelore në zinxhirin e drejtimit dhe komandimit të Forcave të Armatosura.

Vlen të theksohet se Komisioni për Sigurinë Kombëtare, në bashkëpunim të ngushtë edhe me iniciatorin e këtij projektligji, pra me Ministrinë e Mbrojtjes, gjatë shqyrtimit dhe miratimit në komision, vlerësoi se përfundimet e Gjykatës Kushtetuese për dispozitat ligjore duhet të gjejnë zgjidhje ligjore më të mirë të mundshme, duke evidentuar dhe evituar paqartësitë dhe konfondimet, si dhe respektimin maksimalisht të këtyre vendimeve. Për këtë qëllim gjatë diskutimit të projektligjit në komision u bënë disa amendamente dhe përmirësime, të cilat rregullojnë dispozitat ligjore në strukturën e komandimit dhe të drejtimit të Forcave të Armatosura.

Për sa i përket nenit 22, pika 3, të ligjit të shfuqizuar tashmë, dispozita të cilat përcaktojnë autoritetin përkatës gjatë gjendjes së jashtëzakonshme dhe fatkeqësive natyre në drejtimin e Forcave të Armatosura, nuk janë propozuar ndryshime në ligj. Është vetë Kushtetuta që në nenet 170, 173, 174, 175 përcakton qartë kompetencat dhe rregullat e ndërveprimit të organeve qendrore publike në rast të gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësive natyrore.

Këto kompetenca kanë të bëjnë kryesisht me vendosjen dhe zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme, vendosjen e gjendjes së fatkeqësive natyrore, si dhe masat që merren për liritë dhe të drejtat e njeriut, të cilat mund të kufizohen gjatë këtyre situatave.

Shfuqizimi i këtyre dispozitave nuk ndikon në zbatimin e ligjit nr. 64, pasi përgjegjësia për këto raste tashmë shpërndahet sipas zinxhirit të komandimit të përcaktuar në ligj.

Gjykoj që ky projektligj arrin plotësisht qëllimin duke qenë në përputhje me ato vlerësime që ka bërë Gjykata Kushtetuese, si dhe do të sigurojë zbatimin e duhur të tij.

Së fundi, duke vlerësuar edhe një herë rëndësinë e këtij projektligji për të pasur një qasje me praktikat më të mira të vendeve anëtare të NATO-s, duke ju siguruar se respekton çdo dispozitë kushtetuese, ju ftoj jo vetëm në emër të Komisionit të Sigurisë, por edhe në emër të Grupit Parlamentar të LSI-së për ta miratuar atë.

Faleminderit!

24.09.2015

Burimi: LSI

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.